Barcelona, kard. Semeraro shpall të lum dy martirë të luftës civile spanjolle
R. SH. - Vatikan
Dy histori ndërmjet dramës dhe qiellit, si të gjitha ato që tregojnë për martirizimet kundër njerëzve të fesë. E për kurrizet, që rrinë drejt edhe me armën drejtuar në fytyrë; që nuk përkulen, edhe kur e dinë se besnikëria ndaj Ungjillit do të jetë fatale, mes përbuzjes dhe dhunës. Janë historitë e një prifti, Gaietà Clausellas, dhe një laiku, Antoni Tort, të cilët Kardinali Marcello Semeraro i shpalli të lum gjatë ceremonisë së kryesuar dje, në Bazilikën e Sagrada Familia të Barcelonës.
Butësia, ballë për ballë me mizorinë
“Në dekretin e tij, Papa e përshkruan historinë e tyre personale si historia ungjillore e Samaritanit të Mirë” - kujtoi në predikim prefekti i Dikasterit për Çeshtjet e Shenjtorëve, që e kryesoi Meshën. Don Gaietà, prift, kishte zgjedhur përvujtërinë si zakon e jetonte ndërmjet lutjes, të moshuarve dhe të varfërve, të cilët i ushqente duke shkuar në kërkim të atyre që ishin më keq. Kur milicët erdhën për ta marrë, më 14 gusht 1936, ai i priti me dashamirësi, përshëndeti kunatën e tij dhe i ndoqi duke thënë Te Deum. E qëlluan pas shpine, pasi ndaluan makinën në mes të rrugës.
Antonio Tort ishte argjendar i shkëlqyer dhe katolik i zjarrtë, bashkëshort dhe baba i 13 fëmijëve. U çonte Eukaristinë atyre, që nuk mund ta merrnin. Të dielave në mëngjes shkonte për të rruar pacientët me tuberkuloz në spitalin San Lázaro, ndërsa pasdite mbante katekizëm në famulli.
“Faji i tij”, në mes të luftës civile dhe urrejtjes antikristiane, ishte mikpritja e ipeshkvit dhe katër murgeshave. E, kur më 3 dhjetor 1936 milicët hynë në shtëpinë e tij, ai rrëmbeu nga duart e tyre Hostet Shenjte dhe ua ndau të pranishmëve, duke përfshirë edhe të birin 5-vjeçar, të cilit i tha fjalët e fundit: "Këta po të heqin babanë tënd nga toka, e unë po të jap Atin tënd nga qielli". Më pas ndoqi xhelatët e tij në varrezat e Montcada, ku u vra në moshën 41-vjeçare dhe u flak në një varr masiv.
Jeta, dhuratë, jo pronë
Të dy i qëndruan besnikë "dëshmisë së bamirësisë, edhe kur kjo dëshmi ua vuri jetën në rrezik" - nënvizoi kardinali Semeraro - duke shtuar se këta "dëshmi martirizimi, kaq të tmerrshme, e megjithatë kaq prekëse" duhet të kuptohen nën dritën e shembullit të Krishtit, si mënyrë për ta vlerësuar jetën e tjetrit, jo si "zotërim, që duhet mbrojtur me çdo kusht, si një e mirë unike, por përkundrazi, duke e përdorur për takime, për mëshirë e kujdes ndaj të tjerëve. E këtë, jo vetëm nga solidariteti dhe filantropia, që janë edhe gjeste të rëndësishme të denja për t'u vlerësuar”, por kryesisht “duke i ngjarë Jezusit”.
Imituesit e Jezusit
Dëshmia që na vjen nga të Lumt - kujtoi Kardinali - është ajo e "ndjekjes së Krishtit". Ashtu si Moisiu, të cilit Zoti i tha "se mund ta shihte vetëm nga shpatullat" - dhe për rrjedhojë në një farë mënyre, vetëm duke e ndjekur, siç pati komentuar Shën Gregori i Nyssa-s - "në fund të fundit", kujton kardinali Semeraro, është "çka bënë dy të Lumt: ia lanë zgjedhjen e rrugës së tyre Zotit.
Natyrisht, ata të dy e kishin bërë tashmë një zgjedhje të jetës së krishterë duke iu përgjigjur edhe thirrjes: njëri zgjidhte shërbimin meshtarak, tjetri, misionin e burrit dhe babait".
E, megjithatë, "pranuan të dënoheshin si Krishti për t’ua dhuruar të tjerëve jetën. Këtë bën martiri: i ngjet deri në fund të fundit Krishtit, edhe kur ndjekja e çon në zgjedhjen për të pranuar vdekjen, si Zoti!