Pasolini, predikatari i ri i familjes Papnore, largohet Cantalamessa pas 44 vjetësh
R.SH. - Vatikan
Dyzet e katër vjet predikime, çdo Kohë Kreshmësh dhe Ardhjeje, para tre Papëve dhe Kuries Romake. Ndoshta një nga pozicionet më jetëgjatë në Vatikan ishte ky, i mbajtur si predikues i shtëpisë papnore nga Atë Raniero Cantalamessa, kapuçini i njohur 90-vjeçar, që u bë një pikë shpirtërore referimi jo vetëm brenda mureve Leonine, por edhe për miliona italianë me librat e tij, mësimet dhe programet televizive Sot, e shtunë 9 nëntor, Kardinali Cantalamessa i jep fund mandatit që i qe besuar nga Gjon Pali II më 1980 dhe vazhdoi me Benediktin XVI dhe Françeskun, Papa, i cili në 2020 e krijoi kardinal (titull, që Cantalamessa e pranoi, ndonëse kërkoi të ruante zakonet françeskane).
Predikatari i ri
Një trashëgimi sigurisht e rëndësishme, kjo që kalon tek pasardhësi, Kapuçini Roberto Pasolini, i emëruar sot nga Papa. Por për një frat që predikonte katekizma në Navigli, në jetën e natës milaneze, i zënë prej vitesh me mencat për të varfërit, me kujdesin baritor ndër burgje dhe në mes të njerëzve me aftësi të kufizuara e me shpërndarjen e ushqimit për të pastrehët, sfidat nuk janë sigurisht gjë e re. Që sot Atë Pasolini, studiuesi biblik dhe mësues i Eksegjezës Biblike, do të jetë ai që do të predikojë katekizmin para Papës dhe Kuries Romake gjatë Kohës së Ardhjes dhe Kreshmëve.
Ndërmjet veprimtarive akademike e baritore
Pesëdhjetë e tre vjeç kremtuar më 5 nëntor, i lindur në Milano, Atë Pasolini është në Urdhrin Françeskan të Fretërve të Vegjël Kapuçinë që nga 7 shtatori 2002. U shugurua meshtar në vitin 2006. Ishte mësues i gjuhëve biblike dhe i Shkrimeve të Shenjta në Studio Theologico Laurentianum Interprovinciale e Friars Minor Capuchin, në Milano dhe Venecia. Sot ligjëron ekzegjezë biblike në Fakultetin Teologjik të Italisë së Veriut, në Milano, duke bashkëpunuar me Kryedioqezën Ambroziane për formimin e mësuesve të fesë dhe me Konferencën Italiane të Eprorëve të Mëdhenj. Një veprimtari, kjo, akademike, të cilën predikatari i ri e gërsheton me veprimtari të pandërprera baritore: takime stërvitore, përgatitje për pushime dhe ushtrime shpirtërore, shoqërim shpirtëror e edhe bamirësi mes grupeve më të brishta të shoqërisë, të cilën ai e kryen përkrah fillestarëve të cilët i formon. Është edhe autor i disa artikujve dhe librave mbi përshpirtërinë biblike dhe ndjek me interes teknologjitë e reja, mjetet e reja të komunikimit si podkastet dhe mundësitë e Inteligjencës Artificiale. Ndoshta disa kujtime të kohës kur ai ishte shkencëtar i ri kompjuterik, i përfshirë në ato vite të pastra në politikë përpara se të zbulonte - siç zbuloi në një intervistë në programin Soul në TV2000 - se ideologjitë nuk e bëjnë njeriun më të lirë. E vetmja liri vjen nga Zoti sepse “liria e vërtetë është çlirimi nga ndjenja e fajit, e sepse shëlbimi i Krishtit e ka rivendosë lidhjen e së mirës me Zotin”, thoshte.
Faleminderit At Cantalamessa
Atë Pasolini është një lloj predikatari, që trajton temat më të thella të jetës dhe të besimit njerëzor, gjithmonë lidhur me ngjarjet aktuale dhe tendencat e reja. Një tipar që e bashkon atë me paraardhësin e tij, Kardinalin Cantalamessa, i cili tani do të vazhdojë jetën e studimit, leximit dhe lutjes në Hermitazhin e Dashurisë së Mëshirshme, në Cittaducale, territori i dioqezës së Rietit, së bashku me disa murgesha të varfëra Clarise, të cilave u shërben si kapelan. Një institucion i vërtetë për shumë besimtarë, ata më të moshuarit në vite, që e kanë ndjekur që nga ditët e programit të famshëm Rai "Arsyet e shpresës" me urimin e paharrueshëm françeskan "Paqë e të Mira", por edhe për të rinjtë, që u bënë ndjekës përmes mediave sociale, rinisin reflektimet e tij, kurrë të parashikueshme, gjithmonë magjepsëse dhe origjinale. Një pikë referimi, pra, edhe në internet, me jetë vetmitari, pas katër dekada shërbim ndaj tre Papëve dhe katër vjet si anëtar i Kolegjit të Kardinalëve.