Kërko

Papa Gjon Pali II dhe Patriku Ilia më 1999 Papa Gjon Pali II dhe Patriku Ilia më 1999

Gjon Pali II 25 vjet më parë në Gjeorgji, Pasotto: "Në atë vizitë pamë të ardhmen"

Administratori apostolik i Kaukazit të Latinëve reflekton për vlerën e atij shtegtimi historik "të improvizuar", gjatë të cilit Wojtyla takoi edhe Patriarkun Ilia II, gjë që i dha shtysë dialogut ekumenik, solli dritë dhe shpresë në një vend ku kishte vështirësi politike dhe ekonomike e inkurajoi Kishën e sapo dalë nga komunizmi. Një paralelizëm i kësaj vizite, të kujton menjëherë edhe vizitën e Papës Gjon Pali II në Shqipëri!

R.SH. - Vatikan

Ishte 8 nëntori 1999 kur Gjon Pali II zbarkoi në Tbilisi, Gjeorgji - Papa i parë në histori - për një udhëtim apostolik. Vinte nga India dhe do të kthehej në Vatikan të nesërmen, më 9 nëntor. Vizitë historike, gjatë së cilës Papa polak takoi, ndërmjet tjerësh, edhe Ilinë II, Patriark Katolik i gjithë Gjeorgjisë dhe me të nënshkroi deklaratën e përbashkët, në të cilën u përsërit rëndësia e vlerës themelore të paqes dhe thirrja drejtuar botës për të shmangur një katastrofë shkaktuar nga luftërat dhe terrorizmi. Njëzet e pesë vjet pas asaj ngjarjeje, Imzot Giuseppe Pasotto, administrator apostolik i Kaukazit të Latinëve, në një intervistë për mediat e Vatikanit, reflekton mbi rëndësinë e atij udhëtimi historik "të improvizuar", i cili, sipas tij, solli dritë dhe shpresa për një vend ku kishte vështirësi politike dhe ekonomike.

Shkëlqesia Juaj, si shkoi udhëtimi i parë apostolik i Papës në Gjeorgji? Cili ishte çasti historik për vendin dhe çfarë ndikimi pati vizita në ato çaste?

Ishte ngjarje e jashtëzakonshme. Pritej shumë nga ana e Kishës sonë, si një dhuratë që nuk do ta ëndërronte kurrë, nëse mendojmë se ishte kishë katolike e sapo dalë nga komunizmi. Papa erdhi, hera e parë në dy mijë vjetët e Kishës, kur ne nuk ishim gati. Diçka që na mahniti. Personalisht e jetova si ngjarje shumë të bukur! Kohët e fundit kisha qenë administrator apostolik dhe mbaj mend që të gjithë u gatiten me entuziazëm për këtë ngjarje. Ishte çast i veçantë për vendin. Pas periudhës komuniste, me Eduard Shevardnadzen, ende president, ne po shkonim drejt një bote të re, ndjenim se diçka po të ndodhte. Dukej si të ishte ndezur një llambë, me rreze të ndryshme në shumë drejtime. Më pas, rëndësia u kuptua edhe më shumë.

Cilat janë kujtimet tuaja personale nga ai udhëtim?

Kam shumë prej tyre. Ishin dy ditë tejet intensive, që i jetova çast për çast, edhe në përgatitje. Më kujtohet mjeshtri i kremtimeve (atëherë ishte imzot Marini), që kur duhej të kremtohej Mesha më tha: "Shko ta ndihmosh, se duhet të thotë disa fjalë në gjeorgjisht, të paktën t'i përsërisni së bashku". Hyra në sakresti dhe i thashë: "Shenjtëria juaj, a jeni gati?". Filloi të fliste në gjeorgjisht dhe më pas tha: “Është shumë e vështirë, të mos bëjmë asgjë, le ta bëjmë gjithçka normale në latinisht”. Në atë çast unë u përgjigja: “Por Ju vini në Gjeorgji, zbrisni nga avioni dhe thoni: 'Gamarjoba' (Mirëmëngjesi/Përshëndetje/Përshëndetje në gjeorgjisht), i bën kështu të gjithë të dashurohen me një fjalë gjeorgjiane. Po këtu, në meshë, nuk po e thoni as bekimin?”. Ai më shikoi në sy e më tha: "Mirë, më ndihmo, ta përsërisim". E përsëritëm dhjetë herë, dhe më pas e shqiptoi,  gjeorgjisht.

Çfarë kohësh ishin ato për Gjeorgjinë dhe çfarë rëndësie kishte ajo vizitë për vendin dhe për bashkësinë vendase katolike?

Ishin kohë varfërie, sepse pas pavarësisë pati luftë civile dhe Rusia kishte këputur të gjitha lidhjet. Gjendja ekonomike ishte e vështirë. Në vitin 1994 mbaj mend se kishte ende ujë dhe gaz në banesë; në fund të vitit nuk kishte më, veçse herë pas here; e kishte varfëri dhe qyteti ishte i errët, nuk kishte dritë. Por dukej se në atë çast njerëzit atje kishin shumë shpresë në zemrat e tyre, shikonin përtej asaj që po ndodhte. Për mua kjo ishte e bukur, pozitive, sepse kur zemra jote është plot shpresë, mund të bësh gjëra që nuk kishe menduar se mund t'i bëje më parë. Kishte shpresë dhe madje vizita e Papës, që do të thoja se ishte e papritur, sepse vetëm një vit më parë askush nuk e kishte menduar. U pa si rrugë që hapej drejt Evropës, drejt viseve të tjera jashtë Gjeorgjisë. Edhe në nivel fetar. Në atë çast Papa hasi disa probleme në nivelin ekumenik, ishte diçka e re. Megjithatë, ishte çast në të cilin mund të shihnim të ardhmen.

Cilat janë frytet që mund të shihen sot nga ai udhëtim apostolik?

 Çdo udhëtim është shenjë; nuk është se një udhëtim i ndryshon situatat, por bëhet shenjë, tregues. Gjithmonë kam thënë se kur Papa shtegton, jep edhe porosi, tregon rrugët që duhen ndjekur. Problemet, për shembull, në nivelin ekumenik, ndërmjet ortodoksëve dhe katolikëve, kanë mbetur të njëjta; në nivelin e autoritetit, pra në një nivel të lartë, edhe problemet ekonomike mbetën gjithashtu, por për katolikët ishte një shenjë e madhe nderimi nga ana e Papës, që vinte në Gjeorgji, për këtë grup të vogël katolikësh. Domethënë, ishte ndjenjë madhështie për katolikët që praktikisht ishin zhdukur, por përkundrazi,  gjetën sërish pak nga identiteti i tyre. Unë pashë një rezultat të madh më pas, te njerëzit që filluan të shohin ndryshe, madje edhe ortodoksët, sepse shumë erdhën në ngjarje. Edhe tani gjej dikë që më thotë akoma: ajo kohë ishte një çast i bukur për mua. Domethënë, shoqëria, për mendimin tim, e mori këtë diçka që e bëri të shikonte më tej. Pashë edhe një Papë të vuajtur, por kjo i bëri njerëzit të kuptojnë se ka vlera kaq të mëdha për të cilat mund të vuash, mund të japësh jetën. Besoj se ky është mësimi i çdo besimtari, që pranon të jetojë me vuajtje në kohën e tij. Dhe kjo është entuziaste.

Sipas mendimit tuaj, a kontribuoi ky udhëtim apostolik në favorizimin dhe inkurajimin e dialogut ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse Gjeorgjiane?

Po, sigurisht që kontribuoi, edhe sikur të mos shiheshin gjëra konkrete, por për njerëzit e Kishës duhet kohë për të ndërtuar gjëra. Kontributi nuk është kur arrin një rezultat i prekshëm dhe të përsosur. Kontribut është edhe kur jep udhëzime, kur tregon se beson, kur hedh një hap, kur thua "E bëra hapin e parë, tani është radha jote të hedhësh edhe një hap të dytë". Domethënë, kontributi përbëhet nga shumë çaste. Për mua ishte udhëtim, që kontribuoi. Dikush thotë: po udhëtime të tilla nuk janë aq të dobishme! Për mua ato janë shumë të rëndësishme, sepse udhëzimet themelore që duhet të kemi si të krishterë i marrim prej tyre vazhdimisht. Për më tepër, marrëdhënia ime me Patriarkanën është më e thjeshtë. Dmth shkoj më shpesh në Patriarkanë për të biseduar. Nuk janë rezultatet konkrete që e pasojnë rëndësinë e një udhëtimi, për jetën e krishterë janë të rëndësishme drejtimet që tregon udhëtimi. Ka qenë edhe udhëtimi i Papës Françesku që ka ndihmuar. Zgjedhja e Papës për të shkuar në Gjeorgji ishte shenjë për shumë vende të tjera… Moska nuk është ende e mundur, por është e mundur të takohen të gjitha kishat e tjera ortodokse, atje ku mund të takohen!

11 nëntor 2024, 10:40