Selia e Shenjtë për OSHA-në: dialog dhe pjesëmarrje për të kapërcyer krizën në Venezuelë
R.SH. – Vatikan
“Vetëm dialogu e pjesëmarrja aktive dhe e plotë e të gjithë protagonistëve politikë” do të kontribuojë në kapërcimin e fazës së vështirë, që po kalon Venezuela, duke dëshmuar se ajo është për “bashkëjetesën demokratike”. Vatikani, nëpërmjet imzot Juan Antonio Cruz Serrano, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Organizatën e Shteteve Amerikane (OSHA), ndërhyn në krizën e rëndë, që ka prekur vendin e Amerikës Latine, pas zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut, të cilat, pavarësisht nga denoncimet për parregullsi, konfirmuan në detyrë Nicolás Maduron.
Duke iu referuar mbledhjes urgjente të Sesionit të jashtëzakonshëm të Këshillit të Përhershëm të OSHA-së, i cili hodhi poshtë një rezolutë ku bëhet thirrje për transparencë në Karakas përsa u përket rezultateve të votimit, në ndërhyrjen e tij, më 31 korrik, imzot Serrano nënvizoi mbështetjen e plotë për ipeshkvijtë venezuelianë. Selia e Shenjtë, theksoi Vëzhguesi, "pajtohet me çka u tha nga Konferenca Ipeshkvnore e Venezuelës, e cila vë në dukje vokacionin demokratik të popullit, dëshmuar nga 'pjesëmarrja masive, aktive dhe qytetare e të gjithë venezuelianëve në procesin zgjedhor'" dhe beson se "shfaqja e qëndrimeve dhe e kërkesave të ndryshme" duhet të bëhet, siç thuhet nga ipeshkvijtë e vendit, "me qëndrimet paqësore të respektit dhe të tolerancës, që kanë mbizotëruar deri tani".
Machado bën thirrje për mobilizim
Trazirat, pas publikimit të statistikave të zgjedhjeve presidenciale, - të cilat dekretuan fitoren e presidentit aktual Nicolas Maduro me mbi 51% të votave – vijojnë pa ndërprerje dhe liderja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, për herë të parë që nga votimi, u bëri thirrje përkrahësve të saj të "mobilizohen". Reagimi i koalicionit të përfaqësuar nga sfiduesi i presidencës, Edmundo Gonzalez, erdhi pas vendimit të Këshillit Kombëtar Zgjedhor të Venezuelës për të pezulluar shpalljen e buletinit të dytë me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut dhe për të mos paraqitur procesverbalet zyrtare për numërimin e fletëve të votimit. Numri i viktimave të protestave të shumta, në anë të ndryshme të vendit, ka arritur në 12 vetë, ndërsa prokurori i përgjithshëm i Venezuelës, Tarek William Saab, ka deklaruar ndërkohë se janë arrestuar mbi një mijë persona.
Reagimet ndërkombëtare
Shtetet e G7-ës u kërkuan autoriteteve të Karakasit "të publikojnë me transparencë rezultatet e zgjedhjeve", ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Borrell, bëri thirrje për "t'i dhënë fund represionit" kundër "opozitës". Edhe presidenti brazilian Lula dhe presidenti amerikan Biden kanë rënë dakord ditët e fundit "për nevojën e publikimit të menjëhershëm të procesverbaleve”, duke nënvizuar se “rezultati i zgjedhjeve në Venezuelë është kritik për demokracinë në atë hemisferë".