Benedikti XVI, Kard. Parolin: mjeshtër i shpresës njerëzore në këto kohë të errëta
R.SH. / Vatikan
“Në kohët e errëta që po kalojmë, Benedikti XVI është mjeshtër” që “na ndihmon t’i hapim mirë sytë dhe të rizbulojmë themelet e forta, për të vazhduar të shohim përpara, drejt unitetit, së vërtetës, bukurisë, dashurisë”. Me guxim dhe pasion, na inkurajon “ta mbartim me fe e shpresë barrën e tmerrshme të urrejtjes dhe të së keqes, që e shtyp epokën tonë dhe dërrmon çdo ditë jetë të panumërta njerëzore rreth nesh”. Kështu e kujtoi Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, figurën e Papës bavarez, i cili u nda nga jeta rreth dy vjet më parë, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit Ratzinger 2024 të premten, më 22 nëntor, në Sallën Regia të Pallatit Apostolik, organizuar nga Fondacioni i Vatikanit Joseph Ratzinger-Benedikti XVI, i cili që nga viti 2011 jep çmimin kushtuar Papës bavarez.
“Përkimi” i fituesve me Papën Benedikti
Në fjalimin përfundimtar, mbajtur para të pranishmëve pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve teologut irlandez Cyril O'Regan dhe skulptorit japonez Etsurō Sotoo, kardinali Parolin, në atmosferën e hapjes së afërt të Jubileut, duke kujtuar enciklikën e tij Spe salvi, "kushtuar tërësisht shpresës, shpresave njerëzore dhe shpresës së krishterë" e "të vënë nën shenjën e shpresës edhe nga Papa Françesku", nënvizoi se "zëri i Benediktit është një nga zërat e shpresës, që duhet të na shoqërojë".
Për të dy fituesit, Sekretari i Shtetit nënvizoi "përkimin" e mendimit, ndjeshmërisë, dëshmisë njerëzore dhe të krishterë me Joseph Ratzinger i cili, duke ndjekur moton e tij ipeshkvnore "Cooperatores Veritatis", e shkriu jetën "për të bërë të shkëlqejë e vërteta në të gjitha format e saj, me inteligjencën, kërkimin dhe mësimdhënien, me gjenialitetin, me lodhjen e shprehjes artistike e me dëshminë e shërbimit të tij njerëzor e kishtar”.
Detyra e hapur për të kërkuar të vërtetën
Në reflektimet e tij si teolog dhe në mësimet e tij si ipeshkëv dhe Papë, të shtrira në një gamë shumë të gjerë problemesh dhe temash, Ratzinger-Benedikti, sipas Kard. Parolin "nuk e humbi kurrë aftësinë për të nxjerrë në pah marrëdhënien me Zotin, përmes kërkimit të së vërtetës". Në këtë u duk frytdhënëse ideja e tij “se arsyeja njerëzore duhet të mbetet gjithmonë ‘e hapur’ e se çdo disiplinë nuk duhet të mbyllet në vetvete në një pozitivizëm steril”. E edhe nëse "është i bindur se përgjigja përfundimtare për këto pyetje gjendet në të vërtetën që zbulohet në Krishtin, kërkimi i kësaj të vërtete dhe kuptimi më i thellë i saj mbetet gjithmonë detyrë e hapur dhe befasuese, pa të cilën dinjiteti i njeriut zhvleftësohet dhe drejtimi i rrugës së tij humbet".