Kardinali de Mendonça: Kisha ka nevojë për poetë, rezerva të njerëzimit

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Kulturën dhe Arsimin paraqet takimin ndërkombëtar të poezisë “Nel nome del Cantico" - "Në emër të Këngës”, organizuar për nder të 800 vjetorit të "Këngës së Krijesave", krijesë e Shën Françeskut. Me nismën e Dikasterit, takimi do të mbledhë, nga data 2 deri më 4 dhjetor, një delegacion poetësh nga mbarë bota, ndërmjet Romës dhe Asizit, për të rizbuluar vlerat e paqes dhe vëllazërisë, përmes poezisë.

R.SH. / Vatikan

“Ne kemi nevojë për poetë që mund të na ndihmojnë ta duam botën, të gjejmë fjalë shprese dhe të rifillojmë marrëdhënie më të shëndetshme dhe më të ekuilibruara me natyrën. Ne kemi nevojë për rezervën e humanizmit dhe vizionin që përfaqësojnë poetët”. Kardinali José Tolentino de Mendonça, vetë teolog dhe poet, flet me pasion për nismën e organizuar nga Dikasteri i Vatikanit për Kulturën dhe Arsimin, prefekt i të cilit është, për të nderuar 800-vjetorin e Cantico delle Creature, Këngës së Krijesave, krijuar nga Shën Françesku.

Nga data 2 deri më 4 dhjetor, do të bëjë pjesë në një grup poetësh e poeteshash të njohura ndërkombëtarisht, të cilët do të mblidhen në Vatikan dhe, më pas, në Asizi dhe në Romë, për t'u frymëzuar nga ai tekst që njihet si themelues i letërsisë italiane, për të krijuar vepra të frymëzuara nga vlerat françeskane e, për të rizbuluar përmes poezisë vlerat e paqes dhe vëllazërisë. Veprimtaria, e titulluar Nel nome del Cantico (Në emër të Këngës së Krijesave) të Shën Françeskut të Asizit, organizohet në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar Italian për Kremtimin e Tetëqindvjetorit të vdekjes së Shën Françeskut dhe dëshiron të kremtojë trashëgiminë e tij si figurë e lidhjes ndërmjet popujve, rojtar i krijimit dhe nismëtar i marrëdhënieve njerëzore të bazuara mbi faljen dhe lirinë.

Farë risie

Po pse bashkohen 18 poetë të kombësive të ndryshme në Vatikan? “Poetët janë të rëndësishëm dhe marrëdhënia e tyre me kishën dhe krishterimin nuk është e re”, shpjegon kardinali i intervistuar nga mediat e Vatikanit. “Këtë vit festojmë 800-vjetorin e Këngës së Krijesave dhe e dimë se ai kompozim poetik pati rol themelor në përshpirtërinë e vizionin e botës, në përvojën e krishterë, në marrëdhëniet me krijesat e tjera”. “Mund të themi se krijoi vërtet ndjeshmëri të re. E këtë presim edhe nga poetët e kohës sonë, të cilët sjellin farat e risisë, të së ardhmes e mund të na tregojnë të rejat, duke nxjerrë në pah edhe mundësi të tjera”.

Figurë e takimit ndërkombëtarë të Poezisë
Figurë e takimit ndërkombëtarë të Poezisë

"Poetët socialë" të Papës Françesku

Në korrik 2024, Papa Françesku botoi një Letër mbi rolin e letërsisë, në të cilën nënvizon aftësinë e poezisë për të prekur zemrën e njeriut dhe, kohëve të fundit, në parathënien e librit Antologjia e poezisë fetare – e përkufizon poetin si ai që “me sytë e tij shikon e njëkohësisht dhe ëndërron, sheh më thellë, e edhe profetizon”. “Shumë herë kur flet në publik, si me shkrimtarët, ashtu edhe me fëmijët shkollave, Papa Françesku e përdor termin Poet - si sinonim i krijimtarisë”, shpjegon prefekti i Dikasterit për kulturën dhe arsimin. "Njeriu krijues në sferën shoqërore, është dikush që mund të imagjinojë, mund t’i krijojë të tashmes mundësi të reja, domethënë, atë që ende nuk ekziston, por që mund ta pasurojë shumë realitetin".

Poetët, rezerva e njerëzimit

“Sot, si dje, Kisha ka nevojë për ju dhe juve ju drejtohet” - pati thënë Pali VI në përfundim të Koncilit të Dytë të Vatikanit, në Mesazhin drejtuar artistëve, pasi deshi të  rilidhte miqësinë me ta në Kapelën Sikstine, në vitin 1964. A mund të themi se edhe sot Kisha u kërkon ndihmë poetëve? “Absolutisht po”, komenton kardinali Tolentino de Mendonça. “Këtë e ripërsërit sot Papa Françesku. Ne kemi nevojë për njerëz krijues, shkrimtarë, novelistë, tregimtarë të rinj, kemi nevojë për poetë që mund të na ndihmojnë ta duam botën, të gjejmë fjalë shprese, të na ndihmojnë të rifillojmë një marrëdhënie më të shëndetshme dhe më të ekuilibruar me natyrën. Poetët janë rojtarë të frymëzimit të njerëzimit”. “Poeti - shpjegon kardinali - është një lloj rezerve e njerëzimit, sepse me fjalët e tij përpiqet gjithnjë të humanizojë ndjenjat dhe përvojat. E pikërisht kjo na duhet: rezerva e njerëzimit dhe vizioni që përfaqësojnë poetët”.

Pali VI kryeson një takim në Kapelën Sikstine
Pali VI kryeson një takim në Kapelën Sikstine

Një farë e fshehur në zemër të kohës

Në emër të Këngës së Këngëve propozohet edhe një çast diskutimi ndërmjet artistëve të fjalës për të rizbuluar rëndësinë e Cantico di Frate Sole që, sipas studiuesve, Françesku i Asizit e kompozoi ndërmjet viteve 1224 dhe 1226, vit i kalimit të tij në atë jetë, të cilën e kishte ëndërruar aq sa t’i këndonte me gjithë zemër!

Po sot kjo "Është çështje aktuale e madhe dhe e tërthortë," shpjegon kardinali. “Takimi synon të meditojë mbi pasardhësit e Kantikut, mbi ndikimin e tij, jo vetëm në nivelin e kulturës dhe gjuhës në Itali dhe në kulturat e tjera, por edhe mbi vizionin, mënyrën si duhet të jetë poeti, si duhet të jetë artisti”. “Duam të reflektojmë për ndikimin e saj mbi brezat e lexuesve që mësuan të ndërtojnë marrëdhënie më universale dhe më vëllazërore me të gjitha krijesat, duke nisur nga ajo këngë”, shpjegon Tolentino de Mendonça. “Le të mendojmë se sa poezi, sa filma, sa romane, vepra kulture krijuar duke medituar pikërisht mbi këtë kompozim,  që është si farë e fshehur në zemër të kohës”.

Françesku: Kënga e Krijesave, mësim i madh për kujdesin ndaj krijesës
Françesku: Kënga e Krijesave, mësim i madh për kujdesin ndaj krijesës

 "A mund ta tregosh këtë?"

Në një shekull në të cilin njerëzimi duhet të përballet sërish me tmerrin e luftës, kontributi i poetëve në promovimin e paqes mund të duket i dorës së dytë. Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Kulturën nuk është dakord. “Më kujtohet një anekdotë që lidhet me biografinë e poetes ruse Anna Achmátova, - tregon - e cila në një periudhë lufte dhe internimi po kërkonte djalin e saj. Një burrë që po kërkonte gjithashtu me dëshpërim djalin e tij e njohu atë dhe, duke e parë, e pyeti: 'A mund të ma thuash këtë?'. "Këtu - shpjegon Tolentino de Mendonça - poetët janë ata që mund të tregojnë: tregoni dramën e luftës - mendoni për poezinë e Primo Levit në "Nëse ky është njeri" - bëni pyetjet që i ndihmojnë njerëzit të kërkojnë paqe dhe të kuptojnë se cila është e vetmja e vërtetë, zgjidhje humane dhe e dëshirueshme.”

Mjeshtra të heshtjes

Papa Françesku shkroi se poetët mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë Zotin si "Poet i njerëzimit". Kardinali Tolentino de Mendonça nënvizon me një metaforë aftësinë e shkrimtarëve për të shfrytëzuar imagjinatën tonë ndaj misterit të Zotit. Dhe Zoti flet në heshtje." “Nëse ne si shoqëri heqim heshtjen, heqim mundësinë e hyrjes në misterin e Zotit që dëshiron të ndihet në heshtje. Poetët janë mjeshtër të heshtjes, sigurisht të fjalës, por të gjithë poetët janë pasojë e heshtjes dhe dinë ta banojnë heshtjen në mënyrë teologjike”.

Programi treditor

Takimi ndërkombëtar i poezisë "Nel nome del Cantico" do të mbledhë, me iniciativën e Dikasterit të Vatikanit për Kulturën, një përfaqësi shkrimtarësh të kombësive dhe gjuhëve të ndryshme: tetëmbëdhjetë poetë, trembëdhjetë burra dhe pesë gra, ardhur nga Italia, Spanja, Portugalia, Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Argjentina. Veprimtaria është e ndarë në tri ditë: një seminar i rezervuar vetëm për poetët në Dikaster, mëngjesin e 2 dhjetorit, i ndjekur pasdite nga një lexim publik në Kishën e San Francesco a Ripa, në Romë. Më 3 dhjetor, shtegtimi në Asizi dhe, së fundi, dialogu me publikun në panairin e botimeve "Più Libri Più Liberi" (Më shumë Libra, më të Lirë!” ) në Nuvola all'EUR, gjhithnjë në Romë, të mërkurën më 4 dhjetor. “Është një organizim, që të lejon të ndjekësh takime shumë të ndryshme”, shpjegon Tolentino de Mendonça. “Fillojmë me dëgjimin e poetëve e të njëri-tjetrit në mënyrë që ata të njihen dhe të përpiqen të paraqesin punën e tyre. Më pas, leximi në San Francesco a Ripa, që do të jetë frymë lutjeje, e formuar nga fjalët e poetëve.

Vizita në Asizi u kërkua nga të gjithë poetët, sepse do të thotë të dëgjosh vendin ku lindi Kënga e Krijesave. E, së fundi, takimi me lexuesit, lexuesit e këtyre poetëve dhe lexuesit e Françeskut të Asizit”.

30 nëntor 2024, 10:07