Vatikani jep sqarime për Portat e Shenjta gjatë Jubileut të vitit 2025
R.SH. – Vatikan
Përpara Jubileut të zakonshëm të vitit 2025, Papa Françesku, në Bulën e Shpalljes, titulluar 'Spes non confundit' (Shpresa nuk zhgënjen), përcaktoi si Portë Shenjte "atë të Bazilikës së Shën Pjetrit dhe të tri bazilikave të tjera papnore”, që janë ato të Shën Gjonit në Lateran, të Shën Marisë së Madhe dhe të Shën Palit Jashtë Mureve. Gjithashtu, Ati i Shenjtë shprehu dëshirën për të hapur personalisht një Portë Shenjte në burg, “për t'u ofruar të burgosurve një shenjë konkrete afërsie".
Kjo ripohohet sot (e enjte, 1 gusht) nga Seksioni i Dikasterit për Ungjillëzimin kushtuar Pyetjeve Themelore lidhur me Ungjillizimin në Botë. Nota e tij sqaron se nuk do të ketë Porta Shenjte, përveçse në Romë. “Duke pasur parasysh fillimin e afërt të Jubileut 2025”, shkruhet në të, “kohët e fundit janë bërë pyetje mbi mundësinë e planifikimit të përgatitjes dhe të hapjes së Portave Shenjte në kishat katedrale, në shenjtëroret kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe në vende të tjera të rëndësishme kulti".
Bazilika e Shën Pjetrit dhe ato papnore
“Lidhur me këtë, duke marrë parasysh me ndjeshmëri arsyet baritore dhe shpirtërore, që mund të kenë sugjeruar një aspiratë të tillë të lavdërueshme”, vazhdon nota, “konsiderohet gjithsesi e nevojshme të kujtohen normat e sakta, përcaktuar nga Ati i Shenjtë në bulën ‘Spes non confundit’”, ku përmenden vendet e Portave të Shenjta për Jubileun e afërt. Në tekst, Dikasteri shfrytëzon rastin të kujtojë se "shenja e veçantë dhe identifikuese e Vitit Jubilar, siç është përcaktuar që në Jubileun e parë të vitit 1300, është ndjesa e plotë, e cila 'synon të shprehë plotësinë e faljes së Zotit, që nuk ka kufi', përmes Sakramentit të Pendesës dhe shenjave të dashurisë dhe shpresës".
Nisur nga kjo, nxiten besimtarët të njihen me “vendet e veçanta dhe me mënyrat e ndryshme të treguara në Dekretin e Pendestarisë Apostolike të 13 majit 2024”, në mënyrë që ta “përjetojnë plotësisht këtë çast hiri hyjnor”.
Si do të zhvillohet Jubileu
Në “Spes non confundit”, Papa Françesku njofton se Viti Jubilar do të fillojë me hapjen e Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit në prag të Krishtlindjes 2024. Dëshmia e parë e këtij riti në Shën Pjetër daton në vitin 1500, gjatë papnisë së Aleksandrit VI.
Më pas, më 29 dhjetor, Papa do të hapë Portën Shenjte të bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, katedralja e Romës. Në të njëjtën ditë, në çdo katedrale dhe konkatedrale në mbarë botën do të kremtohet mesha nga ipeshkvi vendas për të shënuar hapjen e Jubileut.
Në solemnitetin e Marisë, Nënës së Zotit, më 1 janar 2025, Papa Françesku do të hapë Portën Shenjte në bazilikën e Zojës së Madhe, ndërsa ajo në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve do të hapet të dielën, më 5 janar, vigjilja e Epifanisë. "Gjatë vitit," shkruan në bulë Ati i Shenjtë, "duhet bërë çdo përpjekje për t'i mundësuar Popullit të Zotit të marrë pjesë plotësisht në shpalljen e shpresës në Hirin hyjnor".
Më 28 dhjetor 2025, Jubileu do të përfundojë në Kishat e veçanta në të gjithë botën, me Portat e Shenjta të Shën Gjonit në Lateran, të Shën Marisë së Madhe dhe të Shën Palit jashtë Mureve, që do të mbyllen në atë datë. Së fundi, Viti Jubilar do të përfundojë zyrtarisht në Romë, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, më 6 janar 2026.