Kardinali Konrad Krajewski, lëmoshtar i Papës, në një nga misionet e tij në Ukrainë Kardinali Konrad Krajewski, lëmoshtar i Papës, në një nga misionet e tij në Ukrainë 

Dita e të varfërve, këpucët e Papës për të pastrehët

Në drekë me Françeskun, në Sallën Pali VI, sot është edhe Giuseppe, një i pastrehë nga Roma, i cili pak ditë më parë mori dhuratë nga Dikasteri për shërbimin ndaj bamirësisë, një palë këpucë, që Papa i kishte vënë në dispozicion për më nevojtarët. Anekdotën për mediat e Vatikanit e tregon Kardinali Krajewski, lëmoshtar papnor, i cili kujton: kuptimi i kësaj ngjarjeje që festohet sot, është t'u kthejë dinjitetin njerëzve.

R. SH. - Vatikan

Në Ditën VIII Botërore të të Varfërve, Papa ftoi të varfërit dhe të pastrehët në meshë dhe në një drekë të përbashkët, që u shtrua në Sallën Pali VI, për 1300 të ftuar. Pjesë e këtij grupi është edhe Giuseppe, një i pastrehë nga Roma. Pak ditë më parë mori një palë këpucë, të cilat dikush ia kishte dhuruar Papës. Të festosh Ditën Botërore të të Varfërve do të thotë të ndjekësh Jezusin dhe thjesht të mendosh në të njëjtën mënyrë, siç tregohet në Ungjill, sepse këtë do të kishte bërë Krishti, dhe kështu duhet të bëjmë edhe ne. Kështu, kardinali Konrad Krajewski, lëmoshtar papnor, e shpjegon për mediat e Vatikanit domethënien e ngjarjes së sotme, 17 nëntor, kur Papa Françesku kryesoi Meshën në Bazilikën e Vatikanit dhe më pas drekoi me 1300 nevojtarë, në sallën Pali VI.

Këpucët e Papës për një të pastrehë

Kardinali, duke kujtuar aktivitetet e Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë dhe shembujt e shumtë të mirësisë dhe të ndihmës, foli për Giuseppe-n,  një “të pastrehë vendas”, i cili prej vitesh jeton në rrugë. Këtë javë Papa mori një palë këpucë me numër 42. Françesku ia dorëzoi menjëherë këtë dhuratë zyrës së lëmoshës papnore. Disa orë më vonë ia behu Giuseppe  që kishte nevojë të ngutshme për këpucë. U ankua se nuk mund të ecte më me ato të vjetrat, që i kishte mbathur. Kërkonte një palë të tjera, me numrin 42. I provoi këpucët e Atit të Shenjtë, i mori menjëherë, i mbathi dhe sot ishte me to në këmbë edhe në tryezën e Papës.

 “Lutja e të varfërve shkon te Zoti”

Kardinali, duke kujtuar temën e sivjetme të Ditës Botërore të të Varfërve "Lutja e të varfërit shkon deri te Zoti", nënvizoi se modeli në lutje për ne është Jezusi, që në Ungjill na la shumë figura dhe shembuj, që flasin për virtytin e këmbënguljes. "Ne fitojmë, kur i lutemi Zotit" - vëren Kard. Krajewski. Njëkohësisht saktëson se mënyrat dhe kohët në të cilat Zoti dëgjon lutjet e "të varfërve" janë mister. Mund të duhet të lutesh gjatë, si në tregimin e Shën Monikës, nënës së Shën Agustinit; ose ka situata në të cilat lutjet dëgjohen shumë shpejt; por edhe raste kur lutjet nuk marrin përgjigje. Kjo për një arsye të thjeshtë, thotë Kardinali: çka do të ndodhte mund të mos ishte për të mirën time. “Kjo është arsyeja pse Zoti i dëgjon ato lutje që na bëjnë të bukur, për të kënaqur Zotin dhe njerëzit. Janë për të mirën tonë dhe kjo është ndoshta gjëja më e rëndësishme”, kujton Lëmoshtari papnor.

Të rikthesh dinjitetin, duke dëgjuar

Krajewski kujtoi se ngjarjeve të sotme u paraprijnë nisma të shumta kujdesi për të varfërit, si klinika pas shtyllës së Berninit, e cila mirëpret rreth 150 njerëz të pastrehë çdo ditë. Të gjithë ata që kanë nevojë, edhe personat pa dokumente apo që nuk dinë italisht, mund të kenë ndihmë të plotë mjekësore. Por në radhë të parë është dëgjimi i të tjerëve, i historisë dhe nevojave të tyre, sepse “dinjiteti mund të duket edhe duke dëgjuar”. Këta persona të brishtë vizitohen nga mjekët dhe marrin ilaçe falas nga Ati i Shenjtë, në farmacinë e Vatikanit.

Ushqimi pas Eukaristisë me të varfërit, organizuar nga Dikasteri i Shërbimit të Bamirësisë, ofrohet nga Kryqi i Kuq Italian. Në fund, të gjithë do të marrin nga etërit e Kongregatës së Meshtarëve Misionarë nga një çantë shpine me ushqime si dhe gjëra të nevojshme për jetën e përditshme.

17 nëntor 2024, 12:53