Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher në Universitetin e Lublinit Imzot Paul Richard Gallagher në Universitetin e Lublinit

Imzot Gallagher, Selia e Shenjtë si 'spital fushor' në mes të betejave

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet në Universitetin Katolik të Lublinit për të ilustruar veprimtarinë e diplomacisë së Vatikanit në botën bashkëkohore për zgjidhjen e konflikteve, lirinë fetare, të drejtat e njeriut, ndihmën për migrantët, shtëpinë e përbashkët dhe "kulturën e hedhurinave". E pavarur nga aleancat politike, Selia e Shenjtë ushtron një lloj pushteti "të butë", që i mundëson asaj "të arrijë rezultate të ngjashme me ato të autoriteteve globale"

R.SH. - Vatikan

Zgjidhja e konflikteve - nga Ukraina në Lindjen e Mesme, nga Kaukazi në Myanmar, nga Etiopia në Jemen - dhe arritja e paqes; promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut; liria fetare; kujdesi për shtëpinë e përbashkët; hedhja poshtë e "kulturës së përjashtimit"; migrimet; mundësia për asistencë shëndetësore. Dhe akoma: mbrojtja e politikave të drejta ekonomike; lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore; promovimi i vëllazërimit dhe i multilateralizmit. Ashtu si "spital fushor në mes të betejës", Selia e Shenjtë është "pjesë integrale" e debatit mbi tensionet me të cilat duhet të përballet bashkësia ndërkombëtare dhe mbi aktivitetet në skenën globale, duke ushtruar një "pushtet të butë", që arrin rezultate të ngjashme me ato të autoriteteve më të rëndësishme globale.

Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, në një leksion mbajtur në Universitetin Katolik të Lublinit (KUL) me temën "Diplomacia e Selisë së Shenjtë në botën bashkëkohore" me rastin e takimit të organizuar, më 12 nëntor, nga Qendra për Studimin e Diplomacisë të atij universiteti, ilustroi në detaje vokacionin dhe natyrën, mjetet dhe marrëdhëniet, aktivitetet dhe metodat e veprimit të diplomacisë mijëravjeçare të Vatikanit, aktualisht, në marrëdhënie diplomatike me 184 vende dhe me një pjesë të madhe të institucioneve, që përfaqësojnë qeverisjen globale.

"Papa ushtron pa u lodhur autoritetin e tij moral", "trajton situatat e padrejtësisë - tha akoma imzot Gallagher - arrin tek njerëzit e braktisur, tërheq vëmendjen kundër praktikave të dëmshme e të dhunshme që vënë botën dhe të ardhmen tonë në rrezik". Në këtë mision Papa nuk është i vetëm, por ndihmohet edhe nga institucionet e ndryshme të Kishës Katolike dhe, në disa raste, nga të dërguar të posaçëm si kardinali Matteo Zuppi për luftën në Ukrainë. Ndonjëherë janë vetë ipeshkvijtë lokalë ata, që angazhohen "në dialog dhe negociata me udhëheqësit lokalë" dhe është gjithmonë Nunci Apostolik në terren, që ka "përgjegjësinë" e mbajtjes së marrëdhënieve me Kishat lokale dhe me komponentët e ndryshëm të qeverisë.

"Selia e Shenjtë - shtoi imzot Gallagher - është aktive në nivel humanitar për të mbështetur, për shembull, përpjekjet që synojnë rinovimin e jetës shoqërore në vende të largëta dhe shpesh të harruara, ose për të lehtësuar bashkimin familjar të të miturve dhe shkëmbimin e të burgosurve, të plagosurve dhe të trupave të të rënëve mes Rusisë dhe Ukrainës”. Imzot Gallagher foli më pas edhe për lidhjet e Vatikanit me Kinën, me të cilën nuk ka ende marrëdhënie "të plota" diplomatike.

12 nëntor 2024, 16:39