Shën Pjetri Shën Pjetri

Jubileu 2025: vullnetarë për mikpritjen e shtegtarëve me projektin “Romea Strata”

"Milja e fundit" e shtegtarëve është riorganizuar plotësisht me riaktivizimin e një seksioni hekurudhor të braktisur dhe me mikpritjen e vazhdueshme në hyrje të Shën Pjetrit

R.SH. - Vatikan

Falë një marrëveshjeje ndërmjet Fabrikës së Shën Pjetrit dhe Fondacionit “Homo Viator – San Teobaldo” të dioqezës italiane të Viçencës, që nga maji i kaluar, është aktiv në Shën Pjetër një shërbim i përhershëm vullnetar për pritjen dhe shoqërimin e udhëtarëve përgjatë rrugës, deri në destinacion, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Romea Strata (ky është emri i nismës dhe i udhës me të njëjtin emër) ndërthur traditën, përshpirtërinë dhe mikpritjen. Përveç itinerarit të rezervuar në Sheshin e Shën Pjetrit për të shmangur radhët e turistëve në meshën e përditshme të shtegtarëve, të gjithë udhëtarët kanë në dispozicion dixhitalizimin dhe sistemimin e të dhënave të mbërritjes së tyre (siç ndodh tashmë në Asizi, ose Santiago), si edhe çertifikatën Testimonium, një pergamenë e çmuar me portretin e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit, që u jepet të gjithë shtegtarëve, pavarësisht nga distanca e përshkuar, me kusht që të mos jetë më pak se njëqind kilometra.

Me kalë, ose me biçikletë

Paradite dhe pasdite, vullnetarët do të presin shtegtarët, që mbërrijnë në këmbë, me kalë dhe me biçikletë, në një lloj postoblloku në shesh, në të ashtuquajturin “kalimi i atyre, që luten”. Alberto Castello de Pereda, " pellegrino per la paz (shtegtar për paqen)" (siç e quan veten), spanjoll, mbërriti në Romë ditët e fundit në këmbë, drejtpërdrejt nga Jerusalemi, pas një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë, për shkak të konfliktit izraelito-palestinez. Majin e kaluar, një çift nga Piza mbërriti në sheshin e Shën Pjetrit me kalë. Të panumërt, shtegtarët e ardhur me biçikletë. Nga qershori deri në tetor 2024, personeli për mikpritjen në Bazilikë ka dhënë 3700 çertifikata “Testimonium”.

Vullnetarë aktivë

Jubileu 2025 është mundësi të jashtëzakonshme për rinovim dhe takim shpirtëror. Si në shekujt e kaluar, edhe sot, shtegtarët përjetojnë udhëtimin me Zotin, dëshirën për të pasur më shumë fe dhe për të shkuar në vendmbërritje me lutje në zemër. Një nga përvojat më të rëndësishme të këtij viti jubilar është pa dyshim ajo e vullnetarit aktiv për të pritur në Romë shtegtarët nga e gjithë bota.

Mikpritje dhe lutje

Kardinali Mauro Gambetti, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit dhe president i Fabrikës së Shën Pjetrit deklaron: "Jemi të lumtur që Fondacioni ‘Homo Viator – San Teobaldo’ na ndihmon në mikpritjen e shtegtarëve, që vijnë nga shumë vende të botës në varrin e Shën Pjetrit Apostull. Ky kujdes e kjo afërsi bën që ata të ndihen më të mirëpritur në këtë vend unik, të dashur për gjithë besimtarët e botës. Në këtë mënyrë, mund të favorizohet reflektimi, çasti i meditimit të brendshëm, që krijohet gjatë heshtjes në një udhëtim të gjatë feje”.

Udha e re

Një risi e rëndësishme është ndryshimi i pjesës së fundit të shtegtimit, që lë mënjanë rrugën Trionfale, në favor të një rruge më të këndshme, e cila i afrohet Bazilikës nga një përspektivë e re, duke e bërë hyrjen në Romë më të thjeshtë dhe më të sigurt. Rruga e re, e cila i çon shtegtarët drejtpërdrejt në Shën Pjetër, ofron një pamje të pakrahasueshme të Romës. RFI (Rrjeti hekurudhor italian) dhe Roma Capitale po ristrukturojnë një seksion hekurudhor të pashfrytëzuar, si dhe tunelin Monte Ciocci, mbyllur që prej dhjetë vjetësh, duke vlerësuar peizazhin dhe duke krijuar një atmosferë të bukur deri në Shën Pjetër. Së shpejti, do të paraqitet udhërrëfyesi i ri Romea Strata, me rreth një mijë kilometra rrugë, ku vihen në dukje aspektet historike, pikat shoqëroro-kulturore dhe ato natyrore gjatë udhës. Ai do t’i shoqërojë shtegtarët nga pikënisja deri në Romë.

19 nëntor 2024, 16:06