Kurora e Ardhjes na përgatit për kremtimin e lindjes së Krishtit
R.SH. / Vatikan
Koha e Ardhjes 2024 nisi të dielën, më 1 dhjetor. Atë ditë shumë familje dhe famulli kishtare vendosnin Kurorat e tyre të Kohës liturgjike të Ardhjes së Zotit: një rreth i thurur me degë të blerta, të cilat zakonisht shoqërohen me zbukurime të ndryshme ose shirita të kuq. Kryesorë, katër qirinj - katër simbole - që ndizen një nga një çdo të diel. Deri të Dielën e Krishtlindjes, kur mbi botën mbarë vërshon drita e pambaruar e Betlehemit, ku Lindi Jezu Krishti!
Elementet që përbëjnë Kurorën e Ardhjes kanë kuptime të ndryshme.
Forma rrethore
Meshtari i kryeipeshkvisë së Maracaibo (Venezuela), Don Silverio Osorio, komenton në Instagram simbolin e kurorës: kurora ka formë rrethore, simbol i "dashurisë së Zotit, dashuri e përjetshme, që nuk ka kurrë fillim, as ka për të pasur kurrë mbarim!”. Rrethi është simbol i dashurisë sonë për Zotin e të afërmin. Dashuri e pamort!
Degët e blerta
Atë José de Jesús Aguilar Valdés komentoi në YouTube degët e blerta. Janë degë pishe, simbol pavdekësie, sepse "ndërsa të gjitha pemët humbasin gjethet gjatë dimrit, pisha i ruan gjithmonë degët e saj të gjelbra" . E gjelbra është "edhe ngjyrë e shpresës dhe e jetës", shtoi Don Osorio. “Zoti dëshiron që ne të presim hirin e Tij, faljen e mëkateve dhe lumninë e pamort në fund të jetës sonë”, shtoi meshtari.
“Dëshira më e rëndësishme në jetë duhet të jetë bashkimi më i ngushtë me Zotin, Atin tonë” - kujtoi Don Osorio.
Qirinjtë
Atë Viktor Jimenez Glez kujtoi se qirinjtë "janë simbol i Krishtit - dritë e botës". Dritë "që na ndihmon të mos e humbasim kurrë rrugën, na shoqëron në mes të dhimbjes dhe trishtimit e na shpëton nga ngricat e mëkatit.
“Pas rënies së parë të njeriut, Zoti ngjalli shpresën e shpëtimit, që ndriçoi gjithë universin, si qirinjtë në kurorë” - shpjegoi Don Osorio.
Qirinjtë e ndezur simbolizojnë Jezusin
Drita e katër qirinjve ndezur njëheresh simbolizon Shëlbuesin: i vetmi që mund të na japë jetë dhe lumturi - shtoi Fra Jimenez.
"Ashtu si shekujt ndriçohen nga ardhja gjithnjë e më e afërt e Krishtit në botën tonë, errësira zhduket nga çdo qiri që ndezim" - kujtoi Don Osorio.
Atë Aguilar kujtoi se nuk ka asnjë ngjyrë specifike për qirinjtë, por se "është zakon të përdoret vjollca, ngjyrë e Kishës në Kohën e Ardhjes dhe në Kreshmë, si shenjë pendimi e kthese".
“Ngjyra vjollcë mund të zbehet a të ndryshohet në të kuqe, rozë e edhe të bardhë, simbol i shndërrimit të vazhdueshëm shpirtëror" - shpjegoi Fra Aguilar, i cili këshilloi që qirinjtë të ndizen familjarisht, së bashku, shoqëruar me lexim ose lutje "sepse kurora e Ardhjes është simbol. Na ndihmon të kujtojmë se simbolet e Krishtlindjes nuk janë thjesht zbukurime, dhurata a shprehje të festës shoqërore".
Zbukurimet dhe frutat. Don Osorio kujtoi se shiriti i kuq dhe stolitë me ngjyra që mund të ketë kurora përfaqësojnë "shprehjen e dashurisë së Zotit në Kryq. Është gëzimi që na sjell Shëlbuesi". Ato mund të jenë edhe pasqyrim i “punëve të mira” që bën njeriu, kujtoi Atë Aguilar.
Më në fund, të tre meshtarët kujtuan se kjo përgatitje nuk është vetëm për pritjen e Krishtit Fëmijë, por kryesisht për takimin tonë me Krishtin, "si në vdekjen tonë ashtu edhe në ditën e gjykimit", përfundoi Fra Aguilar.