Kard. Tagle: ta jetojmë Jubileun duke e vendosur zemrën në qendër të jetës
R.SH. – Vatikan
“Mund të thuhet se unë jam zemra ime, sepse ajo më dallon nga të tjerët, e përvijon identitetin tim shpirtëror dhe më bashkon me të tjerët”: kjo është një nga frazat më kuptimplote të “Dilexit nos”, enciklikës së Papës Françesku, botuar më 24 tetor. Një dokument magjistral, që nuk pati aq jehonë sa dy enciklikat shoqërore “Laudato si'” dhe “Fratelli tutti”, por që përfaqëson një çelës për interpretimin e gjithë papnisë së tij. “Dilexit nos” mund të jetë e dobishme për të kuptuar më mirë edhe një ngjarje si Sinodi mbi sinodalitetin, që sapo ka përfunduar, si edhe Jubileun, që do të fillojë pas disa javësh. Mediat e Vatikanit biseduan për këtë me kardinalin filipinas Luis Antonio Tagle, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin, i cili reflekton edhe mbi përkushtimin ndaj Zemrës së Krishtit, shumë i përhapur në Filipine, praktikuar prej tij që në moshë të re.
“Papa Françesku – komenton ai - është Papa i surprizave. Ndonëse njoftimi i enciklikës dhe botimi i saj ishin disi të papritura, pasi vëmendja përqendrohej në Sinodin e Ipeshkvijve, nuk u habita edhe aq për faktin se Ati i Shenjtë po botonte një enciklikë mbi dashurinë e Jezusit për ne, simbolizuar nga Zemra e Krishtit. Për mua, kjo ishte mënyra e Atit të Shenjtë për t'i bërë më të qarta themelet kristologjike të enciklikave shoqërore “Laudato si'” dhe “Fratelli tutti”. Dashuria e Jezusit, kur e marrim, na lejon të shohim vëllain apo motrën në qeniet e tjera njerëzore (Fratelli tutti) dhe të jemi kujdestarë të vëmendshëm, të përvuajtur dhe të përgjegjshëm të shtëpisë sonë të përbashkët (Laudato si'). Do të thosha se shkrimet dhe fjalimet e Papës Françesku bazohen sistematikisht mbi besimin tonë në Vetjen dhe në misionin e Jezu Krishtit. Sugjeroj rileximin e këtyre dy enciklikave shoqërore për të gjetur gjurmë ose fara të “Dilexit nos” të pranishme në to”.
Në Filipine, përkushtimi për Zemrën e Krishtit është shumë popullor, sidomos ndër njerëzit më të thjeshtë. “U jemi mirënjohës urdhrave të shumtë fetarë, që mbajnë emrin e "Zemrës së Krishtit" – vëren kardinali Tagle, duke përmendur Shoqërinë e Jezusit dhe Apostullatin e Lutjes, që e promovojnë këtë përkushtim. - Përveç lutjeve çdo të premte të parë të muajit, është zakon që në shtëpi të kemi një fugure të Zemrës së Krishtit të kurorëzuar. I lutemi Zemrës së Jezusit që t’i drejtojë dhe t’i qeverisë familjet dhe kombin tonë, me mëshirën dhe dashurinë e saj. Kjo lutje vjen nga një popull i lënduar nga padrejtësia, lakmia, korrupsioni dhe indiferenca. Përkushtimi shërben edhe si kujtesë për t’i kërkuar Jezusit t'i transformojë vazhdimisht zemrat tona për të qenë si e Tija. Edhe sot, në disa raste, ne këndojmë himnin zyrtar të Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik të mbajtur në Manila (1937), një himn për Zemrën e Krishtit në spanjisht, në të cilin kombi i ofron zemrën e tij Jezusit: “no más Amor que el tuyo, O Corazon Divino. El Pueblo Filipino te da su corazón”. Kjo këngë na sjell gjithmonë ngushëllim në zemër dhe lot në sy”, vëren kardinali filipinas.
Në enciklikën “Dilexit nos”, Papa vëren se njerëzimi sot duket se po e humb zemrën dhe i fton të krishterët të rizbulojmë se si na do Zemra e Jezusit. “Sugjeroj – thekson kardinali Tagle - të lexohet përshkrimi i sipërfaqësisë, që jep Ati i Shenjtë si udhëzues për shqyrtimin e ndërgjegjes. Vetëdija se po humbasim ngadalë kontaktin me shpirtin dhe me vetveten është hapi i parë për ta zgjuar zemrën. Më pëlqen edhe lista e shenjtorëve, që bën Papa Françesku, ose ajo që unë e quaj "kortezh" apo procesion i shenjtorëve, të cilët na japin dëshmi për dashurinë e pamasë të Zemrës së Krishtit dhe për mënyrën si ua ndryshoi jetën dhe misionin e tyre”.
“‘Dilexit nos’ – vijon më tej pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin - ka shumë për t'i mësuar Kishës, që dëshiron të jetë sinodale dhe misionare. Gjatë sesionit të sapopërfunduar të Sinodit të Ipeshkvijve u tha vazhdimisht se sinodaliteti ka të bëjë, në fund të fundit, me marrëdhëniet: me Zotin, me gjithë të pagëzuarit që përbëjnë Kishën, me gjithë njerëzimin dhe gjithë Krijimin. Përtëritja e Kishës në sinodalitetin misionar mund të arrihet vetëm nëse lidhemi me besim, bindje dhe përvujtëri me Zotin Njini e Trini, që është dashuria. Sinodaliteti misionar kërkon një marrëdhënie nga zemra në zemër ndërmjet barinjve dhe besimtarëve, ndërmjet Kishave lokale e kështu me radhë, ku zemra e të gjithëve pastrohet nga paragjykimet ndaj të tjerëve dhe nga krenaria vetëpromovuese, prandaj, është e aftë të dëgjojë me ndjeshmëri. Pa marrëdhënie njerëzore të purifikuara nga hiri hyjnor, sinodaliteti misionar mund të reduktohet në propozime thjesht burokratike dhe legaliste, pa një zemër që përflaket nga Shpirti Shenjt, flaka e dashurisë hyjnore”.
Jubileu 2025 po afron: një vit hiri, pajtimi dhe çlirimi. Një vit i shenjtë që Papa e përqendroi në temën e shpresës. “Lidhja e ‘Dilexit nos’ me Jubileun e ardhshëm – komenton kardinali Tagle - përqendrohet në shtegtimin e shpresës, në përmasën misionare të përkushtimit ndaj Zemrës së Shenjtë të Krishtit. Zemra e Jezusit është zemër misionare, e cila, nëpërmjet një zemre njerëzore, mbart dashurinë e jashtëzakonshme hyjnore për gjithë njerëzit, për të gjitha situatat njerëzore dhe për Krijimin. Dashuria e mëshirshme e Zemrës së Krishtit jep shpresë për një botë të shpërbërë, veçanërisht për ata, që nuk shohin asnjë mundësi shëlbimi në jetën e tyre. Papa Françesku na fton ta lejojmë të hyjë dashurinë e Jezusit në zemrat tona dhe ta lëmë të rrjedhë, pa e penguar dashurinë e Jezusit të arrijë tek njerëzit e tjerë dhe tek shoqëria. Krishti na do, ndaj kemi shpresë”, përfundon kardinali Tagle.