Kardinali Grech: përgatitet faza vendimtare e Sinodit të Ipeshkvijve
R.SH. - Vatikan
Filloi sot java e katërt dhe e fundit e Sinodit të Ipeshkvijve mbi sinodalitetin në Vatikan, i cili vijon me etapa që nga viti 2021. Në fund të saj, do të bëhet i njohur dokumenti përfundimtar, për të cilin kanë filluar tashmë përgatitjet. Sot paradite, Relatori i Përgjithshëm i Sinodit kremtoi meshën e Shpirtit Shenjt në bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë së cilës bëri thirrje për unitet dhe guxim. "Kemi arritur në fazën përfundimtare të punës së asamblesë sonë sinodale, e cila po korr frytet e një rrugëtimi të gjatë, që filloi në tetor 2021", pohoi kardinali Mario Grech. Njëkohësisht, ai vuri në dukje rrezikun e përçarjes, nga njëra anë e, të vetëkënaqësisë, nga ana tjetër. Duhet “të korrim frytet e rrugës sinodale dhe të asamblesë sonë, pa u përçarë, por duke kërkuar bashkimin”, theksoi kardinali maltez. Procesi sinodal ndihmoi "për të parë dhuratat, që lulëzojnë në popullin e Zotit sot". Tani, këto "fryte të pasura" duhet të shtohen e të "mbillen, pra, të investohen sërish" e jo të magazinohen për t’i mbajtur në siguri.
Të korrat e arritura përmes procesit të reformës nuk janë vendmbërritja e tij, por mund të jenë pikënisja e një procesi të ri, pohoi prelati. Të shtunën, pas gati katër javësh diskutime, asambleja do të votojë për një dokument përfundimtar me sugjerime për Papën. Ati i Shenjtë do të vendosë se cilin nga rezultatet do të përfshijë në të ashtuquajturën Letrën e tij post-sinodale. Mos qëndroni brenda kufijve të njohur, i paralajmëroi Grech anëtarët e Sinodit, duke folur si kundër amullisë, ashtu edhe kundër vetëkënaqësisë pa bazë. “Edhe ne ka rrezik të mbetemi brenda kufijve, që i njohim mirë. Edhe ne ka rrezik të jetojmë, duke u kënaqur me ç’kemi bërë më parë”, vërejti kardinali. “Por kuptimi i të vërtetave dhe vendimet baritore vazhdojnë, duke u përforcuar me kalimin e viteve, duke u zhvilluar me kalimin e kohës, duke u thelluar me moshën”, inkurajoi Grech.
Në fund të fundit, vetëm Shpirti Shenjt mund të na lejojë të punojmë në mënyrë që të mbetemi të hapur për risitë e Zotit. Papa Françesku theksoi në tetor 2021 se Sinodi nuk është as parlament, as "sondazh opinioni". Protagonist i Sinodit është Shpirti Shenjt, citoi kardinali. Prandaj, pjesëmarrësit në Sinod duhet të jenë “në dialog” me Shpirtin Shenjt dhe të presin shenjën e ndërhyrjes së Tij. “Nëse e dëgjojmë zërin e Shpirtit, përfundimi i kësaj asambleje sinodale nuk do të jetë fundi i asgjëje, por një fillim i ri në mënyrë që Fjala e Hyjit të përhapet dhe të lëvdohet”, shpjegoi Grech.