Kërko

Papa Pali VI (foto arkivi) Papa Pali VI (foto arkivi)

26 Nëntor 1969, Pali VI dhe riti i ri i Meshës Shenjte

Kanë kaluar 55 vjet nga dita e jashtëzakonshme e një audience të përgjithshme historike. Me atë rast Papa Montini shpjegoi arsyet e ndryshimit "të një tradite të nderuar shekullore". Risia kryesore ishte kalimi nga latinishtja - në gjuhën e folur. "Është e arsyeshme ‘të pendohemi dhe pothuajse të hutohemi e gati-gati të brengosemi” - pohon Papa - por vlen shumë më tepër pjesëmarrja e popullit”.

R.SH. / Vatikan

Kanë kaluar 55 vjet nga audienca e përgjithshme e 26 nëntorit 1969. Kjo datë shënon ditën në të cilën Papa Pali VI njoftoi se, duke nisur nga e diela e ardhshme e asaj kohe, do të përdorej riti i ri i Meshës, i reformuar mbi bazën e drejtimit të kushtetutës apostolike të Koncilit të Dytë Kishtar të Vatikanit "Sacrosanctum concilium". “Ndryshim, i cili ka të bëjë me një traditë të nderuar shekullore” dhe, si rrjedhim, prek “trashëgiminë fetare, që dukej se ishte e paprekshme”.

Ky ndryshim ka të bëjë me kremtimin ceremonial të Meshës: "ndoshta do të ndjejmë njëfarë bezdie  - shpjegon Papa Montini - se kremtimi në altar nuk do të bëhet më me ato fjalë dhe gjeste, me të cilat ishim mësuar aq shumë, pothuajse pa i kushtuar kurrfarë vëmendjeje". Ndryshimi prek edhe besimtarët. Dhe secili prej të pranishmëve do të dëshironte të interesohej - shton Pali VI - duke u shpërqendruar kështu nga devocionet personale a nga dremitja e zakonshme". Ne duhet të përgatitemi - vëren Papa Montini - "për këtë shqetësim të shumëfishtë, i cili u ngjet të gjitha gjërave të reja, që janë pjesë e dokeve tona të zakonshme".

Kalimi nga latinishja në gjuhën e folur

Në ritin e ri të Meshës, reformuar nga Koncili Dytë i Vatikanit, risia më e madhe është ajo e gjuhës. Latinishtja nuk është më "gjuha kryesore e Meshës" - kujtoi Pali VI në audiencën e përgjithshme të 26 nëntorit të vitit 1969. “Për ata që e njohin bukurinë, fuqinë, shenjtërinë shprehëse të latinishtes, sigurisht që zëvendësimi i gjuhës popullore është flijim i madh: humbasim ligjërimin e shekujve të krishterë”.

Ka "arsye për t'u trishtuar dhe gati-gati për t’u penduar". Por “vlen më shumë pjesëmarrja e popullit, e këtij populli modern, të ngopur me të folur të qartë, të kuptueshëm, të përkthyeshëm në bisedën e tij profane”. Kjo nuk do të thotë se latinishtja do të zhduket në Kishë: “do të mbetet - pohon Papa Montini - gjuha fisnike e akteve zyrtare të Selisë Apostolike; do të mbetet si mjet skolastik për studimet kishtare dhe si çelës për të hyrë në trashëgiminë e kulturës sonë fetare, historike dhe humaniste; e, nëse është e mundur, në ri-lulëzim të ri".

Pjesëmarrja e thjeshtësia

Kremtimi i Meshës mbetet ai tradicional, “jo vetëm në kuptimin teologjik, por edhe në atë shpirtëror”. Riti i Meshës, sipas reformës së Koncilit të Dytë të Vatikanit - nënvizon Pali VI - mund të tregojë "pasurinë më të madhe, të dukshme nga thjeshtësia më e madhe e ceremonive, nga shumëllojshmëria dhe begatia e teksteve të shkrimeve të shenjta, nga veprimi i kombinuar i kremtuesve të ndryshëm, nga heshtjet që shënojnë ritin në kohë të ndryshme dhe, mbi të gjitha, nga nevoja për dy kërkesa të domosdoshme: pjesëmarrjen intime të çdo të pranishmi dhe  shkrirjen e shpirtrave në mëshirën  e bashkësisë; kërkesat që duhet ta bëjnë meshën më shumë se kurrë shkollë të thellësisë shpirtërore dhe palestër impenjative të sociologjisë së krishterë”.

Mesha e parë e një Pape, në italisht

Audienca e përgjithshme e 26 nëntorit 1969 lidhet me një datë tjetër, atë të 7 marsit 1965. Është dita në të cilën, për herë të parë, një Papë kremtoi Meshën në gjuhën italiane. “Është Koncili II i Vatikanit - shkruan L’Osservatore Romano në botimin e asaj dite – që del nga kufijtë e Bazilikës së Vatikanit dhe hyn, për t’i rinuar, në të gjitha kishat e botës”.

Gazeta e Selisë së Shenjtë l’Osservatore Romano shton se "reforma liturgjike, e cila synon t'i kthejë të gjithë bijtë e Zotit në një kontakt më të ndërgjegjshëm dhe më të gjallë me Krishtin”, ka nisur të hyjë në fuqi.

“E jashtëzakonshme - shprehet Papa Pali VI në predikimin e mbajtur në Kishën e Gjithë Shenjtorëve, në Romë – është mënyra e re e sotme e lutjes dhe kremtimit të Meshës Shenjte. Sot - kujtoi Papa - përurohet forma e re e Liturgjisë në të gjitha famullitë dhe Kishat e botës, për të gjitha meshët, në të cilat është i pranishëm populli. Është ngjarje e madhe, e cila duhet kujtuar si fillim i një jete shpirtërore të lulëzuar, si angazhim i ri për t'iu përgjigjur dialogut të madh të Zotit me njeriun".

Papa Montini në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, e quan atë të diel, 7 mars 1965, "datë e paharrueshme në historinë shpirtërore të Kishës, sepse gjuha e folur hyn zyrtarisht në adhurimin liturgjik".

28 nëntor 2024, 10:20