Kërko

Peshkatarët në Azi Peshkatarët në Azi

Dita Botërore e Peshkimit: kard. Czerny, "modeli ekonomik agresiv dhe përçarës ndikon në punën e peshkatarëve"

Mesazhi i prefektit të Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor me rastin e Ditës Botërore të Peshkimit, që bie më 21 nëntor: metodat grabitqare të peshkimit intensiv i shkaktojnë dëme mjedisit dhe u heqin vendet e punës atyre që në vend të kësaj "mund të kontribuojnë në mënyrë më efektive për të mirën e përbashkët”

R.SH. - Vatikan

"Metodat grabitqare" të peshkimit intensiv që synojnë të rrisin fitimet përmes teknologjisë, duke shkaktuar "plagë në shtëpinë tonë të përbashkët", u heqin vendet e punës "atyre që për shekuj kanë ruajtur pasuritë e detit, lumenjve dhe liqeneve të mëdhenj". Por ligjvënësit "mund të distancohen nga interesat e mëdha të disave, një pakice, për të ndërhyrë në favor të komuniteteve të vogla, bizneseve familjare dhe organizatave të peshkatarëve, të cilat, me garancitë e duhura, janë në gjendje të kontribuojnë më drejtpërdrejt dhe në mënyrë më të frytshme për të mirën e përbashkët". Këtë nënvizon kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Peshkimit 2024, e cila kremtohet më 21 nëntor, me temën "Lërini ujërat të mbushen me qenie të gjalla" marrë nga Libri i Zanafillës.

“Një mundësi e veçantë për të thelluar marrëdhënien tonë me ujin simotër dhe me zhvillimin integral njerëzor të të gjithëve”, thekson kardinali Michael Czerny në mesazhin për Ditën Botërore të Peshkimit. “Puna e peshkatarëve, ndër më të vjetrit e njerëzimit, ka ndryshuar thellësisht në një pjesë të madhe të planetit tonë”, vëren kardinali Czerny, sipas të cilit “plagët e shkaktuara në shtëpinë tonë të përbashkët nga një model ekonomik agresiv dhe përçarës shqetëson e ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë jetët dhe të ardhmen e miliona njerëzve që jetojnë nga peshkimi”.

“Ekuilibri shekullor midis punës së njeriut dhe natyrës janë prishur nga metodat grabitqare të zbatimit të teknologjive dhe fitimeve, në dobi të një pakice gjithnjë e më me ndikim dhe më të fuqishme, që nuk interesohet për efektet afatmesme dhe afatgjata të kësaj ekonomie që vret", denoncon kardinali Czerny, .

“Të krishterët nuk mund të shikojnë nga ana tjetër kur ekosisteme të tëra kërcënohen nga mënyrat e punës që i shkatërrojnë ata dhe varfërojnë popullsinë tashmë të prekur nga pabarazitë dhe konfliktet deri në pikën e urisë”, ngre zërin kardinali Czerny, duke u shprehur peshkatarëve në mbarë botën shoqërimin dhe mbështetjen e Kishës, për "një zhvillim teknologjik që forcon dinjitetin dhe sigurinë e punës, duke rivendosur ekuilibrin e duhur midis njerëzve, punës dhe mjedisit. Ligjet duhet të mbështesin bizneset e vogla të peshkatarëve, të cilët janë roje të detit".

12 nëntor 2024, 14:54