Kryqi i DBR-ve Kryqi i DBR-ve

DBR 2027: më 24 nëntor, u dorëzohet kryqi të rinjve të Koresë

Në Bazilikën e Shën Pjetrit, të dielën e ardhshme, simbolet e Ditës Botërore të Rinisë - Kryqi dhe kopja e fugures Salus Populi Romani - do t’u dorëzohen të rinjve koreanë nga një përfaqësi e të rinjve portugezë. Gjesti simbolik, në fund të meshës së kremtuar nga Papa Françesku

R.SH. – Vatikan

Të dielën, më 24 nëntor, në fund të meshës së kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit nga Papa Françesku, në orën 9.30, në solemnitetin e Krishtit Mbret i Universit dhe në Ditën Botërore të Rinisë në nivelin dioqezan, simbolet e kësaj Dite - kryqi dhe kopja e fugures mariane Salus Populi Romani - do të kalojnë nga një grup të rinjsh portugezë në bashkëmoshatarët e tyre koreanë.

Njoftimi u dha të mërkurën, më 20 nëntor, nga Dikasteri vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën, i cili kujtoi se Dita e 39-të Botërore e Rinisë - me temë "Ata që shpresojnë në Zotin ecin pa u lodhur" (shih Is 40,31) - kremtohet në të gjithë botën në nivelin e Kishave lokale.

Logo e DBR-së në Seul
Logo e DBR-së në Seul

Në shtegtim në gjithë Azinë

Dy simbolet e DBR-së do t'u dorëzohen nga një delegacion vajzash dhe djemsh nga Portugalia - në kryeqytetin e së cilës, Lisbonë, u mbajt takimi i fundit ndërkombëtar rinor, në vitin 2023 - të rinjve nga Seuli, të cilët kështu do t’i çojnë kudo në vendin aziatik, ku do të kremtohet edicioni i ardhshëm, në vitin 2027. Kryqi dhe fugurja e Zojës do të shtegtojnë edhe në vende të tjera të Azisë, në qytete e fshatra, duke ngushëlluar të vuajturit, të burgosurit, të varfërit dhe të rinjtë pa shpresë.

"Ky shtegtim është veçanërisht i rëndësishëm - shpjegon Dikasteri - sepse do të bëhet në vende kryesisht jo të krishtera. Shpresojmë që shumë të rinj të bëhen 'misionarë të palodhur të gëzimit', në mënyrë që edhe ata, të cilët nuk kanë marrë pjesë kurrë në një DBR, gjatë tre viteve të ardhshme të bëjnë një udhëtim, sidomos shpirtëror, për të dëshmuar me guxim Krishtin”.

Nga DBR-ja e Lisbonës
Nga DBR-ja e Lisbonës

Nga Kisha lokale në atë universale

Të dielën, do të mbërrijnë në Romë nga Portugalia rreth njëqind të rinj, të shoqëruar nga patriarku i Lisbonës, Rui Manuel Sousa Valério dhe nga kardinali Américo Manuel Alves Aguiar, i cili ka qenë koordinator i përgjithshëm i DBR-së në Lisbonë; po aq djem e vajza do të mbërrijnë nga Koreja e Jugut, së bashku me kryeipeshkvin e Seulit, imzot Peter Chung Soon-taek, si edhe me koordinatorin e përgjithshëm të DBR-së 2027, ipeshkvin Paul Kyung Sang Lee.

Kremtimi i së dielës në Shën Pjetër do të jetë një festë me karakter lokal dhe universal: do të jenë të pranishëm të rinj romakë në DBR-në dioqezane, së bashku me ipeshkvin e tyre, Papën Françesku, por edhe bashkëmoshatarë nga e gjithë bota, që përfaqësojnë pasurinë e Kishës.

Të rinjtë shqiptarë në DBR-në e Lisbonës
Të rinjtë shqiptarë në DBR-në e Lisbonës

Historia e simboleve të DBR-së

Prej vitesh, simbolet e DBR-së kanë shoqëruar të rinjtë në përgatitjen për festën e tyre ndërkombëtare: Kryqi i Rinisë iu besua të rinjve nga Shën Gjon Pali II me rastin e Takimit të parë rinor, në vitin 1984. Që nga viti 2003, ai shoqërohet në shtegtim nga fugurja e Zojës Salus Populi Romani, shenjë e ëmbëlsisë amënore të Marisë dhe e amësisë së vetë Kishës për mbarë njerëzimin.

21 nëntor 2024, 17:42