Kard. Parolin: lufta në Ukrainë, le të ndalemi përpara të pariparueshmes

Kardinali Parolin, me rastin e prezantimit të një libri në Lumsa, në Romë, nuk komenton urdhërarrestin ndërkombëtar për Netanyahun: "Ne jemi të interesuar që lufta të përfundojë sa më shpejt". Për fjalët e Papës për "gjenocidin" në Gaza, shprehet: "Papa ripohon qëndrimin e Selisë së Shenjtë, ekzistojnë kritere teknike për të përcaktuar këtë koncept". Për çështjen e antisemitizmit: “Ne jemi gjithmonë shumë të qartë për fenomenin, e kemi dënuar dhe do të vazhdojmë ta dënojmë”

R.SH. – Vatikan

Selia e Shenjtë nuk komenton vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për urdhërarrestin ndërkombëtar kundër kryeministrit izraelit Netanyahu për krime lufte, por bënë thirrje, në dritën e tensioneve në rritje në konfliktin në Ukrainë, për të ndaluar luftën "përpara se të mbërrijmë në një situatë të pariparueshme”. Kështu tha Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin duke iu përgjigjur pyetjeve, mbi natyrën aktuale të konflikteve që tronditin botën, gazetarëve që e takuan sot, më 22 nëntor, me rastin e prezantimit të librit në Universitetin Lumsa, "Kujdesi baritor i vetmisë. Një propozim i ri” përgatitur nga Profesor Matthew Fforde (botimet Cantagalli).

Më pas për fjalët e Papës që të hetohet nëse ai i Gazës, ku numri i viktimave ka kaluar mbi 44 mijë, mund të konfigurohet si “gjenocid”, kardinali Parolin u shpreh “Papa ka thënë se cili është qëndrimi i Selisë së Shenjtë dhe se duhet të studiohen këto gjëra, sepse ka kritere teknike për të përcaktuar konceptin e gjenocidit".

Shqetësimi për Ukrainën

Në urdhër-arrestin për Netanyahun, kardinali Parolin shpjegon se Selia e Shenjtë "ka marrë parasysh atë që ka ndodhur" dhe ripohon se ajo që "na shqetëson dhe na intereson është që lufta të përfundojë së shpejti". I njëjti shqetësim vlen edhe për Ukrainën pas lëshimit të raketave me rreze të gjatë të prodhimit britanik dhe amerikan në territorin rus dhe kërcënimeve të Presidentit Vladimir Putin për një konflikt që mund të përhapet në shkallë globale.

Kardinali Parolin thotë se ai "interpreton mendimet dhe shqetësimet e Papës: duhet të ndalemi tani që jemi në kohë, sepse nuk e dimë se ku do të çojë ky përshkallëzim!", bëri thirrje Sekretari i Shtetit të Vatikanit. “Në një moment të caktuar nuk do të dimë më të kontrollojmë zhvillimin e mundshëm të kësaj situate”, shton kardinali Parolin duke u bërë thirrje atyre që kanë përgjegjësi të ndalojnë përpara se të arrijnë të pariparueshmen.

Vazhdon puna për shkëmbimin e të burgosurve dhe kthimin e fëmijëve

I pyetur për konfliktin në Ukrainë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, tha “se Selia e Shenjtë, përveç shqetësimit për një përshkallëzim të mëtejshëm, shpreh afërsinë e saj me vendin e "torturuar", Ukrainën, duke vazhduar punën për shkëmbimin e të burgosurve dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të çuar me forcë në Rusi. “Nga ana jonë ekziston dëshira për të vazhduar misionin. Është punuar gjithmonë jo vetëm për të mirën e kësaj nisme në vetvete, por edhe për të përgatitur terrenin për të arritur në negociata”.

Fjalët e Papës për Gazën

Së fundi, kardinali Parolin nuk iu shmang një kërkese për të komentuar fjalët e Papa Françeskut që përmban një libër për Jubileun, ku sipas mendimit të "disa ekspertëve", "ajo që po ndodh në Gaza ka karakteristikat e një gjenocidi“. “Kjo – shton Papa në libër – duhet studiuar me kujdes për të përcaktuar nëse bie në përkufizimin teknik të formuluar nga juristët dhe organet ndërkombëtare”.

Për Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Parolin, Françesku thjesht ripohon "qëndrimin e Selisë së Shenjtë" dhe kjo do të thotë se "këto gjëra duhet të studiohen, sepse ekzistojnë kriteret teknike për të përcaktuar konceptin e gjenocidit. Papa ka thënë këtë, më duket se ka përsëritur atë që kemi thënë gjithmonë, ose më mirë, atë që ka ripohuar gjithmonë”.

Dënimi i antisemitizmit

I pyetur për antisemitizmin, kardinali Parolin kujton se "qëndrimi i Selisë së Shenjtë është i qartë" për fenomenin: "Nuk ka nevojë të bëjmë konsiderata të mëtejshme. Ne e kemi dënuar gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta dënojmë dhe do të mundohemi t'i krijojmë ato kushte, për sa na takon, që realisht të ketë një dënim të prerë dhe një luftë serioze ndaj këtij fenomeni”.

22 nëntor 2024, 13:19