Propozimi i kardinalit Fernandez: konfrontim mbi rolin e grave në Kishë
R.SH. – Vatikan
Sinodi i Ipeshkvijve në Vatikan i kushtoi sot disa minuta lutjes dhe kujtimit të atë Marcelo Pérez Pérez, meshtarit meksikan, që u vra më 20 tetor në Chiappas. “Dha jetën për më të varfrit”, theksoi motra María de los Dolores Palencia Gómez, murgeshë e Kongregatës së Bijave të Shën Jozefit, pjesëmarrëse në Sinod, duke kujtuar figurën e rregulltarit.
Ndërkaq, të enjten e ardhshme, më 24 tetor, në orën 16.30, kardinali Victor Manuel Fernández, prefekt i Dikasterit vatikanas për Doktrinën e Fesë, do të takojë ata, që dëshirojnë të paraqesin "ide mbi rolin e gruas në Kishë", edhe përsa i përket diakonatit të përhershëm, në veçanti për “diakonatin femëror”, siç deklaroi ai vetë në Sinod. “Ati i Shenjtë – njoftoi kardinali - më konfirmoi se Komisioni i kryesuar nga kardinali Giuseppe Petrocchi do të vazhdojë të jetë aktiv. Anëtarët e Sinodit që dëshirojnë – qoftë individualisht ose në grup - mund t’i dërgojnë atij Komisioni konsiderata, propozime, nene, ose shqetësime”.
Më tej, kardinali shpjegoi se "Grupi 5" koordinohet nga sekretari i seksionit doktrinor të Dikasterit për Doktrinën e Fesë. “E dimë se Ati i Shenjtë ka thënë se, në këtë moment, çështja e diakonatit femëror nuk ka arritur maturinë e vet dhe ka kërkuar të mos e diskutojmë tani këtë mundësi”, nënvizoi kardinali. “Komisioni i studimit ka arritur përfundime të pjesshme, që do t’i publikojmë në kohën e duhur, por do të vazhdojë punën”. “Ati i Shenjtë – shpjegoi kardinali - është shumë i shqetësuar për rolin e gruas në Kishë dhe, edhe përpara se ta kërkonte Sinodi, i dha si detyrë Dikasterit për Doktrinën e Fesë që të shikonte mundësitë e zhvillimit të tij, pa u përqëndruar në shugurimin”.
Në fakt, tha kardinali, "të mendojmë diakonatin vetëm për disa gra nuk e zgjidh çështjen e miliona grave në Kishë". Nga ana tjetër, “nuk kemi bërë ende disa hapa, që mund t’i bëjmë”. Për shembull, "kur u krijua shërbesa e re e katekistit, Dikasteri për Kultin hyjnor u dërgoi një letër Konferencave Ipeshkvnore", duke propozuar edhe "çfarë thotë Papa në ‘Querida Amazonia’ për katekistet, që mbështesin bashkësitë në mungesë të meshtarëve". Por vetëm shumë pak Konferenca Ipeshkvnore e kanë zbatuar atë. Për më tepër, vazhdoi kardinali Fernández, "akoliteti për gratë është zbatuar në një përqindje të vogël dhe shpesh, janë meshtarët ata, që nuk duan t'ua paraqesin gratë ipeshkvit për këtë shërbesë".
Për kardinalin, pra, "nxitimi për të kërkuar shugurimin e diakoneve nuk është përgjigja më e rëndësishme për promovimin e grave sot". Dhe, theksoi ai, "për t'i dhënë përmbajtje reflektimit, kërkova që dëshmitë e grave, vërtet në krye të bashkësive, ose me role të rëndësishme e me autoritet, të dërgohen në Dikasterin tim". Në fund, kërkoi ai, "veçanërisht gratë e këtij Sinodi, të ndihmojnë për të kuptuar, për të shpjeguar dhe për të dërguar në Dikaster propozime të ndryshme për mënyrat e mundshme të pjesëmarrjes së grave në udhëheqjen e Kishës".