Kërko

Papa përshëndet një nga lexuesit kinezë në audiencën e përgjithshme (Vatican Media) Papa përshëndet një nga lexuesit kinezë në audiencën e përgjithshme (Vatican Media)

Nga data 4 dhjetor audienca e përgjithshme do të ketë edhe një lexues kinez

Njoftimi u dha paraditen e sotme nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë katekezës të së mërkurës

R.SH. – Vatikan

"Javën e ardhshme, me Kohën e Ardhjes, do të fillojë edhe përkthimi në gjuhën kineze i përmbledhjes së katekezës së audiencës së përgjithshme". Lajmi i dhënë nga Papa Françesku, pak para përfundimit të takimit të sotëm me besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit, ka karakter historik e është fryt i kujdesit të Selisë së Shenjtë për popullin e madh kinez, ku katolikët janë pakicë në përqindje, por gjithsesi, të shumtë në numër. Nga 4 dhjetori e për çdo të mërkurë në vijim, një lexues kinez do t’u shtohet atyre, që bëjnë të njohura fjalët e Atit të Shenjtë në italisht, në frëngjisht, në anglisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, arabisht dhe polonisht.

Dashuria e Papës për popullin kinez

Ky vendim është shenjë konkrete e vëmendjes dhe e dashurisë, që Papa Françesku ka shprehur disa herë për popullin kinez. Në shtator 2018, në një mesazh, ai përcaktoi Kinën si "tokë plot me mundësi të mëdha" dhe "popullin kinez, si krijues dhe kujdestar të një trashëgimie të paçmuar kulture dhe urtie, e cila është përsosur, duke u rezistuar fatkeqësive dhe duke integruar edhe të ndryshmen, e jo rastësisht, ka hyrë në kontakt me mesazhin e krishterë që nga kohërat e lashta".

Vitin e kaluar, gjatë udhëtimit apostolik në Mongoli, nga altari i meshës në Ulan Bator, më 3 shtator 2023, Françesku i dërgoi "një përshëndetje të ngrohtë popullit fisnik kinez", duke u kërkuar katolikëve të atij vendi aziatik "të jenë të krishterë të mirë dhe qytetarë të mirë". E janë të shumta edhe rastet, në të cilat Papa ka thënë se dëshiron të vizitojë Kinën, një vend që e admiron dhe e respekton, siç deklaroi më 13 shtator gjatë konferencës për shtyp në avion pas kthimit nga Singapori, duke e përcaktuar kombin kinez si “premtim dhe shpresë për Kishën”.

Nota historike

Sot, në faqen e internetit të Radio Vatikanit-Vatican News mund të lexohen informacione si në gjuhën kineze tradicionale, ashtu edhe në atë të thjeshtuar. Lindja e programit në gjuhën kineze të radios së Papës daton në vitin 1950, ndërsa në gazetën “L'Osservatore Romano”, u shkrua për herë të parë në gjuhën kineze në shkurt 1981, kur Papa Gjon Pali II e shqiptoi papritmas fjalimin e tij edhe në atë gjuhë, para Monumentit të Paqes në Hiroshimë. Ndërkaq, në vitin 2009, gjuha kineze hyri në faqen zyrtare të Selisë së Shenjtë “vatican.va”. Nga ana tjetër, Fides, agjencia e informacionit e Veprave Papnore Misionare, boton një buletin në gjuhën kineze të thjeshtuar që nga viti 1998.

 

27 nëntor 2024, 14:58