Sinodo dei Vescovi - XVI Congregazione Generale Sinodo dei Vescovi - XVI Congregazione Generale

Të rrënjosur e shtegtarë për të shpallur Ungjillin

Dokumenti përfundimtar i Sinodit për sinodalitetin, hap konkret për zbatimin e plotë të Koncilit

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

Dokumenti i votuar sot nga Sinodi është faza e një rrugëtimi, që nisi me Koncilin II të Vatikanit, i cili vazhdon dhe kërkon të jetohet konkretisht në çdo nivel ndër Kisha. Është vetëdija se sinodaliteti përfaqëson mënyrën e të jetuarit dhe të dëshmimit të bashkimit. Kisha nuk është shoqëri, as parti; ipeshkvijtë nuk janë "prefektët" e Romës, laikët nuk janë ekzekutuesit e thjeshtë të vendimeve dhe direktivave klerikale. Kisha është popull. Popull i Zotit, që ecën së bashku: arsyeja e ekzistencës së tij nuk konsiston në drejtimin e strukturave, burokracive apo pushteteve. Nuk bëhet fjalë as për të pushtuar e për të mbrojtur hapësirën tuaj në botë. Arsyeja e vetme e ekzistencës së saj është të bëjë të mundur takimin me Krishtin sot, në çdo vend ku gratë dhe burrat e kohës sonë jetojnë, punojnë, gëzohen, vuajnë.

Është një mënyrë absolutisht e veçantë dhe ungjillore për të jetuar marrëdhënie dhe lidhje. Një mënyrë e përqendruar tek shërbimi, siç na mësoi Jezusi. Ekziston një mënyrë konkrete e vendimmarrjes, e planifikimit, e veprimit që tashmë është dëshmi më vete, sidomos në një kohë si kjo e jona, plot me përçarje, urrejtje, dhunë dhe shpërdorime.

Prandaj, të jetosh sinodalitetin do të thotë të hedhësh një hap drejt zbatimit të plotë të Koncilit. Do të thotë të marrësh seriozisht origjinalitetin - në kuptimin e rrënjosjes në origjinë - të qenies Kishë: bashkësi ku ka një vend për të gjithë dhe ku të gjithë vlerësohen, komunitet mëkatarësh të falur, që provojnë dashurinë dhe dëshirën për Zotin e dëshirojnë t’ia çojnë të gjithëve.

Sinodi për sinodalitetin, me perspektivat e tij, kërkon shumë nga të gjithë. Kërkon të ndryshojnë mendësi. Kërkon që sinodaliteti të mos konsiderohet si detyrë burokratike për t'u zbatuar në mënyrë paternaliste me disa reforma të vogla kozmetike. Kërkon ta rizbulojmë dëshirën për të ecur së bashku si mënyrë e dëshiruar dhe jo e detyruar, me të gjitha pasojat që sjell. Na kërkon të heqim ankorimet tona dhe të guxojmë, me sigurinë se është Zoti që e udhëheq Kishën e tij nëpërmjet dhuratës së Shpirtit Shenjt. Ai kërkon të rimendohet shërbimi i autoritetit, duke përfshirë atë të Pasardhësit të Pjetrit. E bën thirrje për një rol më të madh të përgjegjësisë për laikët dhe në veçanti për gratë.

Është figurë e një Kishe, anëtarët e së cilës janë të rrënjosur - në një vend, në një histori, në një bashkësi, në një kontekst - e në të njëjtën kohë, shtegtarë, domethënë në shtegtim, në lëvizje, në kërkim, misionarë. Strukturat kishtare, në këtë këndvështrim të ri, nuk përfaqësojnë më vendin drejt të cilit duhet të konvergojnë laikët, por mbështetje për shërbimin që kryen populli i Zotit në botë. Horizonti i tekstit, të cilin Papa Françesku donte menjëherë t'ia dorëzonte të gjithë Kishës, është misioni, sipas skicës së vendosur nga nxitja Evangelii gaudium, për të siguruar që "Kisha në dalje" të mos mbetet një intuitë, ose të reduktohet vetëm në një slogan, por të realizohet plotësisht dhe me kontributin e të gjithëve.

27 tetor 2024, 08:46