Kërko

Takimi i Papës me ipeshkvijtë dhe klerin në katedralen e Xhakartës Takimi i Papës me ipeshkvijtë dhe klerin në katedralen e Xhakartës
Editorial

Çka e çon botën përpara

Papa Françesku shpjegon se mëshira "të bën t'i shohësh më mirë të gjitha gjërat". Komenti i fjalës së mbajtur në Takimin e Françeskut me ipeshkvijtë dhe klerin në katedralen e Xhakartës, më 4 shtator 2024

R.SH. - Vatikan

Andrea Tornielli

Çka e "çon përpara" botën? Disa mund të përgjigjen ekonomia, të tjerë lufta e klasave, të tjerë kureshtja ose dëshira për të eksperimentuar, të tjerë akoma, dashuria. Më shumë se tridhjetë vjet më parë në Argjentinë një plakë i pati thënë ipeshkvit Bergoglio se mëshira hyjnore është arkitrau që e mban në këmbë botën! ("nëse Zoti nuk do të falte gjithkënd e gjithçka, bota nuk do të ekzistonte"); sot Françesku tregon se cili është "motori" që e mban atë në lëvizje. Nga katedralja e Xhakartës, Papa shpjegon se çka e çon botën përpara është "bamirësia që jepet" me dhembshuri. E na kujton se dhembshuri nuk do të thotë të japësh ndihmë a lëmoshë për nevojtarët "duke i vështruar me përbuzje", por të përkulesh për të rënë në kontakt të vërtetë me ata që janë poshtë dhe kështu t'i ngresh lart, t'u japësh përsëri shpresë. Do të thotë edhe të rrokësh ëndrrat e dëshirat, ngarkuar me shëlbim e drejtësi për nevojtarët, duke u bërë nxitës dhe bashkëpunëtorë i tyre.

Ka nga ata që kanë frikë nga dhembshuria, vëren më tej Pasardhësi i Pjetrit, "sepse e konsiderojnë ligështi", "ndërsa përkundrazi lartojnë, si të ishte virtyt, dinakërinë e atyre që kujdesen për interesat e veta, duke mbajtur distancën" nga të gjithë, duke mos lejuar të “preken me pupul” nga asgjë dhe askush, e duke menduar se kështu “mund  të jesh më i kthjellët dhe më i lirë në arritjen e qëllimeve”. Por kjo - shpjegon Papa - është "mënyrë e rreme e vlerësimit të realitetit". Sepse "çka e çon botën përpara nuk janë llogaritjet e interesit - të cilat përgjithësisht përfundojnë duke shkatërruar krijimin dhe ndarjen e bashkësive - por bamirësia që dhurohet". Dhembshuria nuk e turbullon vizionin e vërtetë të jetës, përkundrazi, na bën t'i shohim gjërat më mirë, nën dritën e dashurisë.

Jezusi na e dëshmon dhembshurinë në çdo faqe të Ungjillit: nuk qëndron indiferent ndaj realitetit, preket thellësisht, lëndohet nga drama dhe nevoja e atyre që i takon. Ndërsa indiferenca, që vijon gjatë, kthehet në cinizëm, na bën të besojmë se jemi më të lirë, por në realitet na bën dalëngadalë gjithnjë e më pak njerëz.

05 shtator 2024, 15:12