Papa viziton Universitetin Gregoriana më 5 nëntor për Dies Academicus
R.SH. / Vatikan
Paraditen e së martës së 5 nëntorit të ardhshëm, me rastin e Dies Academicus, Universiteti Papnor Gregorian do të ketë gëzimin të mirëpresë Papa Françeskun për të dëgjuar fjalët e tij. Takimi do të nis me përshëndetjen e At Arturo Sosa S.J., Epror i përgjithshëm i Etërve Jezuit dhe zv/kancelar i madh i Gregorianit, dhe nga rektori At Mark A. Lewis S.J. Programi do të mbyllet me dhënien e disa Çmimeve akademike për tre misionet e Universitetit.
Më i vjetri ndër universitetet papnore
Universiteti Papnor Gregorian është më i vjetri nga universitetet papnore romake. Origjina daton me iniciativën e drejtpërdrejtë të Shën Ijnacit të Loyolës, themeluesit të Shoqërisë së Jezusit, i cili në vitin 1551 hodhi themelet e Kolegjit Romak, i njohur gjithashtu si "Universitas omnium Nationum", në shërbim të Kishës universale. Në 1873 Papa Piu IX vendosi që universiteti të merrte zyrtarisht emrin e ri të Universitetit Papnor Gregorian. Në vitin 1930 u inaugurua selia e re dhe aktuale në Piazza della Pilotta, në Romë.
Duke filluar nga data 19 maj 2024, dy institucione të tjera që i janë besuar Shoqërisë së Jezusit - Instituti Biblik Papnor dhe Instituti Papnor Oriental - janë inkorporuar përfundimisht në Universitetin Gregorian, siç kërkoi Papa Françesku. Instituti Biblik Papnor, i themeluar në vitin 1909 nga Papa Piu X, është një qendër e studimeve të specializuara mbi Shkrimet e Shenjte dhe shkencat që kanë të bëjnë me Biblën dhe Instituti Papnor Oriental, i themeluar në vitin 1917 nga Papa Benedikti XV, është një institut i lartë për kërkime e studime mbi Lindjen e Krishterë me misionin specifik të shërbimit ndaj Kishave Lindore.
Rektori: Vizita e Papës kremton një moment historik në historinë tonë
"Kjo vizitë e Papa Françeskut kremton një moment historik në historinë tonë", shpjegon Rektori At Mark Lewis S.J. "Tri misionet e Universitetit – me përfshirjen e Institutit Biblik dhe Oriental në misionin origjinal të Gregorianit – krijojnë sinergji të reja dhe na hapin horizonte të reja. Jemi të lumtur të mirëpresim Atin e Shenjtë në këtë moment historik".
Rreth 3 mijë studentë
Deri më sot, Universiteti Papnor Gregorian ka 2952 studentë të 121 kombësive të ndryshme. Nëpërmjet gjashtëmbëdhjetë njësive të tij akademike - të cilat gërmojnë në disiplina të tilla si teologjia, filozofia, shkencat kishtare orientale, e drejta kanonike e Kishës, studimet mbi Lindjen e Afërt të lashtë, arkeologjinë biblike, shkencat sociale, historinë dhe trashëgiminë kulturore të Kishës, psikologjinë, antropologjinë dhe mbrojtjen, studime judaike, studime ndërfetare – Gregoriani ofron një gamë të gjerë dhe të pasur akademike që përqafon si traditat e Kishës Latine ashtu edhe ato të Kishave Lindore.