Një vit pas DBR-së në Lisbonë, në një video, pamjet dhe fjalët e Papës me të rinjtë e botës
R.SH. – Vatikan
Zëri i Papës Françesku, që u bën thirrje një milion e gjysmë pjesëmarrësve në Ditën Botërore të Rinisë 2023 të mos kenë frikë nga e ardhmja, fytyrat e shtegtarëve, që shkuan në Lisbonë nga e gjithë bota dhe muzika e himnit "Hà pressa no ar" ([zëri ynë] nxiton në ajër): këto janë elementet karakteristike të videos së sapopublikuar nga Dikasteri vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën në rrjetet zyrtare të Ditës Botërore të Rinisë në internet, për të kujtuar përvjetorin e parë të ngjarjes ndërkombëtare, e cila përfundoi vitin e kaluar, më 6 gusht, në Lisbonë të Portugalisë.
Kardinali Aguiar: "Ne ishim Kisha e gjallë"
“Një vit më vonë - komenton koordinatori i përgjithshëm i DBR-së portugeze, kardinali Americo Manuel Alves Aguiar – e kthej kokën pas dhe mendoj se ia vlejti. Çdo ditë, çdo udhëtim, çdo takim – e ishin me mijëra – çdo kremtim”. Një vit më vonë, si gjithmonë kur përfundon një Ditë Botërore e Rinisë, askush nuk mund të imagjinojë kurrë frytet, që sjell ajo në jetën e shtegtarëve të rinj, të Kishave lokale apo edhe të Kishës universale. Nuk jemi në gjendje të bëjmë llogari të tilla kur flasim për jetën e Zotit në zemrën e njerëzimit. Megjithatë, hap pas hapi, në jetën e zakonshme të Kishës, Hyji punon për t’ua ndryshuar jetën të gjithëve.
“Ia vlejti”, vazhdon kardinali Aguiar, “sepse ne ishim Kisha e gjallë e Zotit tonë. Që këndon, lutet e derdh lot. Që gëzohet, hidhërohet, është plot shpresë dhe besim. Që bashkohet në Jezusin dhe me Jezusin e gjallë. Që mblidhet rreth Bariut dhe gëzohet edhe vetëm kur e sheh duke kaluar. Kisha e gjallë e Zotit tonë, ku jemi të gjithë bij e bija të dashura, të gjithë, të gjithë, të gjithë”.
Në nëntor, kalimi i simboleve të DBR-së nga Lisbona në Seul
Tani, me vështrimin drejt Seulit 2027, duke kaluar nëpër Jubileun e Rinisë të vitit 2025, Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën vazhdon të shoqërojë përgatitjen e Ditës së ardhshme Botërore në nivelin e Kishave të veçanta, që do të kremtohet në Solemnitetin e Krishtit Mbret, të dielën, më 24 nëntor. Me këtë rast, simbolet e Takimit - kryqi prej druri dhe kopja e fugures mariane të Zojës Salus Populi Romani - do të kalojnë nga të rinjtë e Lisbonës tek të rinjtë e Seulit.