Kërko

Ai Musei Vaticani le anime di Bernini Ai Musei Vaticani le anime di Bernini

Në Muzetë e Vatikanit "Shpirtrat" ​​e Berninit, për të hyrë në Jubile

Dy kryevepra të hershme të Gian Lorenzo Berninit, vështirë për t'u parë nga publiku, do të ekspozohen në Muzetë e Vatikanit deri më 31 janar, falë bashkëpunimit me Ambasadën Spanjolle në Selinë e Shenjtë. Koleksionet papnore përurojnë kështu kalendarin e veçantë të ngjarjeve për Jubileun, duke iu përgjigjur thirrjes së Papës për të gërshetuar fenë me kulturën. Të ardhurat nga shitjet e katalogut do t'i dhurohen popullsisë së Valencias

R.SH. / Vatikan

Ekstazë në praninë e Zotit Atë. Terror, ankth, klithmë e hutim i atyre, që tani janë pa shpresë. Këto janë shprehjet e Shpirtit të Bekuar (Anima Beata) dhe atij të Dënuar (Anima Dannata) të Gian Lorenzo Berninit. Pak si ai qenë në gjendje të shprehin ndjenjat dhe emocionet për ta ftuar besimtarin të meditojë mbi vdekjen, shpëtimin, gjykimin e mbramë, parajsën e ferrin.

Ekspozita "Shpirtrat e Berninit" në Muzetë e Vatikanit
Ekspozita "Shpirtrat e Berninit" në Muzetë e Vatikanit

Mikelanxhelo i kohës së tij

Dy skulpturat janë protagonistët e ekspozitës “Shpirtrat e Berninit”,  paraqitur këto ditë e vendosur në hapësirat intime të Sallës XVII në Galerinë e Arteve të Vatikanit, ku do të mund të takohen deri më 31 janar. Kryeveprat, në qendër të ekspozitës së organizuar nga Muzetë e Vatikanit dhe Ambasada Spanjolle pranë Selisë së Shenjtë, zbulojnë talentin e padiskutueshëm të artistit, asokohe në moshë të re. Nuk është rastësi që Pali V, i pari nga tetë Papët me të cilët Bernini kishte marrëdhënie, pati parashikuar: "Ky djalosh do të jetë Michel'Angelo i kohës së tij".

Autoportreti i Berninit

Të dy veprat vijnë nga Ambasada e Spanjës pranë Selisë së Shenjtë dhe ky është vetëm e treta herë që ekspozohen për publikun me rastin e Jubileut tashmë fare pranë. Të jashtëzakonshme për trajtimin e përkryer të mermerit, dy kokat janë dëshmi e marrëdhënieve fillestare të drejtorit të ardhshëm të Romës baroke me bashkësinë spanjolle të pranishme në Qytetin e Amshuar: e para ka fytyrën e idealizuar të një gruaje me shikimin e kthyer lart, në soditje të Parrizit. Rrudhat, flokët e çrregullt, goja e hapur dhe e deformuar nga një ulërimë, që i del nga pamja e ferrit, duken në të dytin, në të cilin Bernini portretizon veten. "Thuhet se skulptori qëndroi para një pasqyre dhe u përzhit nga zjarri i një qiriu: “e provoi, kështu mbi vete, shprehjen e shpirtit të mallkuar” shpjegon në Radio Vatikan Helena Perez Gallardo nga Universiteti Complutense  e cila, së bashku me Drejtoreshën e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, organizuan ekspozitën.

Ekspozita “Shpirtat e Berninit” në Muzetë e Vatikanit
Ekspozita “Shpirtat e Berninit” në Muzetë e Vatikanit

Bernini dhe Spanja

“Janë dy vepra të hershme, krijuar në vitin 1619. E porosia e parë e rëndësishme  e marrë nga prifti sevilian Pedro de Foix Montoya. Prelati porositi skulptorin të krijonte varrin për kishën e San Giacomo degli Spagnoli. Mbretërit e Spanjës financuan kapelën Raimondi në Shën Pjetër në Montorio, ndërsa në vitin 1647 gati pesëdhjetë vjeçari Gianlorenzo filloi të dekoronte kapelën Cornaro të Santa Maria della Vittoria me Ekstazën e famshme të Shën Terezës. Jo vetëm kaq: skulptori gjithashtu krijoi pajisje të ndryshme kalimtare për festime të lidhura me Spanjën dhe mori porosi të rëndësishme gjatë mbretërimit të Filipit IV. Për Panteonin Mbretëror të Escorial-it krijoi një Krisht të kryqëzuar dhe në të njëjtën kohë, në vitet 1950, përmes Obra Pia spanjolle, sovrani financoi vepra të rëndësishme në Vatikan, duke përfshirë shtatoren e Kostandinit kaluar. “Më pas, për Markezin del Carpio, realizoi në kopshtet e Pallatit Blenheim, një kopje të Shatërvanit të Katër Lumenjve, kujton Helena Perez Gallardo.

Meditim mbi realitetet e fundme

Dy kokat rinore të Berninit, teatrale në shprehjen e tyre emocionale, si pjesa më e madhe e prodhimit të skulptorit të madh barok, shpesh lidhen me veprat e mëvonshme, si e vërteta ose Davidi i Galerisë Borghese. “Ato janë pjesë e një prirjeje të shenjtë, e cila, duke u lidhur me teorinë e katër ndjenjave, e fton besimtarin ta forcojë fenë dhe ta pyesë veten për realitetet e fundme: vdekjen, gjykimin, ferrin dhe parajsën”, vazhdon profesori nga Universiteti Complutense duke kujtuar se mjeshtra të tillë si Leonardo, Michelangelo, Caravaggio, Ribera dhe Salvatore Rosa u matën pikërisht në temën e portreteve të shpirtit.

Ekspozita "Shpirtrat e Berninit" në Muzetë e Vatikanit
Ekspozita "Shpirtrat e Berninit" në Muzetë e Vatikanit

 Kalimtarja e amshimi

"Aftësia e Berninit për të krijuar lëvizjet më të thella dhe më të pakapshme të shpirtit njerëzor me mjeshtëri të pashoqe është e admirueshme, ashtu edhe duke përdorur forma dhe metoda që shpesh janë befasuese ose të paparashikueshme", vëren Barbara Jatta: "gjithnjë u krijonte atyre që i afroheshin përshtypjen se ishte i aftë të kuptonte gjithçka dhe të zotëronte gjithçka. Mjeshtër i botës - sipas një shprehjeje të lumtur me të cilën u përkufizua - por edhe njeri i aftë të kalojë nga skulpturat e fuqishme - deri te objektet e vogla, nga skenografia befasuese - deri te veprat madhështore me të cilat identifikohet Kisha Romake sot”. Aftësia e tij për të kombinuar Arkitekturën, Skulpturën dhe Pikturën përmblidhej në shprehjen "kompozim i bukur" i krijuar nga Filippo Baldinucci në 1682. "Këtë kompozim të bukur" - përfundon Barbara Jatta - "e gjejmë në të gjithë krijimin e tij. Veprat e Berninit në Vatikan, na krijojnë mundësinë ta kuptojmë universalitetin e tij dhe, për këtë arsye, Vatikani e ka nderuar disa herë! Si të ishte ende i gjallë”.

Ripërcaktim i përparësive të jetës

“Bernini – shkruan Maria Isabel Celaà Diéguez, ambasadore e Mbretërisë së Spanjës në Selinë e Shenjtë - punon në mes të kundërreformës, është në shërbim të Papës dhe ka për detyrë të paralajmërojë besimtarët, duke treguar ata janë rezultati i dënimit hyjnor, nëse nuk veprojnë me frikë nga Zoti besnik: Kisha duhet ripohojë vlerat e saj”. “Të flasim për vdekjen - shton ai - ndihmon për të ripërcaktuar përparësitë e jetës, relativizon shqetësimet dhe dëshirat, kujton brishtësinë tonë. Meditimi mbi vdekjen mund t'i japë më shumë thellësi gëzimit të të jetuarit dhe ndjeshmërisë ndaj të tjerëve. Në një botë ku ne përpiqemi ta dëbojmë atë, Bernini na paralajmëron të "përgatitemi"si duhet".

Ekspozita "Shpirtrat e Berninit" në Muzetë e Vatikanit
Ekspozita "Shpirtrat e Berninit" në Muzetë e Vatikanit

Në shenjë solidariteti për Valencën

 Jo vetëm fe dhe art. Të ardhurat nga katalogu i ekspozitës, i cili tregon historinë e marrëdhënieve ndërmjet Romës dhe Spanjës, themelor për formimin e identitetit evropian dhe mbrojtjen e katolicizmit, do t'u dhurohen viktimave të përmbytjeve të Valencias. “Është kontribut i Ambasadës së Spanjës për ata që po vuajnë një situatë tragjike,” përfundon Perez Gallardo.

26 nëntor 2024, 09:27