Nga Sinodi, ndihmë për popullsinë e Gazës
R.SH. – Vatikan
Ditë lutjeje, agjërimi, por edhe lëmoshe për pjesëmarrësit në Sinod, të thirrur sot për të bërë një gjest konkret bamirësie për popullsinë e Gazës. Kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtar papnor, foli sot paradite pas relatorit të përgjithshëm, kardinalit Jean-Claude Hollerich, në hapjen e punimeve të Kongregacionit të katërt dhe njoftoi se po në këtë ditë, 7 tetor, që Papa kërkoi t’i kushtohet pendesës dhe lutjes, ai do të promovonte mbledhjen e lëmoshëve, pasdite. E kështu bëri.
Me një shportë jashtë Sallës Pali VI
Pasdite, pra, "don Corrado" (siç njihet në Romë), para se të fillonte sesioni sinodal i grupeve të vogla, ndenji me një shportë “të stërmadhe” përpara derës qendrore të hyrjes në Sallën Pali VI, për të mbledhur lëmoshët, që më pas do të dërgohen drejtpërdrejt në Rripin e Gazës, te famullitari i kishës së Familjes Shenjte, Át Gabriel Romanelli, të cilit i telefonon çdo ditë Papa Françesku për të marrë vesh lajmet e fundit e për të mbështetur komunitetin, që është mbledhur dhe jeton rreth kishës (të krishterë, myslimanë dhe hebrenj së bashku). Në notën e rastit, drejtuar ipeshkvijve të Sinodit, shkruhej: “Lëmoshtari na kërkon të përgatitemi mirë!”
Të bashkuar në lutje dhe agjërim
“Ati i Shenjtë – lexohet në një deklaratë të Lëmoshtarisë Apostolike – na kërkoi që sot të jemi veçanërisht të bashkuar në lutje dhe duke u lutur, të agjërojmë e të përgjërohemi për paqen në mbarë botën. Por lutja dhe agjërimi nuk mund të bëhen pa lëmoshë, e cila duhet të na bëjë të vuajmë, madje duhet të na lëndojë, sepse ne heqim dorë nga ajo që na takon, për t'ua dhënë të tjerëve, që janë në vështirësi apo edhe në rrezik të vdesin".