Kard. Parolin: "të mos dorëzohemi para pashmangshmërisë së luftës"
R.SH. – Vatikan
Andrea Tornielli
“Nuk mund të dorëzohemi para pashmangshmërisë së luftës! Sinqerisht, shpresoj që kjo ditë e trishtuar, e njëmijta që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, do të shkaktojë një tronditje përgjegjësie tek të gjithë dhe veçanërisht tek ata, që mund ta ndalojnë masakrën në vijim". Kështu deklaron Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin në një bisedë me mediat e Vatikanit, në prag të nisjes së tij për në G20-ën e Brazilit. Ai vetë pati shkuar në Ukrainë korrikun e kaluar, veçanërisht në Lviv, Odesë dhe Kiev.
Cila është gjendja juaj shpirtërore në këtë ditë?
Mund të jetë vetëm trishtim i thellë, sepse nuk mund të mësohemi, ose të qëndrojmë indiferentë para lajmeve, që na vijnë çdo ditë dhe na flasin për vdekje dhe shkatërrim. Ukraina është vend i sulmuar dhe i martirizuar, i cili sheh flijimin e brezave të tërë burrash, të rinj e më pak të rinj, që shkëputen nga studimi, puna dhe familja për t'u dërguar në front; përjeton dramën e atyre, që i shohin të afërmit të vdesin nën bomba ose nën goditjet e dronëve; sheh vuajtjet e atyre që kanë humbur shtëpitë, ose jetojnë në kushte jashtëzakonisht të pasigurta, për shkak të luftës.
Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar Ukrainën?
Së pari, si besimtarë të krishterë, mund dhe duhet të lutemi. Lutjuni Zotit që t'i kthejë zemrat e "zotërve të luftës". Duhet të vazhdojmë të kërkojmë ndërmjetësimin e Marisë, Nënë e nderuar veçanërisht në ato vende, që u pagëzuan shumë shekuj më parë. Së dyti, mund të angazhohemi që t’u tregojmë gjithmonë solidaritetin tonë atyre që vuajnë, atyre që kanë nevojë për kura, atyre që vuajnë nga i ftohti, atyre që kanë nevojë për gjithçka. Kisha në Ukrainë po bën shumë për popullsinë, duke ndarë çdo ditë fatin e një vendi në luftë. Së treti, mund ta ngremë zërin si bashkësi, si popull, për të kërkuar paqen. Mund ta bëjmë thirrjen tonë të dëgjohet, të përpiqemi që kërkesat për paqe të dëgjohen dhe të merren parasysh. Mund t'i themi jo luftës, garës së çmendur të armatimeve, që Papa Françesku vazhdon ta denoncojë. Ndjenja e pafuqisë përballë asaj që po ndodh është e kuptueshme, por është edhe më e vërtetë që së bashku, si familje njerëzore, mund të bëjmë shumë.
Çfarë nevojitet sot që të paktën të heshtin armët?
Është e drejtë të thuhet “të paktën të heshtin armët”. Sepse bisedimet për një paqe të drejtë duan kohë, ndërsa një armëpushim i përbashkët nga të gjitha palët e përfshira - kryesisht i mundësuar nga Rusia, e cila filloi konfliktin dhe duhet të ndalojë agresionin - mund të ndodhë edhe brenda pak orësh, vetëm nëse dëshirohet. Siç e përsërit shpesh Ati i Shenjtë, kemi nevojë për njerëz që vënë gjithçka në dispozicion të paqes e jo të luftës, njerëz që e kuptojnë përgjegjësinë e madhe për vazhdimin e një konflikti me rezultate të këqija jo vetëm për Ukrainën, por edhe për të gjithë Evropën e për të gjithë botën. Një luftë, që rrezikon të na tërheqë drejt konfliktit bërthamor, pra, drejt humnerës. Selia e Shenjtë përpiqet të bëjë gjithçka është e mundur, të hapë kanale dialogu me të gjithë, por kemi ndjenjën se është kthyer mbrapsht ora e historisë. Veprimi diplomatik, durimi i dialogut, krijimtaria në bisedime duket se janë zhdukur, janë trashëgimi e së shkuarës. Dhe janë viktimat e pafajshme ato, që paguajnë çmimin. Lufta u vjedh të ardhmen fëmijëve dhe të rinjve, krijon ndarje dhe nxit urrejtje. Sa shumë nevojë kemi për burra shteti largpamës, të aftë për gjeste të guximshme përvujtërie, në gjendje të mendojnë për të mirën e popullit të tyre. Dyzet vjet më parë, në Romë, u nënshkrua Traktati i Paqes ndërmjet Argjentinës dhe Kilit, i cili zgjidhi mosmarrëveshjen për kanalin Beagle me ndërmjetësimin e Selisë së Shenjtë. Disa vite më parë, të dyja vendet patën arritur në pragun e luftës, me ushtritë e mobilizuara. Gjithçka u ndal falë Zotit: shumë jetë u kursyen, shumë lot u shmangën. Pse nuk është e mundur ta gjesh këtë frymë edhe sot, në zemër të Evropës?
A mendoni se ka vend për bisedime sot?
Edhe nëse shenjat nuk janë pozitive, bisedimet janë gjithmonë të mundura dhe të dëshirueshme për të gjithë ata, që i kushtojnë vëmendje shenjtërisë së jetës njerëzore. Bisedimet nuk janë shenjë dobësie, por guximi. Ajo e "bisedimeve të ndershme" dhe e "kompromiseve të nderuara” - e këtu i referohem fjalëve të Papës Françesku, në udhëtimin e tij të fundit në Luksemburg dhe Belgjikë - ajo e dialogut, është rruga kryesore, që duhet të përshkojnë ata, që kanë në dorë fatet e popujve. Një dialog, që mund të zhvillohet, vetëm kur ekziston një minimum besimi ndërmjet palëve. Kjo kërkon vullnetin e mirë të të gjithëve. Nëse nuk i beson tjetrit, të paktën minimalisht dhe nëse nuk vepron me sinqeritet, gjithçka bllokohet. Kështu në Ukrainë, në Tokën e Shenjtë, ashtu si në shumë zona të tjera të botës, njerëzit vazhdojnë të luftojnë dhe të vdesin. Nuk mund të dorëzohemi para pashmangshmërisë së luftës! Sinqerisht, shpresoj që kjo ditë e trishtuar, e njëmijta që nga shpërthimi i agresionit ushtarak kundër Ukrainës, të shkaktojë një tronditje përgjegjësie tek të gjithë dhe veçanërisht tek ata, që mund ta ndalojnë masakrën në vijim.