Biblioteka e Vatikanit, takim ndërkombëtar për ruajtjen dhe transmetimin e njohurive
R.SH – Vatikan
Një institucion i lindur në zemër të periudhës së Rilindjes që përballet me sfidat e sotme. Në shekullin e 15-të, Papa Nikolla V vendosi që kodikët latinë, grekë dhe hebraikë ishin të hapur për konsultim dhe lexim nga studiuesit. Më 15 qershor 1475, gjatë papnisë së Sixtus IV, u lëshua Bulla "Ad decorem militantis Ecclesiae et fidei augmentum" (Për dekorimin e Kishës militante dhe për përhapjen e fesë). Tiparet dalluese dhe qëllimet e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, që nga origjina e saj, kanë qenë të lidhura me një trashëgimi të paçmueshme - siç kujtoi Papa Pali VI më 1975 - për t'u vënë në dispozicion "studiuesve, në faza të ndryshme të konsultimit, leximit, komenteve dhe përmbledhjes përfundimtare”. Nuk është thjesht një “hapje materiale strukturash apo tekstesh, por mbi të gjitha, siç pati nënvizuar Papa Montini, një “hapje kulturore” e cila mund të favorizohet nëse dija ruhet dhe transmetohet.
Në dialog me bibliotekat e mbarë botës
Arsyeja e të qenit të Bibliotekës së Vatikanit, gjithmonë e njëjtë që nga lindja e saj, është pikëmbështetja e Takimit Ndërkombëtar të titulluar “Conservata et Perlecta Aliis Tradere. Bibliotekat Në Dialog”. Përfaqësues të bibliotekave nga vende të ndryshme marrin pjesë në këtë aktivitet, i planifikuar të zhvillohet në Vatikan duke filluar nga e enjtja, 14 nëntor. Ky takim është një mundësi e veçantë për krahasimin midis Bibliotekës Apostolike të Vatikanit dhe institucioneve të ngjashme të përhapura në mbarë botën. Dhe është gjithashtu edhe një mundësi për të diskutuar dhe reflektuar mbi sfidat që ndryshimet e shpejta të epokës sonë u imponojnë edhe institucioneve që ruajnë dhe promovojnë kulturën. Misioni i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, siç del nga historia e saj pesëqindvjeçare, përfshin ruajtjen e një thesari të çmuar dhe transmetimin e tij tek brezat e ardhshëm. Mbi bazën e një instrumentum laboris, të përgatitur nga një grup studimi brenda Bibliotekës Apostolike, ky dialog i dendur midis bibliotekave anembanë botës përqendrohet në përvojat e arritura tashmë ose në ato që janë në zhvillim e sipër.
Temat e takimit
Janë disa tema në qendër të këtij takimi, i cili do të kulmojë të shtunën më 16 nëntor me audiencën te Papa Françesku. Midis tyre, analiza e koleksioneve të librave dhe, në veçanti, menaxhimi i hapësirave të ruajtjes. Një fokus tjetër ka të bëjë me fushën e teknologjive të reja dhe strategjive të komunikimit në shërbim të bibliotekës. E vendosur në këtë kuadër, gjatë takimit shqyrtohen mjetet e informatikës, sistemet e menaxhimit të metadatave dhe platformat që lidhen me koleksionet dixhitale.
Reflektimi më pas shtrihet në sfidën e paraqitur nga inteligjenca artificiale dhe dimensionet e ndryshme të komunikimit. Një tjetër temë në qendër të takimit është ajo që ka të bëjë me politikat orientuese kulturore dhe studimore: synimi është të përcaktojë, në këtë këndvështrim, rolin e bibliotekës si një institut i aftë për të koordinuar dhe integruar projekte të ndryshme kërkimore.
Koncerti për paqen
Në programin e 14 nëntorit, në mbrëmje, është edhe një koncert për Paqen në sallën Sikstine të Bibliotekës së Vatikanit nga pianisti dhe kompozitori libanez Omar Harfouk, i cili do të shoqërohet nga regjisori Mathieu Bonnin, orkestra e tij dhe violinistja ukrainase Anna Bondarenko. “Paqja – nënvizon Harfouk – është më urgjente se kurrë. Na takon të gjithëve, veçanërisht komunitetit të artit dhe argëtimit, të punojmë për të çrrënjosur valën e urrejtjes në rritje që kërcënon ekuilibrin e marrëdhënieve ndërkombëtare”. Koncerti është një apel që synon të tërheqë vëmendjen ndaj konflikteve të shumta që ende trondisin mbarë botën.
Duke parë sfidat e reja së bashku
Gjuhës universale të muzikës i shtohet ajo e botës së bibliotekave të përkushtuara për të ruajtur dhe për të transmetuar njohuri. Rruga që duhet ndjekur, thuhet në një deklaratë të Bibliotekës Apostolike, është ajo që çon në shkëmbimin e përvojave me synimin për strategjitë e ardhshme. Takimi që është organizuar në Vatikan përkon me këtë qëllim. “Ky takim është – nënvizon Don Mauro Mantovani, prefekt i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit – një mundësi shumë e çmuar për një diskutim jo vetëm për të thelluar, nisur nga përvoja të ndryshme, natyrën dhe detyrën e bibliotekave sot, por edhe për t’i parë së bashku sfidat e reja” për promovimin e kulturës.
Takimit, i cili zhvillohet nga data 14 deri më 16 nëntor në Vatikan, u parapri nga një fazë e dendur organizative. “Bibliotekat e përfshira, të ngjashme për shumë arsye me Bibliotekën e Vatikanit, treguan interes dhe gjallëri të madhe. Kështu që në muajt para këtij takimi – kujton Antonio Manfredi, Scriptor latinus, Biblioteka Apostolike e Vatikanit – u mbajtën momente diskutimi”.
Krahasimi për të lexuar ndryshimin
Takimi, i cili zhvillohet në selinë e Akademisë Papnore të Shkencave dhe atë të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, sjell në dialog bibliotekat nga e gjithë bota. “Siç ka pohuar shpesh Papa Françesku – nënvizon Imzot Angelo Zani, arkivist dhe bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake – , nuk jetojmë vetëm në epokën e ndryshimeve, por kryesisht, në ndryshimin e epokës. Është e vërtetë: jetojmë në një ndryshim epokal me risi të mëdha me sfida të paprecedentë që arrijnë edhe në institucione siç janë bibliotekat. Dhe pikërisht në këtë kontekst Biblioteka e Vatikanit synon të nisë një proces diskutimi me institucione të ngjashme që ofron perspektiva të përbashkëta për reflektim”.