Kërko

Biblioteka Apostolike e Vatikanit Biblioteka Apostolike e Vatikanit

Feja dhe diplomacia kulturore, Biblioteka e Vatikanit drejt Jubileut

Në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqitën nismat e Bibliotekës Apostolike në kuadër të Jubileut 2025. Me ekspozita, konferenca dhe pjesëmarrje në ngjarje ndërkombëtare, si Expo e Osakës dhe Bienalja e Artit Islam në Jeddah, Bibilioteka konfirmohet si laborator i vazhdueshëm projektesh dhe nismash për zhvillimin e dialogut e të humanizmit të ri

R.SH. - Vatikan

Mundësi unike për të kremtuar, së bashku me fenë, rolin koheziv të diplomacisë kulturore, për të ndërtuar ura dhe për të nxitur dialogun. Ky është Jubileu 2025 për Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, e cila kujdeset për një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe unike, që përfshin epoka dhe qytetërime të ndryshme.

Për një humanizëm të ri

Rreth pesë shekuj pas themelimit nga Papa Nikolla V, në vitin 1451, Biblioteka ku ruhet Bula e shpalljes së Jubileut të parë në histori, më 1300, vazhdon të përforcojë marrëdhëniet e saj me botën, siç dëshmojnë veprimtaritë e planifikuara për muajt e ardhshëm dhe të paraqitura dje, 28 nëntor, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, në konferencën me temë “Biblioteka Apostolike e Vatikanit për zhvillimin e një humanizmi të ri”.

Bienalja e Artit Islamik

Për vitin 2025, Biblioteka Apostolike e Vatikanit konfirmohet si “laborator i vazhdueshëm projektesh dhe nismash, vend jetik për shkëmbime dhe diskutime me protagonistët ndërkombëtarë", vend me "aktivitet intensiv editorial", me "prani aktive në formimin profesional përmes Shkollës së Bibliotekekonomisë" dhe me "pjesëmarrje në ekspozitat e mbarë botës", theksoi në konferencë Arkivisti dhe Bibliotekari i Kishës Shenjte Romake, imzot Angelo Vincenzo Zani, duke përmendur disa nga nismat kryesore. Së pari, pjesëmarrjen në ekspozitën “Arti i Numrave” në Bienalen e Artit Islamik, e cila do të hapet në Jeddah të Arabisë Saudite, më 25 janar, në terminalin e Haxhit të Aeroportit Ndërkombëtar kushtuar Mbretit Abdulaziz, ku miliona udhëtarë myslimanë kalojnë për shtegtime (haxh) të shenjta çdo vit.

Pjesëmarrësit e konferencës së nëntorit, në audiencë me Papën Françesku
Pjesëmarrësit e konferencës së nëntorit, në audiencë me Papën Françesku

Dialogu me Islamin, rezultat i udhëtimeve të Françeskut

"Dialogu me vendet islame po zhvillohet më tej", vuri në dukje imzot Zani, duke përmendur udhëtimin e tij të fundit në Irak, me rastin e Festivalit të 17-të Ndërkombëtar Rabee al-Shahada, ose marrëveshjen e bashkëpunimit kulturor dhe shkencor me Bibliotekën Dixhitale të Mbretit Hamad të Bahreinit, nënshkruar me rastin e takimit të promovuar nga Biblioteka Apostolike, në Vatikan, me pjesëmarrjen e bibliotekave kombëtare nga e gjithë bota. “Kjo hapje e Lindjes së Mesme – vazhdoi ai – është rezultat i udhëtimeve të Papës Françesku, nën shenjën e dialogut me botën islame”. Pjesëmarrja e Selisë së Shenjtë në Bienale, saktësoi ai më pas, është pjesë e dëshirës së Arabisë Saudite për të gjetur në Perëndim një bashkëbisedues për dialog.

Marrëveshja e bashkëpunimit kulturor dhe shkencor me Bibliotekën Dixhitale të Mbretit Hamad të Bahreinit, nënshkruar me rastin e takimit të promovuar nga Biblioteka Apostolike, në Vatikan
Marrëveshja e bashkëpunimit kulturor dhe shkencor me Bibliotekën Dixhitale të Mbretit Hamad të Bahreinit, nënshkruar me rastin e takimit të promovuar nga Biblioteka Apostolike, në Vatikan

Ekspozita e Osakës

Një tjetër ngjarje me rëndësi globale gjatë Vitit Jubilar do të jetë Expo 2025 në Osaka të Japonisë, e cila – shpjegoi prefekti i Bibliotekës së Vatikanit, don Mauro Mantovani - do të nxjerrë në pah "transformimin e qyteteve, udhëtimin e përbashkët të njerëzimit dhe dialogun ndërmjet popujve, kulturave, feve dhe brezave: përmasa themelore të humanizmit të ri, për zhvillimin e një teknologjie në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, individual dhe shoqëror”. Në Osaka, Biblioteka Apostolike ka një projekt bashkëpunimi me kompaninë japoneze NTT, e cila prej disa vitesh e ndihmon atë në fushën e zbatimeve teknologjike. Për shembull, “në Dubai, për Expo 2020 – kujtoi meshtari – NTT realizoi programin për vizitën virtuale të Kullës së Erërave, pjesë e Arkivave të Vatikanit”.

Në Sallën Sikstine, në koncert me artistin Omar Harfouch
Në Sallën Sikstine, në koncert me artistin Omar Harfouch

Ekspozitat e Bibliotekës Apostolike

Nga viti 2021, organizohen ekspozita të ndryshme në sallën Kerkorian të Bibliotekës Apostolike: aktualisht, deri këtë 14 dhjetor, mbetet e hapur ekspozita “Libri dhe Shpirti”, me rastin e 750-vjetorit të vdekjes së Shën Bonaventurës së Bagnoregio-s dhe të Shën Tomës së Akuinit, ndërsa gjithë vitin e ardhshëm, për shtegtarët e shumtë që do të vijnë në Romë nga të gjitha anët, do të ngrihet një ekspozitë e madhe me artistë të njohur bashkëkohorë mbi temën e "udhëtimeve nëpër botë". Vizitori do të shohë gazeta nga vendet më të largëta të globit, të shtypura në shumë gjuhë, që i përkisnin dikur diplomatit Cesare Poma (1862-1932), i cili ia ka lënë Bibliotekës Apostolike. Këto dokumente do të shoqërohen me rrëfimin e udhëtimeve të dy gazetarëve francezë dhe të gjashtë grave, të cilat, vazhdoi prefekti, “u nisën vetëm nëpër botë, duke sfiduar paragjykimet”.

Ekspozita "Libri dhe Shpirti"
Ekspozita "Libri dhe Shpirti"

Fjalët e leksikut jubilar

Nga Bula për shpalljen e Jubileut janë marrë edhe disa fjalë – si “udhëtim”, “vizione”, heshtje, “Fjala e Zotit”, “inteligjencë”, “bamirësi”, “humanizëm”, shpresë” – mbi të cilat janë realizuar tetë takime, nga data 13 dhjetor dhe gjatë gjithë vitit 2025, që do të mbahen në Sallën Sikstine të Bibliotekës së Vatikanit, në kuadrin e projektit të përbashkët me Institutin e Kulturës dhe të Formimit Antonio Rosmini. Tema e takimeve është “Fjalë të hapura. Leksiku jubilar për kohën tonë”. Çdo herë, do të ketë një konferencë, do të lexohen tekste nga Biblioteka, që i janë besuar zërit të profesionistëve me shoqërim muzikor.

Monedha e vogël me Fytyrën Shenjte të velit të Veronikës
Monedha e vogël me Fytyrën Shenjte të velit të Veronikës

Monedha e vogël dhe Jubileu 1450

I lidhur me Vitin e Shenjtë është edhe projekti, që mundëson konsultimin virtual të atyre dorëshkrimeve të Bibliotekës së Vatikanit, të cilat i referohen temës së shpresës dhe nisma e Koleksionit të Medaljeve të Bibliotekës, më i rëndësishmi në botë, me treqind mijë ekzemplarët e tij. Ky organizëm ka riprodhuar një ekzemplar unik nga rreth dy mijë monedhat e gjetura rreth varrit të Shën Pjetrit. Është një monedhë e vogël e Romës me Fytyrën e Shenjtë nga veli i Veronikës, prodhuar gjatë Jubileut të vitit 1450, shpallur nga Papa Nikolla V, një nga më të njohurit në histori. Për shkak të përmasave të saj, monedha është edhe homazh për ofertën e vogël të vejushës së përshkruar në Ungjij, e cila la gjithçka kishte në tempull.

Me shpresë për të ardhmen

E hapur për studiues të të gjitha përkatësive fetare, me dhjetë mijë persona në vit, Biblioteka e Vatikanit vazhdon të rritet: kohët e fundit ka marrë dhuratë nga SHBA-ja, rreth gjashtëdhjetë e pesë mijë disqe LP me muzikë operistike. Shenjë e mëtejshme e shëndetit të një institucioni me rrënjë në një të kaluar të largët, por i projektuar me shpresë drejt së ardhmes, në emër të zhvillimit të plotë njerëzor.

29 nëntor 2024, 14:25