Udhëtimi i paharrueshëm i Papës misionar në skajet e botës
R.SH. – Vatikan
Andrea Tornielli
Në fund të udhëtimit të Papës në Azi dhe Oqeani - më i gjati i papnisë së tij - disa pamje janë të destinuara të mbeten në mendje dhe në zemër. E para është ajo e "tunelit të vëllazërimit", që Françesku bekoi së bashku me imamin e madh të Xhakartës: në një kohë kur tunelet lidhen me imazhet e luftës, terrorizmit, dhunës dhe vdekjes, ky nënkalim, që lidh xhaminë e madhe me katedralen katolike, është shenjë dhe farë shprese. Gjestet e miqësisë dhe të dashurisë, që shkëmbyen Ipeshkvi i Romës dhe Imami, prekën shumë njerëz në Indonezi, vendi më i madh mysliman në botë.
Pamja e dytë është ajo e Françeskut, i cili hipi në një avion të Forcave ushtarake Ajrore Australiane për të shkuar në Vanimo, në veriperëndim të Papua Guinesë së Re, vetëm për t’u bërë një vizitë tre misionarëve me origjinë argjentinase dhe njerëzve të tyre, duke sjellë me vete një tonelatë me ndihma e dhurata. Papa, i cili, kur ishte i ri, ëndërronte të bëhej misionar në Japoni, e dëshironte me gjithë zemër këtë udhëtim në periferinë më të largët të botës, ku u përqafua nga burra dhe gra me kostumet e tyre shumëngjyrëshe. Të jesh misionar do të thotë, para së gjithash, të ndash jetën, problemet dhe shpresat e shumta të këtyre njerëzve, që jetojnë në pasiguri, në një natyrë jashtëzakonisht të pasur. Do të thotë të dëshmosh fytyrën e Zotit, që është butësi dhe dhembshuri.
Pamja e tretë është ajo e presidentit të Republikës së Timorit Lindor, José Manuel Ramos-Horta, i cili në fund të fjalimeve zyrtare në pallatin presidencial në Dili, u përkul për të ndihmuar Papën të vendoste këmbët në karrigen me rrota. Në vendin më katolik në botë, feja është element i fuqishëm identifikues dhe Kisha luajti një rol vendimtar në procesin, që çoi në pavarësinë nga Indonezia.
Imazhi i katërt është ai i përqafimit prekës të Papës me fëmijët me aftësi ndryshe, për të cilët kujdesen murgeshat e shkollës Irmãs Alma: gjeste, shikime, disa fjalë thellësisht ungjillore për të kujtuar se këta fëmijë kanë nevojë për gjithçka, duke i lënë të tjerët të kujdesen për ta e duke na mësuar edhe ne si ta lëshojmë veten në dorën e kujdesshme të Zotit. Përgjigjja e Françekut ishte afërsia dhe përqafimi.
Fotografia e pestë, që mbetet nga ky udhëtim papnor, është ajo e banorëve të Timorit Lindor, që e pritën Papën me orë e orë të tëra, nën diellin përvëlues, në fushën e Taci Tolu. Më se 600 mijë njerëz ishin të pranishëm në meshën e kremtuar atje, praktikisht gjysma e popullsisë timoreze. Françesku u prek nga kjo mirëseardhje dhe nga kjo ngrohtësi e një vendi që, pasi luftoi për të fituar pavarësinë nga Indonezia, po ndërton dalëngadalë të ardhmen. 65 për qind e popullsisë është nën moshën 30 vjeç dhe rrugët, që përshkoi makina e Papës, ishin të mbushura me të rinj e të reja me fëmijë shumë të vegjël. Shpresë për Kishën. Shpresë për botën.
Pamja e gjashtë është ajo e horizontit të Singaporit, ishull-shtet me rrokaqiej shumë të lartë dhe tejet modernë. Një vend i zhvilluar dhe i pasur. Është e pamundur të mos mendohet kontrasti me rrugët plot pluhur të Dilit, që Papa la pas disa orë më parë. Edhe këtu, ku mirëqenia është e dukshme në çdo cep, ku jeta është e organizuar dhe transporti është shumë i shpejtë, Françesku i përqafoi të gjithë dhe u këshilloi rrugën e dashurisë, harmonisë dhe vëllazërimit.
Së fundi, pamja përfundimtare është ajo e vetë Papës. Kishte nga ata, që dyshonin nëse do ta përballonte lodhjen e një udhëtimi kaq të gjatë, në vende me klimë tropikale. Jo vetëm e përballoi, por u bë më mirë: në vend që të lodhej ditë pas dite, ndërsa akumulonte kilometra, udhëtime dhe fluturime, Ati i Shenjtë rifitonte energji. Takoi të rinj nga vende të ndryshme, e la mënjanë tekstin e shkruar dhe duke komunikuar me ta, u rigjallërua në shpirt, por edhe në trup. I ri mes të rinjve, pavarësisht se tashmë po i afrohet 88 vjetëve, të cilat do t’i mbushë në prag të Jubileut.