Kërko

El coche del Papa Francisco  (ANSA) El coche del Papa Francisco (ANSA)

Papa vizitoi Emma Boninon, të sapo dalë nga spitali

Pas kthimit nga Universiteti Gregorian, Papa Françesku u ndal në shtëpinë, në qendër të Romës, të ish-ministres së Punëve të Jashtme të Italisë, Bonino e cila u shtrua në spital në mesin e tetorit për probleme me frymëmarrjen dhe më pas u transferua në një qendër shëndetësore private. Ajo sapo është kthyer në shtëpi, pasi doli nga spitali

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku, pas kthimit nga Gregoriana, ku paraditen e sotëm u takua me komunitetin akademik, me makinën e bardhë Fiat 500L, në vend që të vazhdonte drejt shtëpisë së Shën Martën në Vatikan, hyri në një rrugë në qendër të Romës. Në fakt, Françesku deshi të bënte një ndalesë në shtëpinë e Emma Bonino, ish-ministres së Jashtme, 76 vjeçe, e cila sapo ka dalë nga spitali, ku qe shtruar tetorin e kaluar. Për shkak të vështirësive në frymëmarrje, Bonino qe shtruar në repartin e terapisë intensive të spitalit Santo Spirito në Romë më 17 tetor. Një javë më vonë ajo u transferua në një qendër private shëndetësore në kryeqytet dhe ditët e fundit u kthye në shtëpi.

Vizitë e papritur

Për këtë arsye Papa deshi ta vizitonte. Një vizitë krejtësisht e papritur. Në fund, Papa, sapo doli nga dera e shtëpisë, u afrua nga disa kureshtarë të cilët e pyetën se në çfarë gjendje e kishte gjetur Boninon. "Shumë mirë," u përgjigj Papa.

Takimet e mëparshme

Papa Françesku dhe Emma Bonino janë takuar disa herë në të kaluarën, duke filluar nga viti 2015, kur ish-ministrja e Jashtëm mori pjesë në audiencën e përgjithshme të së mërkurës në sallën Pali VI. Së bashku me zv.prokurorin e Romës, Michele Prestipino dhe Maria Rita Parsi, Bonino pati prezantuar nismat e reja në favor të fëmijëve refugjatë nga “La fabbrica della pace” (Fabrika e paqes). Në nëntor 2016, Papa e pati pritur politikanen italiane në një audiencë private. Zyra e shtypit e Vatikanit më pas rnjoftoi se “biseda u përqendrua mbi të gjitha në çështjet e flukseve migratore, pritjen e emigrantëve dhe integrimin e tyre”.

Pikërisht për shkak të punës së Boninos në favor të emigrantëve, Papa Françesku e pati vlerësuar Boninon gjatë një takimi jozyrtar në Santa Marta me drejtorin e atëhershëm të Corriere della Sera Luciano Fontana. Emma Bonino "i ka ofruar Italisë shërbimin më të mirë për të zbuluar e njohur nga afër Afrikën", tha Françesku.

05 nëntor 2024, 13:37