Kërko

2024.11.19 L'arcivescovo Gallagher all’Université Catholique d’Afrique Centrale a Yaoundé (Camerun) 2024.11.19 L'arcivescovo Gallagher all’Université Catholique d’Afrique Centrale a Yaoundé (Camerun)

Imzot Gallagher: marrëveshjet midis Afrikës dhe Vatikanit janë një "shërbim të njerëzimin"

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtete imzot Gallagher merr një doktoratë nderi nga Université Catholique d'Afrique Centrale në Yaoundé, Kamerun. Në fjalën e tij shqyrton marrëveshjet e ratifikuara midis Vatikanit dhe vendeve të Kontinentit të Vjetër, që synojnë ruajtjen e "së mirës së përbashkët", veçanërisht të njerëzve që janë më të brishtë.

R.SH. / Vatikan

Diplomacia e Selisë së Shenjtë me Shtetet e Afrikës bashkëkohore: një "shërbim për njerëzimin" që synon promovimin e "lirive kishtare" dhe ruajtjen e "të mirës së përbashkët". Ky është thelbi i fjalimit të Imzot Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, në Université Catholique d'Afrique Centrale në Yaoundé, kryeqyteti i Kamerunit, duke marrë doktoraturën e nderit.

Roli i Kishës në diplomacinë ndërkombëtare

Marrëveshjet e nënshkruara nga Selia e Shenjtë me Shtetet, sipas imzot Gallagher, përfaqësojnë një aspekt themelor të traditës së gjatë diplomatike të Kishës Katolike, e cila, megjithëse mbetet një "realitet kryesisht shpirtëror", është gjithashtu edhe një lojtar i rëndësishëm në "marrëdhëniet diplomatike shumëpalëshe" "me "pothuajse të gjitha shtetet e botës" dhe me "organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara". Në 8 janarin e kaluar, 180 ambasadorë ishin të pranishëm në përshëndetjen e Papës me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, ndërkohë që aktualisht janë 91 misione të akredituara në Vatikan. Diplomacia e Vatikanit, e cila i ka rrënjët në kohën e Papa Martinit V (1417-1431), mbështetet në Sekretarinë e Shtetit, e përcaktuar nga Kryepeshkopi Gallagher si "vetë qendra e diplomacisë papnore".

"Bashkëpunimi i gjatë dhe i pasur" me vendet afrikane

Duke pranuar me "emocion" titullin e doktorit ‘honoris causa’ që i është dhënë nga universiteti i Kamerunit, Imzot Gallagher kujtoi "marrëveshjen kuadër" të rëndësishme midis Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Kamerunit, ratifikuar në Yaoundé më 13 janar 2014. Në vazhdim imzot Gallagher nënvizoi se si Marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Afrikës datojnë "që në kohët e para të Kishës", me marrëveshjet e para të nënshkruara me Tunizinë dhe Kongon belge që shënuan fillimin e një "bashkëpunimi të gjatë dhe të pasur".

Periudha koloniale

Një moment vendimtar në këtë marrëdhënie ishte periudha koloniale, gjatë së cilës, siç kujtoi imzot Gallagher, "pothuajse e gjithë Afrika - me përjashtim të Etiopisë dhe Liberisë - ishte nën sundimin e fuqive evropiane". Në këtë kontekst, Selia e Shenjtë veproi si zëdhënëse e besimtarëve dhe klerit vendas, duke hyrë gradualisht në kongrese që kishin të bënin edhe me territoret e kolonizuara.

Marrëveshjet me Kongon

Për shembull, në rastin e Kongos belge, kryeipeshkvi Gallagher kujtoi dy konventat e 26 majit 1906, nën papninë e Piut X, dhe të 8 dhjetorit 1953, nënshkruar nga Piu XII. E para synonte "të nxiste përhapjen e katolicizmit, duke mbështetur qeverinë në punën e saj arsimore nëpërmjet krijimit të shkollave dhe qendrave të formimit profesional"; e dyta, synonte të "përshtatte organizimin e Kishës katolike në Kongo me rrethanat e reja, të karakterizuara nga njëra anë nga rritja e numrit të katolikëve dhe numri i klerit vendas dhe nga ana tjetër nga rritja graduale e një shteti modern që luftoi për pavarësi”.

Misionet e para në kontinent

Me përfundimin e periudhës koloniale, tha Imzot Gallagher, "aktiviteti diplomatik i Selisë së Shenjtë u përshpejtua në Afrikë". Duke filluar nga viti 1960, delegacione të reja apostolike u krijuan në qytete si Lagos (Nigeri), Nairobi (Kenia) dhe Antananarivo (Madagaskar), ndërsa misionet e tjera u shndërruan në internunciatura apostolike. Internunciatura e parë për Afrikën frëngjisht-folëse u hap në Dakar (Senegal) në vitin 1961, duke u bërë e katërta në kontinent pas atyre në Kajro (Egjipt), Addis Ababa (Etiopi) dhe Monrovia (Liberi). Në rastin e Kamerunit, Delegacioni Apostolik i Yaoundé u krijua më 3 prill 1965, me juridiksion mbi të gjitha zonat që përbëjnë Afrikën Qendrore të sotme. Megjithatë, vetëm në vitin 1997 Selia e Shenjtë ratifikoi "marrëveshjen e parë kuadër" me një shtet afrikan, Gabon.

Liria fetare dhe e mira e përbashkët

Deri më sot, 51 nga 54 Shtetet afrikane kanë marrëdhënie të qëndrueshme diplomatike me Selinë e Shenjtë. Këto marrëdhënie udhëhiqen nga parimet e vendosura nga Koncili i Dytë i Vatikanit, që synojnë të ruajnë lirinë fetare "pa dallim" dhe të ruajnë "të mirën e përbashkët", domethënë "atë kompleks kushtesh sociale që lejon grupet dhe secilin prej anëtarëve të tyre për të arritur përsosmërinë e dikujt sa më plotësisht dhe më lehtë”, siç thuhet në Kushtetutën baritore  Gaudium et Spes. “Duke nënshkruar marrëveshje me Shtetet”, shtoi imzot Gallagher, “Kisha nuk kërkon më shumë privilegje, siç ndodhi në epokat e mëparshme, por thjesht kërkon lirinë fetare për Kishën Katolike dhe popullin e saj”.

Marrëveshjet me Kamerunin

Më pas, kryeipeshkvi imzot Gallagher i kujtoi në vazhdim marrëveshjet e nënshkruara me Kamerunin, përfshirë ato që lidhen me Institutin Katolik të Yaoundé. E para, e 5 korrikut 1989, mundësoi krijimin e një universiteti me të drejtën papnore në Kamerun, duke ndihmuar kështu në fuqizimin e arsimit të lartë në një vend që në atë kohë kishte vetëm një universitet publik dhe asnjë universitet privat. E dyta, e datës 17 gusht 1995, i dha institutit mundësinë për të lëshuar diploma të njohura nga institucionet civile të vendit afrikan.

Të mirat e menjëhershme dhe në të ardhmen

Imzot Gallagher më pas i përcaktoi përfitimet e marrëveshjes kuadër të 2014-ës në dy nivele: atë "të menjëhershëm" dhe atë "të ardhshëm". “Në afat të shkurtër, marrëveshja ka riafirmuar me forcë lidhjen e palëve ndaj lirisë fetare si një kornizë thelbësore e veprimit të Kishës në Kamerun”, tha kryeipeshkvi, ndërsa “nga një këndvështrim tjetër në perspektivë, ajo i mundëson komunitetit kishtar të specifikojë parimet dhe dispozitat ligjore në lidhje me marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e tij me Shtetin e Kamerunit".

 

19 nëntor 2024, 12:53