Ushtrimet shpirtërore sinodale, Nënë Angelini: etja për Zotin është shpirti i lirisë
R.SH. – Vatikan
“Etja për Zotin, burim i fshehtë i dialogëve sinodalë”: kjo ishte tema mbi të cilën u përqendrua motër Maria Ignazia Angelini, rregulltare benediktine e kuvendit të Viboldonit, në Itali, që filloi me këtë reflektim kremtimin e Lavdeve gjatë ushtrimeve shpirtërore kushtuar anëtarëve, delegatëve vëllazërorë dhe të ftuarve të veçantë në sesionin e dytë të asamblesë XVI të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, e cila do të hapet të mërkurën, më 2 tetor. Edhe kardinali Mario Grech, Sekretar i përgjithshëm i Sinodit, u drejtoi një përshëndetje të shkurtër të pranishmëve, duke shprehur vlerësimin për "gëzimin, buzëqeshjen, entuziazmin, pasionin për Jezusin", që ndihej në sallë.
Shpirti ka etje për Zotin
Duke folur kryesisht për Psalmin 41, ("Shpirti im ka etje për Zotin, për Hyjin e gjallë"), motër Angelini theksoi se "ajo etje e fshehtë, etje që s’mund ta përcaktojmë me emër, por që e mbartim brenda nesh" është "shpirti i lirisë, etje që korrespondon me etjen për Zotin”. Kulturat e botës bashkëkohore, shtoi ajo, «ngurrojnë t'i ekspozohen kësaj etjeje, ta integrojnë atë në sistemet e tyre simbolike, s’e kanë të lehtë: janë kaq të prekura nga logjika e biznesit, pushtetit, tregut, fitnesit. Ose nga logjika evazive, që ndjekin ëndrrat e rreme të lirisë”. Etja e vërtetë është ajo për Zotin e gjallë, është "kur banojmë në Ungjill".
Misioni, që i është besuar Kishës, në shkretëtirën bashkëkohore
Motër Angelini i ftoi të pranishmit ta shikojnë kuvendin e ardhshëm sinodal si “vend ku Shpirti Shenjt e shuan etjen, me dëshirën për ta përgatitur Kishën për misionin e mundimshëm, që Zoti i beson në shkretëtirën e sotme”. Kujtesa dhe shpresa, dy, parimet e vëna në dukje nga murgesha: "Kujtesa e së kaluarës së bukur, por tashmë, të arkivuar - tha ajo - duhet të shndërrohet në shpresë të përvuajtur", arsyet e së cilës duhet t'i gjejmë "në Eukaristinë, që na e shuan etjen”.
Madhështia e Jezusit në vogëlsinë e një fëmije
Pastaj, duke parë Shën Jeronimin, festa liturgjike e të cilit kremtohet sot, njeri që shqyrtonte me vëmendje Shkrimin Shenjt, aq sa të shëndërrohej prej tij, motër Angelini u ndal në fragmentin e sotëm të Ungjillit sipas Lukës (Lk 9, 46-50), në të cilin Jezusi nxjerr në pah madhështinë e të qenit i vogël, si fëmijët. Fjala e Zotit, shpjegoi murgesha, është "befasuese" dhe "na e ndryshon pozitën" falë krahasimit me "masën e së vërtetës: të voglin, ose më mirë minimumin" e mishëruar nga Krishti.
Dialog e jo dialogizma
Po sot, pyeti murgesha benediktine, si mund ta identifikojmë "më të voglin"? Pra, fëmijën e pambrojtur, të riun që e ka humbur rrugën, të burgosurin, mërgimtarin, të moshuarin e mbetur vetëm, gruan që s’e dëgjon askush? Përgjigja "vendimtare" është pikërisht në Kishën sinodale, pohoi ajo, dhe në atë "art të dialogut", që vjen nga Fjala e Zotit, alternativë e gjithë dialogizmave, që "pak a shumë me vetëdije i mbajmë në zemrat tona”.
Pa lidhje me Krishtin, misioni është vetëm vullnetariat
Së fundi, motra benedektine analizoi pyetjen në zanafillë të Sinodit: “Si të jemi Kishë sinodale në mision? Si mund të marrë formë konkrete identiteti i Popullit sinodal misionar të Zotit në marrëdhëniet, rrugët dhe vendet ku zhvillohet jeta e Kishës?” Misioni, nënvizoi ajo, duhet të jetë qëndrimi me Jezu Krishtin e zbuluar në një fëmijë, pasi pa këtë lidhje me Të, njeriu bëhet, "më së shumti, një vullnetar i mirë". Duhet të kemi të njëjtën lidhje me Krijimin e Hyjit, pohoi motra, pasi "në Fjalën që u bë njeri" duhet të përfshijmë edhe "jo-fjalët e diellit, të yjeve, të kozmosit". "Yjet nuk janë Zoti, por krijesat e tij - përfundoi ajo - dhe qiejt flasin për lavdinë e Zotit".
Programi i ushtrimeve shpirtërore
Pas reflektimit të motrës Angelini, ushtrimet shpirtërore vijojnë me dy meditime të mbajtura nga ati dominikan Timothy Peter Joseph Radcliffe, i kuvendit të Oksfordit. Në mbrëmje, kremtimi i meshës në altarin e Katedrës së bazilikës së Vatikanit. Ushtrimet shpirtërore do të përfundojnë nesër paradite, më 1 tetor, ndërsa pasdite, në orën 16.00, në sallën Pali VI do të mblidhen grupet e punës sipas metodës "bisedë në Shpirtin Shenjt". Në orën 18.00 do të kremtohet një lutje pendestare në Bazilikën e Shën Pjetrit, në praninë e Papës Françesku.