Kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot Kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot  (Vatican Media)

Ndërroi jetë Ayuso Guixot, kardinali i dialogut ndërmjet feve

Ndërroi jetë sot, në moshën 72-vjeçare, Kardinali spanjoll, prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar. Ishte shtruar në Poliklinikën Gemelli. Në krye të Dikasterit që nga viti 2019, e shoqëroi Papën në pothuajse të gjitha shtegtimet e tij të fundit apostolike. Së fundmi, shëndeti i ligësht e detyroi t'u nënshtrohej shtrimeve në spital dhe operacioneve të vazhdueshme. Këtë mëngjes Francesku shprehu një mendim për të.

R. SH. - Vatikan

Figurë e matur, e sjellshme, me inteligjencë dhe njohuri të madhe e me besim të thellë. Shihej shpesh duke ecur përgjatë Via della Conciliazione duke u lutur me zë të ulët, ndërsa shkonte në zyrën e tij. Kështu e kujtojnë shumë njerëz kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot, prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, i cili vdiq sot, më 25 nëntor, në moshën 72-vjeçare, i shtruar në Poliklinikën Gemelli. E pikërisht sot në mëngjes Papa, gjatë fjalimit drejtuar një delegacioni ndërkombëtar gjianist, në të cilin ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Dikasterit, e përmendi kardinalin spanjoll: "Ai është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, në fund të jetës", tha trishtueshëm.

Ayuso Guixot prej kohe kishte probleme shëndetësore, të cilat e detyruan t'u nënshtrohej shtrimeve dhe operacioneve të përsëritura në spital. Për këtë arsye, nuk mundi ta shoqëronte Papën shtatorin e kaluar në shtegtimin e gjatë papnor në Azinë Juglindore dhe Oqeani, ku mirëkuptimi ndërfetar është i fortë. Nga shumë "udhëtimet e vëllazërisë", si kardinal, ekspert i madh i Islamit dhe botës arabe, i pëlqente të përshkruante vizitat e Papës Françesku në vendet ku Kisha Katolike është pakicë, për të forcuar dialogun ndërmjet feve si përparësi të papnisë. Udhëtime në të cilat Ayuso Guixot kishte marrë pjesë gjithmonë pranë Papës.

Në veçanti, në vitin 2019, udhëtoi në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Marok, në shkurt dhe mars si sekretar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, ndërsa në nëntor, në Tajlandë dhe Japoni, si kryetar i të njëjtit Dikaster, disa javë pasi u krijua kardinal më 5 tetor 2019. Më pas ishte i pranishëm në udhëtimin historik të Papës në Irak, në mars 2021, i pari pas pushimit të detyruar për shkak të pandemisë. Një shtegtim ky, në tokën e Abrahamit, i cili, pati thënë kardinali në disa intervista, kishte rigjallëruar një vend të martirizuar: pas vizitës së Papës, bota nuk do ta kujtonte vetëm për dhunën dhe skenat e shkatërrimit, por edhe për harenë dhe gëzimin e popullit të saj. Pavarësisht të gjithave.

Në vitin 2022, kreu i Dikasterit ishte me Papën në Kazakistan dhe Bahrein. Një vit më pas u kthye i vetëm në dy raste për t'i dhënë shugurimin ipeshkvnor imzot Aldo Berardit, vikar apostolik i Arabisë Veriore, dhe për hapjen e Portës së Shenjtë në Abu Dhabi për Jubileun e Martirëve të Arabisë. Ishte i pranishëm edhe në Mongoli, në shtator të vitit 2023. Më pas sëmundja e bëri të vetën.

I pesti nga nëntë fëmijët e një familjeje të madhe dhe thellësisht katolike,   lindi më 17 qershor 1952 në Sevilje (Spanjë). Dhe pikërisht kultura e qytetit andaluzian, në të cilin kulla e katedrales - një nga kishat më të mëdha në botë - kishte qenë më parë minarja e një xhamie të madhe, kishte ndikuar fuqishëm në ndjeshmërinë e tij, si dhe mjedisi i brendshëm. Fillimisht ndoqi Collegio Sant'Antonio Maria Claret, duke kaluar një vit në seminarin e vogël të Seviljes. Më pas u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë në universitetin e qytetit, ndërsa vazhdoi të frekuentonte kishën dhe qendrat shpirtërore për të rinjtë. Atje ra në kontakt me revistën dhe botimet e misionarëve Comboni të Zemrës së Krishtit e vendosi, në shtator 1973 të hynte në kongregatë. Më 2 maj 1980 bëri kushtet e përjetshme, më pas u shugurua meshtar më 20 shtator të po atij viti. Vazhdoi studimet në Romë, në Universitetin Papnor Urbanian dhe në Institutin Papnor të Studimeve Arabe dhe Islame (Pisai), ku mori licencën, në vitin 1982.

Në tetor të të njëjtit vit u nis për në Egjipt, famullitar në Kajro, në komunitetin latin të Zemrës së Krishtit, në Abbasiyya, jo shumë larg Universitetit Al-Azhar, duke iu kushtuar mirëpritjes dhe ndihmës të të rinjve katolikë sudanezë të pranishëm në kryeqytetin egjiptian si studentë, migrantë apo refugjatë politikë. Kjo përvojë, më pas, e çoi në Sudan gjatë luftës civile. Në vitin 2006 ishte drejtor i Pisait, ku më parë kishte qenë drejtor i studimeve, kur Misionarët e Afrikës (Etërit e Bardhë) hapën një shtëpi për priftërinjtë dhe rregulltarët në Tunis.

Në vitin 2007 u emërua këshilltar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Në atë vit, Kardinali Jean-Louis Tauran u emërua president. Në vitin 2012 Papa Benedikti XVI e emëroi sekretar të Dikasterit. Pas vdekjes së Tauranit, Françesku e emëroi prefekt, më 25 maj 2019. Një ndryshim pothuajse i natyrshëm në krye të Këshillit Papnor që merret me marrëdhëniet me fetë e tjera. Prej andej, një sërë angazhimesh, udhëtimesh në çdo cep të botës për t'u dëshmuar vëllezërve tanë myslimanë, hindu, budistë, sik, shinto, konfucianë ose fetarë tradicionalë mundësinë e  dialogut dhe të punës së përbashkët, si "të gjithë vëllezërit".

25 nëntor 2024, 17:48