Kërko

Imzot Giuseppe Yang Yongqiang, ipeshkëv i Hangzhou, me Papën Françesku Imzot Giuseppe Yang Yongqiang, ipeshkëv i Hangzhou, me Papën Françesku

Ipeshkvijtë kinezë në Sinod: jemi në bashkim me Kishën universale

Imzot Jozef Yang Yongqiang dhe imzot Vinçenc Zhan Silu përshëndetën delegatët në Sinodin e Ipeshkvijve, që vijon në Vatikan

R.SH. – Vatikan

Andrea Tornielli

 “Kisha në Kinë është e njëjtë me Kishën Katolike në vendet e tjera të botës: i përkasim së njëjtës fe, kemi të njëjtin pagëzim dhe të gjithë jemi besnikë ndaj Kishës së vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike”. Me këto fjalë, përshëndeti Sinodin ditët e fundit, imzot Jozef Yang Yongqiang, ipeshkëv i Hangzhou, kryeqyteti i provincës kineze të Zhejiang. Ai është një nga dy barinjtë kishtarë të Kinës kontinentale të pranishëm në punimet e ipeshkvijve në Vatikan. Bashkë me të, edhe imzot Vinçenc Zhan Silu, ipeshkëv i Funing/Mindong, në provincën bregdetare të Fujian.

Është hera e tretë që dy ipeshkvij të Republikës Popullore të Kinës marrin pjesë në Sinod: më parë, përfaqësues kinezë kanë ardhur në vitin 2018, për Sinodin e Rinisë dhe në vitin 2023, për sesionin e parë të Sinodit për sinodalitetin. Para nënshkrimit të marrëveshjes së përkohshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe qeverisë kineze, në shtator 2018, asnjë klerik nga Kina kontinentale nuk mundi të merrte pjesë në Koncilin II Ekumenik të Vatikanit dhe në Sinodet e ipeshkvijve, që pasuan.

Ipeshkvi Yang Yongqiang, pasi kujtoi këto pjesëmarrje në bashkim me Kishën universale, shpjegoi: "Ndjekim frymën ungjillore të "Të jemi gjithçka për të gjithë njerëzit", i përshtatemi në mënyrë aktive shoqërisë, i shërbejmë asaj, i përmbahemi drejtimit të përshtatjes së katolicizmit në kulturën kineze dhe predikojmë Lajmin e Mirë. Kisha Katolike në Kinë ka filluar një shkëmbim aktiv vizitash me bashkësitë katolike në mbarë botën, bazuar në parimet e barazisë, miqësisë dhe respektit të ndërsjellë. Realizojmë takime për tema si ungjillëzimi dhe kujdesi baritor në Kishë, shërbimet sociale dhe studimi i teologjisë; marrim pjesë aktive në takimet ndërkombëtare dhe në lutjet e feve për paqen; përpiqemi të jemi si “drita dhe kripa” për paqen botërore dhe për promovimin e një bashkësie, në të cilën njerëzimi mund ta gëzojë fatin e përbashkët; së fundi, promovojmë zhvillimin me lloje të ndryshme projektesh". Ipeshkvi përfundoi me ftesën për bashkësitë katolike dhe grupet fetare nga të gjitha vendet për të vizituar Kishën në Kinë.

Përshëndetja e ipeshkvit Zhan Silu u përqendrua më shumë në historinë e krishterimit në Kinë, duke kujtuar figurën e jezuitit Matteo Ricci dhe "eksperimentin" e tij për "ta moduluar Ungjillin e Jezu Krishtit në praktika të ndryshme të jetës njerëzore". Megjithatë, shtoi ai, më vonë, “dallimi ndërmjet ndryshimeve kulturore dhe nevojës për të ruajtur vërtetësinë e fesë së krishterë ka qenë burim konfuzioni për misionarët në Kinë. Ky konfuzion çoi në polemikat e njohura për ritet, që u ndezën pikërisht në dioqezën time, në Mindong. Nga një këndvështrim historik, një nga arsyet për këtë pengesë ishte se Kisha nuk i mori parasysh dallimet dhe faktin që kulturat njerëzore plotësojnë njëra-tjetrën”.

“Të jesh një Kishë sinodale e përqendruar në misionin ungjillëzues – theksoi imzot Zhan Silu – do të thotë të respektosh dhe të dëgjosh zërat e historive, kulturave dhe traditave të ndryshme në udhën për të kërkuar horizontin përfundimtar të njerëzimit, që është Zoti”. Ndër çështjet që Kisha Kineze duhet t'i trajtojë me sy të ri, përfundoi ipeshkvi, janë «sfidat e martesave të përziera për edukimin familjar; ose mënyra e përshtatjes me ligjet dhe rregulloret lokale; ose zgjidhja e konfuzionit ndërmjet besimeve popullore dhe disa aspekteve të kulturës tradicionale, që ekziston në mesin e laikëve. Në këto kohë të reja, Kishës i është besuar një detyrë e re shoshitjeje, megjithëse zëri i Shpirtit Shenjt është gjithmonë i butë dhe i vështirë për t'u dalluar. Pikërisht për këtë arsye, të mësojmë me përvujtëri nga përvoja historike dhe aktuale është mënyrë e rëndësishme për të ungjillëzuar, pra, për të dalluar rrugën e re, që Zoti i tregon Kishës”.

17 tetor 2024, 15:01