Sinodi i Ipeshkvijve Sinodi i Ipeshkvijve

Sinodi propozon një asamble kishtare të Mesdheut për dëgjimin e migrantëve

Ndër temat e punimeve të Sinodit, vëmendja ndaj të rinjve dhe personave me aftësi ndryshe, emigrantët, lidhja më e madhe ndërmjet Kuries Romake dhe bashkësive lokale. Më 28 tetor, teologët dhe ekspertët e Sinodit do të mblidhen në Universitetin Gregorian në Romë për të folur mbi kushtetutën apostolike “Lumen Gentium”

R.SH. – Vatikan

 “Vendet e sinodalitetit” nuk janë hapësira të mbrojtura apo institucionale, por janë “udhëkryqe me erë ku fryn Shpirti Shenjt”. Për këtë arsye, Sinodi i Ipeshkvijve, që vijon në Vatikan, propozoi "një asamble kishtare të Mesdheut për të dëgjuar zërat e emigrantëve". Ipeshkvijtë shprehën mirënjohjen për gjithçka po bëjnë Kishat për t'i mirëpritur dhe për t’u siguruar struktura ku të strehohen.

U kërkua një rol i ri për famullitë, përfshirja më e drejtpërdrejtë e të rinjve dhe më tepër vëmendje për njerëzit me aftësi ndryshe me krijimin e një këshilli ad hoc. Çështje të tjera ishin ajo e “rrjeteve virtuale”, si Talitha Kum dhe mënyra e lidhjes së tyre me Konferencat Ipeshkvnore; propozimi i një platforme të përbashkët për nxënësit e feve të ndryshme, që ndjekin shkollat ​​katolike. Pikërisht sot, kardinajtë Jean-Claude Hollerich dhe Mario Grech, motra Leticia Salazar dhe ipeshkvi Daniel Flores u takuan me disa studentë universitarë për të diskutuar mbi temat sinodale.

Përsa i përket çështjes vendimtare të marrëdhënieve ndërmjet sinodalitetit dhe primatit pjetrin, u fol në dy forumet e fundit, që u mbajtën më 16 tetor në Romë. U kërkua sqarimi i mëtejshëm i statutit teologjik të Konferencave Ipeshkvnore dhe u propozua një konsultim më i madh me Kishat lokale gjatë përgatitjes së dokumenteve, përfshirë këshillimin me Kurien Romake. Ata që punojnë në Dikastere, u tha në Sinod, duhet t’i vizitojnë më shpesh bashkësitë e vogla dhe dioqezat e ndryshme, për të pasur parasysh rezultatet e zbatimit të punës së tyre.

Në Sinod po flitet  edhe për mundësinë e një shërbese të veçantë për dëgjimin, por po priten propozime nga grupet e vogla të punës. Disa duan një shërbesë të shuguruar e disa jo, por sigurisht, të gjithë janë dakord se karizma e dëgjimit nuk mund të jetë kurrë ekskluzive vetëm për disa. Dëgjimi është më se i nevojshëm në shoqërinë e sotme, ku të gjithë duan të flasin, por askush nuk dëgjon më.

Ndërkaq, u njoftua se më 28 tetor, teologët dhe ekspertët e Sinodit do të mblidhen në Universitetin Gregorian në Romë për të folur mbi kushtetutën apostolike “Lumen Gentium”. “Nga Koncili te Sinodi. Interpretimi i rrugëtimit të Kishës, 60 vjet pas Lumen Gentium (1964-2024)”: kjo do të jetë tema e reflektimit të parë teologjik, pasi të përfundojë, më 27 tetor, sesioni i dytë i Asamblesë së Sinodit mbi sinodalitetin. Takimi do të jetë i hapur për publikun.

18 tetor 2024, 15:00