2024.10.19 dialogo con universitari sinodo 2024.10.19 dialogo con universitari sinodo

Drejtuesit e sinodit u përgjigjen pyetjeve të studentëve universitarë

Në orët e vona të pasdites së djeshme, 18 tetor, mbi njëqind të rinj nga Shtetet e Bashkuara u mblodhën në Sallën Pali VI për të diskutuar me kardinajtë Grech dhe Hollerich, me motrën Salazar, kancelare e dioqezës së Shën Bernardinit dhe ipeshkvin Flores të dioqezës Brownsville, të cilët i pyetën se si duhet jetuar rruga sinodale në botën e sotme

R.SH. / Vatikan

Rreth 140 studentë universitarë, kryesisht nga Amerika e Veriut, u mblodhën dje pasdite, 18 tetor, në sallën Pali VI, në Vatikan, për të diskutuar me Sekretarinë e Sinodit. Gjatë aktivitetit të titulluar “Studentët e universitetit në dialog me drejtuesit e Sinodit”, disa të rinj bënë një sërë pyetjesh, të cilave iu përgjigjën Kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, Kardinali Jean-Claude Hollerich, relator i Sinodit, Motra Leticia Salazar, kancelare e Dioqezës së San Bernardinos dhe ipeshkvi Daniel Flores i Dioqezës së Brownsville në Teksasin e Jugut. Vendosja e tryezës së rrumbullakët, e cila pasqyronte atë të seancës së dytë në vazhdim të Sinodit mbi Sinodalitetin e Kishës, simbolizonte vizionin e Papës Françesku për një Kishë që ecën së bashku në një shtegtim dëgjimi dhe përkushtimi.

Përballimi i sfidës së të dëgjuarit

Pyetja e parë erdhi nga Asia Chan, studente nga Trinidad dhe Tobago, e cila theksoi vështirësinë për të shprehur besimin e saj në një kulturë tjetër dhe pyeti se si Kisha mund të përmirësojë konsultimet e ardhshme për të siguruar që të dëgjohen më shumë zëra. Kardinali Grech, duke pranuar sfidën dhe duke kujtuar se procesi aktual i sinodit i Kishës është i pashoq në shtrirjen e tij, vuri në dukje se, ndërsa ka ende vend për përmirësim, ky sinod përfshiu shumë më tepër njerëz se sa të mëparshmit. "Gjatë sinodit për familjen - tha ai - morën pjesë vetëm 80 nga 114 konferencat ipeshkvnore. Këtë herë 112 nga 114 paraqitën raportin e tyre: “kjo do të thotë se një pjesë e mirë e njerëzve u dëgjuan". Kardinali gjithashtu vuri në dukje se këtë herë më shumë se 20 mijë njerëz morën pjesë në një platformë dixhitale, kështu që "pjesëmarrja, shumë e mirë, premton të jetë edhe më e mirë në të ardhmen". “Dëgjimi është themelor”, vazhdoi ai, duke nënvizuar rëndësinë e dëgjimit jo vetëm të opinioneve, por edhe të drejtimit të Shpirtit Shenjt, në një proces që “do ta ndihmojë Kishën të bëhet më sinodale, duke krijuar një kulturë të rrënjosur takimi në dëgjimin si të Zotit, ashtu edhe të tjerëve”.

Përfshirja e të rinjve në rrugë të përbashkëta   

Alexandra, studente venezueliane, e rritur në Lindjen e Mesme, pyeti pse të rinjtë që nuk përfshihen në Kishë, duhet të kujdesen për sinodalitetin dhe sesi Kisha mund të krijojë hapësira për ata, që ndihen të lënduar. Kardinali Hollerich vuri në dukje se sa e rëndësishme është t’i dëgjosh njerëzit, mendimet e tyre, në botën e sotme të polarizuar. Ai theksoi gjithashtu përplasjen e mendimeve që karakterizon aktualisht Shtetet e Bashkuara dhe vuri në dukje se "polarizimi është mënyrë e të menduarit shumë larg sinodalitetit, siç është bota dixhitale, ku ju ndiqni vetëm njerëzit që kanë të njëjtat mendime si ju dhe, nëse nuk pajtoheni, bëheni shumë opozitar”. Por, vazhdoi ai, "një njeri me mendime të ndryshme nuk është armik, ne jemi pjesë e të njëjtit njerëzim. Duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkëta"; në Kishë është më e lehtë, sepse jemi motra dhe vëllezër; kemi të njëjtin Pagëzim. "Unë mendoj se bota mund të mësojë nga kjo" - theksoi - dhe do të ishte mirë nëse ne do të mund të bashkëpunonim me besimet dhe fetë e tjera, për të diskutuar në vëllazëri globale problemet e mëdha të botës sonë", pasi sinodaliteti ofron mënyrën për t'u bashkuar njerëzit, duke njohur natyrën e tyre të përbashkët njerëzore. Bota - vijoi kardinali Hollerich, mund të mësojë nga qëndrimi i Kishës ndaj sinodalitetit, veçanërisht në krijimin e hapësirave për dialog të respektueshëm, që trajton çështje globale si paqja, drejtësia dhe ekologjia.

Besnikëria ndaj traditës, mes ndryshimeve sinodale

Sondra, studente nga San Françisko, solli në sallë shqetësimet mbi ndikimin e përvojës së procesit të sinodit mbi besnikërinë ndaj traditës dhe të vërtetës. Ipeshkvi Flores u përgjigj duke e siguruar se sinodaliteti nuk e dëmton misionin e Kishës për të shpallur Ungjillin. Duke pranuar se dëgjimi i atyre që kanë mendime të ndryshme është sfidë, vuri në dukje se sa themelor është dëgjimi për të kuptuar realitetet me të cilat ballafaqohen njerëzit. Flores shpjegoi më tej se Kisha ka qenë gjithmonë institucion "i çrregullt", por edhe se është Shpirti Shenjt e mban të bashkuar. Procesi i sinodit, reflektoi ai, ndihmon në thellimin e të kuptuarit, pa cenuar mësimet themelore të Kishës.

Kalimi nga diskutimi, në veprim

Jozefi, student i Nju Orleanit, i përfshirë në shërbimin e rinisë, pyeti se si sinodi mund t'i kthejë diskutimet, në veprime konkrete. Motra Leticia Salazar specifikoi se cila është natyra transformuese e procesit sinodal, duke kujtuar ftesën e Shën Injacit të Lojolës për ta jetuar Shkrimin Shenjt sikur dikush të ishte i pranishëm në skenë. Të ulesh në tryezat e pjesëmarrësve të sinodit, pranoi ajo, është përvojë e fuqishme që nxit bashkimin dhe transformimin. Motra Leticia uroi që studentët ta çojnë këtë përvojë në bashkësitë e tyre, duke e bërë sinodalitetin realitet të jetuar e duke kujtuar se procesi nuk është thjesht teorik, por mënyrë për të dalluar dhe për të ndërtuar së bashku, si Kishë. "Çfarë do të ndodhë pas kësaj periudhe? Do të vazhdojë, në San Bernardino dhe, me shpresë, në të gjithë Kishën", shpreson murgesha. "Është një mënyrë për ta gjetur Jezusin në njëri-tjetrin, nuk është ide: është të ndërtojmë së bashku dhe të dallojmë vullnetin e Zotit së bashku". Në këtë çast polarizimi - vazhdoi motra Leticia - "sinodaliteti ka një mënyrë të butë për të shpallur Lajmin e Mirë, me shumë respekt". "Unë shpresoj që ju të vini këtu nga Shtetet e Bashkuara", përfundoi ajo, "E bukura është se ne nuk jemi vetëm. Papa Françesku nuk e kryen i vetëm misionin e tij; ai ka thirrur të gjithë Kishën që ta bëjë atë me të. Ta bëje realitet!".

Sinodaliteti, në formimin teologjik dhe ministror

Fabio nga El Salvadori, studiues teologjik, pyeti se si seminaret dhe shkollat ​​teologjike mund të promovojnë sinodalitetin. Ipeshkvi Flores u përgjigj duke inkurajuar teologët dhe seminaristët të angazhohen me realitetet e njerëzve me të cilët lidhen. Më pas nënvizoi rëndësinë e lënies së mjediseve akademike, për të përjetuar jetën e atyre që janë në mjerim. Kardinali Grech shtoi se seminaret dhe programet teologjike duhet të rivlerësohen përmes një lenteje sinodale dhe i ftoi studentët e teologët të kontribuojnë në këtë bisedë, duke theksuar se sinodaliteti duhet të përshkojë çdo nivel të formimit të Kishës.

Dialogu ndërfetar dhe sinodaliteti global

Mika nga Cincinnati bëri pyetjen e gjashtë dhe të fundit. Pyeti se si Kisha mund të mbështesë laikët në promovimin e dialogut ndërfetar dhe çfarë mësimesh mund të japë sinodaliteti nga traditat e tjera të fesë. Kardinali Hollerich reflektoi mbi përvojën e tij në Japoni, ku mësoi studentë të feve të ndryshme dhe përshkroi si ky takim e ndihmoi të kuptonte se Zoti është tashmë i pranishëm në të gjitha kulturat dhe fetë. Kardinali theksoi që sinodaliteti mund t'i mësojë botës se feja nuk duhet të jetë burim konflikti, por rrugë drejt vëllazërisë më të madhe, që e nxit Kishën të veprojë së bashku me traditat e tjera të feve për të përballuar sfidat globale - të tilla si drejtësia sociale dhe ekologjike - si vëllezër e motra të bashkuar nga një mision i përbashkët. "Duhet të tregojmë se nuk flasim vetëm, duhet të veprojmë së bashku, të takohemi dhe të rritemi në respekt, dashuri dhe miqësi dhe të veprojmë për të mirën e njerëzimit. Kjo është pjesë e misionit tonë, siç është edhe shpallja e Zotit", theksoi ai.

Një mozaik lutjesh dhe pyetjesh

Në fund të takimit, studentët paraqitën një vepër arti: një mozaik që simbolizon lutjet dhe pyetjet që u bënë gjatë qëndrimit të tyre në Romë. Çdo pjesëmarrës i veprës u ftua të kontribuonte me një lutje, simbol i shpresës kolektive për një Kishë më sinodale, gjithëpërfshirëse, në dëgjim!

19 tetor 2024, 12:16