Nunci në Kiev: 1000 ditë luftë, e të vdekurit shtohen gjithnjë e më shumë
R. SH. - Vatikan
Në prag të një mijë ditëve që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, nunci apostolik në Kiev flet për mediat e Vatikanit, ndërmjet zhgënjimit për zgjidhje nga ana e organeve ndërkombëtare dhe besimit të kultivuar përmes punës të një Kishe, që nuk pushon kurrë së ngjalluri shpresë dhe të jetë pranë një popullsie, që vuan prej shumë kohe nga agresioni ushtarak rus.
Imzot Kulbokas, për t'i ndihmuar njerëzit të kultivojnë shpresën, është e nevojshme t'ua lehtësojmë dhimbjen duke i dhënë kuptim kësaj përvoje. Si e kreu detyrën e vet Kisha në Ukrainë gjatë këtyre 1000 ditë lufte?
Mendoj jo vetëm për njerëzit që jetojnë në territoret nën kontrollin e qeverisë së Ukrainës, por edhe për ata që janë jashtë këtyre territoreve dhe, veçanërisht, për të burgosurit. Të ndihmosh këta njerëz është shumë e vështirë, sepse mbetet vetëm lutja, ajo është e vetmja forcë. Por unë kam aq shumë besim, mbasi jam i vetëdijshëm se lutja mund të bëjë mrekulli. Barinjtë janë gjithnjë pranë popullit të tyre. E kjo është dhurata e Kishës Katolike, por edhe e kishave dhe bashkësive të tjera fetare. E pashë këtë, për shembull, në Kherson, ku dëgjova histori të veprimtarisë së priftërinjve, që mbetën praktikisht të vetmet pika referimi për njerëzit dhe për këtë populli u është shumë mirënjohës. Pra, kjo bashkësi është shumë e rëndësishme. Veprimi i kapelanëve ushtarakë është gjithashtu shumë i rëndësishëm, mbasi ushtarët shpesh nuk e dinë nëse do të jenë gjallë apo jo të nesërmen dhe aty kuptimi i jetës bëhet edhe më i mprehtë. Kam dëgjuar disa histori vullnetarësh, që u sjellin ilaçe ushtarëve, të cilët shpesh i dëgjojnë të thonë: "Për mua je si Krishti, ngaqë erdhe gjatë gjithë kësaj rruge për të më sjellë ilaçe". Pra, ekziston një ndjenjë shumë e fortë e dashurisë njerëzore. E pastaj të njëjtët kapelanë ushtarakë, duke folur vazhdimisht me ushtarët, u kujtojnë gjithmonë: “Shikoni, edhe sikur të humbisni shëndetin, jetën ose anëtarët e familjes, gjithçka nuk mbaron këtu, sepse është dikush, që ju dëshiron të mirën, pavarësisht nga gjithçka: e ky është Zoti". Unë do të thosha se kjo shpresë për ushtrinë ka rëndësi themelore, në një kohë ngarkuar me shumë vështirësi. Nëse kujtojmë 1000 ditët nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë, vërejmë se lufta nuk po shkon drejt greminës, përkundrazi: në vitin 2023 ka pasur më shumë vdekje se në 2022. Nëse flasim për këtë vit 2024 , ka më shumë vdekje se në vitin 2023. Pra tragjedia po zgjatet, vuajtjet po shtohen dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme t’i jepet kuptimi, kuptimi i krishterë përballë pasigurisë dhe frikës. Nuk do të guxoja të thosha se Kisha ia ka dalë ta bëjë këtë në mënyrë të përsosur, por çdo bari apo çdo besimtar përpiqet të bëjë sipas fuqisë së tij.
Çfarë kuptimi u japin njerëzit në Ukrainë ditëve që kalojnë nga fillimi i pushtimit rus?
Lufta vazhdon prej shumë kohe, pasuar nga një ndjenjë mosbesimi. Mosbesim, sepse bota ka organe si Kombet e Bashkuara, Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat më pas rezultojnë struktura të papërshtatshme, të paafta për të zgjidhur gjë. Gjithashtu sepse është dikush në Këshillin e Sigurimit, që është i implikuar drejtpërdrejt. Pastaj për të burgosurit, familjet e tyre më përsërisin gjithmonë: “Po çfarë efektesh kanë Konventat e Gjenevës? A është ndokush në gjendje t’i vizitojë të burgosurit tanë, apo jo?”. Faktet na thonë jo, nuk mund të zbatohen a të detyrohet të zbatohen Konventat. Prej këndej provohet një ndjenjë zhgënjimi me mënyrën se si njerëzimi, si i tillë, merret me këtë çështje, jo vetëm këtu në Ukrainë dukshëm, por edhe në pjesë të tjera të botës. Prej këndej, lind mosbesimi i madh, lodhja e madhe! Por këtu nuk takoj shumë njerëz që numërojnë ditët. E bëjnë në vende të tjera ose e shoh në faqet e lajmeve, që e bëjnë për arsye statistikore. Në vend të kësaj, për shembull, në Kiev, jemi të mbingarkuar me shumë çështje dhe shpesh nuk mund t’i numrojmë gjurmët e ditëve apo të muajve që kalojnë. E kjo pyetje mbi kuptimin që mund t'i jepet zgjatjes së luftës, është shumë e thellë, e unë ia bëj edhe vetes. Personalisht, zgjatja e luftës më bën të kuptoj më mirë iluzionet në të cilat mbështetemi shpesh, e rrjedhimisht, edhe kalueshmërinë e iluzioneve. Por në se flet si njeri (lufta) nuk ka pikën e kuptimit.
Si është gjendja humanitare në vend. Cilat janë nevojat më urgjente në këtë periudhë?
Ka gamë të ndryshme nevojash. Për shembull, ka ish të burgosur ose fëmijë që kthehen në vend dhe kanë nevojë për familje ose struktura për t'i mirëpritur. Prandaj një nga pyetjet është të shihet se cila dioqezë apo eparki, cili kongregacion fetar ka mundësinë t'i mirëpresë këta njerëz. Një sfidë tjetër humanitare është koordinimi i ndihmës humanitare, sepse në vitin 2024 ndihma u zvoglua në mënyrë dramatike në krahasim me vitin 2022. Duheshin grupe të afta, që t'u besonin donatorëve për të kryer projekte apo iniciativa, ku ndihma ka rënë ndjeshëm. Një aspekt tjetër është ky: disa vullnetarë të ardhur nga Italia, nga dioqeza e Komos, të cilët bashkëpunojnë me ekzarkatin greko-katolik të Kharkivit, më thanë se ditët e fundit kanë parë se në rajonet përreth Kharkivit ka shumë njerëz që kanë nevojë, absolutisht për gjithçka, duke filluar nga druri, e deri te ngrohja, e deri te prodhimet higjienike, rrobat për dimër, uji, ushqimi... Shoh gjithashtu sfida të ngjashme në rajonin e Zaporizhzhias. E di, për shembull, se në rajonin e Khersonit priftërinjtë u sjellin njerëzve ujë të pijshëm. Në shumë rajone, uji i pijshëm është mall i paarritshëm. Pra, në realitet, u duhet pak nga gjithçka.
A ka ndonjë aspekt të shërbimit të Kishës që, sipas jush, është vërejtur veçanërisht në kontekstin e luftës?
Sigurisht, do të kishte aspekte të ndryshme për t'u trajtuar. Ne gjithashtu u përballëm me një të tillë sot, me një pastor protestant. Ne folëm për faktin se në kontekstin e luftës është shumë e rëndësishme të kërkojmë mënyra për të qëndruar bashkë. Nuk është e mundur të zgjidhen të gjitha vështirësitë që ekzistojnë ndërmjet besimeve dhe bashkësive të ndryshme, por është shumë e rëndësishme të theksohet ajo që na bashkon. Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm është se Kisha dhe Kishat kryejnë shërbesën e ndërgjegjes, ato janë zëri i ndërgjegjes. Kapelanët ushtarakë e bëjnë këtë, ose të paktën përpiqen ta bëjnë me komandantët, sepse ka mënyrë e mënyrë për ta përballuar luftën: ka një mënyrë më njerëzore dhe një mënyrë më pak njerëzore dhe kapelanët ushtarakë po përpiqen ta kryejnë këtë mision, për të qenë zëri i ndërgjegjes. Edhe në nivel global, më duket se ka lindur kjo nevojë që Kisha të jetë zëri i ndërgjegjes. Sepse ne marrim përgjegjësitë e luftës: Kisha, me sa duket, nuk mund të detyrojë askënd, por përpiqet gjithnjë të ketë sadopak kontakte me të gjithë, gjithashtu përpiqet të gjejë mënyra për të folur, ndoshta jo drejtpërdrejt, por në mënyra të kuptueshme, duke i bërë thirrje pikërisht ndërgjegjes, urgjencës së ndalimit të luftës. Me sa duket, është rol i vështirë, por edhe një nga shërbimet kryesore të Kishës, duke qenë zëri i ndërgjegjes, që përpiqet të kuptojë se me cilat fjalë t'i drejtohet ndërgjegjes. Dhe ajo vazhdon ta bëjë këtë.
Keni takuar shumë të afërm - nëna dhe baballarë, gra, fëmijë, motra dhe vëllezër – të robërve të luftës dhe të njerëzve të zhdukur. Çfarë i ndihmon ata të mos bien në dëshpërim?
Të afërmit, me sa duket, kanë nevojë për shumë mbështetje shpirtërore. Nëse i takoj, u them: "Kur luteni për të dashurit tuaj, ose nëse nuk jeni besimtarë, kur mendoni për të dashurit tuaj - këtë e di nga historitë e të burgosurve që janë liruar - lutja apo edhe mendimi i thjeshtë transmetohet, ai mbërrin”. Kam dëgjuar histori nga ish të burgosurit e luftës të cilët thonin se po mendonin të kryenin vetëvrasje për shkak të deshpërimit apo torturave që po kalonin, por ajo që i shpëtoi ishte ose mendimi i Zotit, sepse shpesh i shpëton besimi, ose kujtimi i të dashurve, të anëtarëve të familjes. Ne e dimë se lutja ose mendimi arrin, të themi fizikisht, te të afërmit dhe i inkurajon. Por, me sa duket, është e nevojshme që këta të afërm të shoqërohen në mënyrë më të mirëmenduar. Unë do të thosha se ende nuk është bërë një punë e mirë për t'i shoqëruar këta persona, sepse ka nevojë për specialistë, psikologë, shpesh vetëm për të qenë bashkë me ta. Ndonjëherë kur anëtarët e familjes së të burgosurve vijnë të më takojnë, edhe thjesht të flasësh, thjesht të lëshosh avull, është e dukshme, domethënë, e rëndësishme. Është e vështirë, veç, t’i përqafosh të gjithë, janë mijëra familjarë, sepse ka mijëra të burgosur. Ka edhe nisma nga Kisha që synojnë përgatitjen e priftërinjve dhe vullnetarëve të Caritas-it për t’i ndihmuar këta njerëz. Sepse do të ishte shumë banale t'u thuash: "Gjithçka do të shkojë mirë". Duhet përgatitje, madje edhe përgatitje specifike, për të folur me ta. Shpesh nuk duhet të thuash asgjë dhe të qëndrosh pranë tyre, në heshtje.
Shkëlqesi dëshironi të shtoni diçka?
Dua të shtoj se është gjithmonë gëzim i madh të shohësh grupe njerëzish që vazhdojnë të vijnë këtu nga vende të ndryshme: nga Italia, nga Polonia, nga Franca, nga Gjermania. Ndonjëherë ata sjellin pak ndihma, sepse janë njerëz të thjeshtë. Po kjo të jep vërtet gëzim. Afërsia personale krijon edhe një kontrast të caktuar, sepse në masmedia lufta diskutohet shpesh vetëm në aspektet e saj statistikore, pra në ato më pak njerëzore, ose kënaqen vetëm me fjalime të ftohta. Në vend të kësaj, vizitat nga grupet e lutjes apo vullnetarët sjellin gjithmonë gëzim, sepse na bëjnë të besojmë se ka zemër, ka dashuri njerëzore, e kjo nuk mund të ngjallë shpresë. Lufta është djallëzore edhe sepse dëshiron ta vrasë besimin e njerëzimit, ta shkatërrojë besimin në të gjitha strukturat ndërkombëtare, në të gjitha bashkimet e vendeve, sepse të duket sikur rezultatet nuk ekzistojnë. Dëshmia e vullnetarëve dhe e atyre që vijnë këtu, krijon një kontrast të thellë: tregon se ka zemër, ka vëmendje, ka shqetësim, ka dashuri të njeriut për njeriun! Dëshiroj të përfitoj nga rasti që ta falënderoj secilin prej tyre për ndihmën që japin.