Kërko

Pinakoteka e Vatikanit kremton Shën Françeskun e Asizit dhe kohën e tij

Plan i ri për sallën e parë të Pinakotekës së Vatikanit, në emër të Shën Françeskut të Asizit. Haraç për të Vobegtin e Asizit, 800 vjet pas varrëve, e Papës, që e miratoi mrekullinë dhe e shpalli shenjt dy vjet pas vdekjes.

R.SH. / Vatikan

E madhe duhet të ketë qenë habia e shtegtarëve të Jubileut të parë të vitit 1300 nga pamja e mozaikut imponues, që zbukuronte fasadën e Bazilikës së Vatikanit. Ishte Gregori IX Papë ai që, në vitin 1230, deshi të paraqitej në gjunj, duke vendosur një monedhë tek këmbët e Krishtit në fron. Ky kompozim i ndërlikuar, i dokumentuar nga një akuarel i shekullit të shtatëmbëdhjetë nga Domenico Tasselli, humbi pas rindërtimit të Bazilikës së re. Përfshinte edhe figura të tjera: Virgjërën Mari, Shën Pjetrin, ungjilltarët me simbolet përkatëse dhe 24 pleqtë.

Pinakoteka e Vatikanit
Pinakoteka e Vatikanit

Fasada e humbur

Ndër fragmentet e pakta të shpëtuara janë portreti i Papës, në Muzeun e Palazzo Braschi-t në Romë, dhe koka e Shën Lukës Ungjilltar, ruajtur deri tani në depot e koleksioneve papnore. Sot, ata që hyjnë në dhomën e parë të Galerisë së Arteve të Vatikanit, më në fund mund ta admirojnë atë në planimetrinë e re përuruar me rastin e festimeve të 800-vjetorit të varrëve të Shën Françeskut, që u dukën në vitin 1224, tre vjet para zgjedhjes së kardinalit Ugolino de’ Conti dei Segni në fronin papnor që, pasi mori emrin  Gregorit IX, dëshmoi për mrekullinë.

Pinakoteka e Vatikanit
Pinakoteka e Vatikanit

Mozaiku i parë i Pinakotekës

Duke hyrë në këtë mjedis, turisti a shtegtari i ditëve tona mund ta marrë  me mend mrekullimin që ngjallte pamja e mozaikut të lashtë. Askush në vitet menjëherë pas vdekjes së Shën Françekut nuk mundi ta kundronte në një distancë fare të afërme shikimin e thellë, magnetik e depërtues të Shën Lukës Ungjilltar, që të kujton një kohë të humbur. Është mozaiku i parë që u ekspozua brenda Pinakotekës së Vatikanit: qe vendosur nga ana e hyrjes.

Pinakoteka Vatikanit
Pinakoteka Vatikanit

Mozaiku tjetër pasqyron të Vobegtin e Asizit dhe kohën e tij: në qendër është paneli i madh i Gjykimit Përfundimtar, nga Nicolò dhe Giovanni, i ardhur nga Oratori i Shën Gregorit Nazianzeni, në Romë. Në anët ka një seksion "kristologjik", me punime afresku dhe panelesh, të lidhura me Shëlbuesin, e edhe me një tjetër "me pamje françeskane".

Figurja e Françeskut dhe burimet

Shenjtin e Asizit e sodisim në tri piktura, që e paraqesin me varrët: piktura e Margaritone d'Arezzo dëshmon, ndoshta, ikonografinë më të vërtetë të Françeskut, besnike ndaj përshkrimit të shenjtit, që na e la Tommaso da Celano në Vita Prima: “Me shtat mjaft të vogël, kokë të rregullt dhe të rrumbullakët, fytyrë disi ovale dhe të dalë, ballë të sheshtë e të vogël, sy të zinj me përmasa normale e plot thjeshtësi, flokë të errët, vetulla të drejta, hundë  të hollë dhe të drejtë, veshë të drejtë por të vegjël, të rrafshët, gjuhë të butë, përvëluese dhe depërtuese, zë të fortë, të ëmbël, të qartë dhe kumbues, dhëmbë të ngjitur, të barabartë dhe të bardhë, buzë të vogla dhe të holla, mjekër të zezë dhe të rrallë, shpatulla të drejta, duar delikate, gishta të gjatë, thonj të mprehtë, këmbë të holla, lëkurë delikate, i thatë e me zhgun...”.

Pinakoteka Vatikanit
Pinakoteka Vatikanit

 Margaritone d'Arezzo, Shën Françesku i Asizit, 1 240 - 1260, tempera dhe ar në panel bredhi, Pinacoteca Vatikan, Muzetë e Vatikanit. Krahas kësaj tempera figurojnë edhe Funerali i Shenjtit, i pikturuar nga peneli i Pseudo Jacopino në fillim të shekullit të katërmbëdhjetë dhe, më në fund, një vepër e vlefshme nga punishtja e Giunta Pisano e krijuar rreth vitit 1235, me të Vobegtin e Asizit në qendër dhe në anët, katër mrekullitë që bëri pas vdekjes.

Pinakoteka Vatikanit
Pinakoteka Vatikanit

"Të bëjmë provë për ta festuar Françeskun në kohën e tij," shpjegon për mediat e Vatikanit Anna Pizzamano e Departamentit të Artit Bizantin-Mesjetar të Muzeve të Vatikanit.

“Le të përpiqemi të festojmë Françeskun jo vetëm në kohën e Papës Françesku, por edhe e sidomos, në kohën e papnive të lidhura me figurën e Shën Françeskut. Në veçanti në kohën e papnisë së Gregorit IX. Mozaiku i Shën Lukës është i lidhur ngushtë me Poliptikun Stefaneschi, i vendosur në dhomën e dytë dhe i pikturuar nga Giotto për bazilikën e lashtë të Vatikanit, ndoshta për altarin e lartë. Janë dëshmi të çmuara, sepse pothuajse çdo gjë tjetër e këtij ndërtimi ka humbur pa lënë gjurmë".

Muri kristologjik

Ekspozita e re synon “paraqitjen e mureve në një mënyrë të re”, vijon Pizzamano, “duke mos shtrembëruar ata të mëparshmit”, por duke u përpjekur t’ia afrojë kohët mesjetare vizitorit i cili “duke parë murin kristologjik do të mund të dallojë profetët që kumtojnë Shëlbuesin", një "kryq i bukur procesioni i shkollës Umbriane dhe tryeza e ashpër, e rëndësishme, hieratike e Krishtit që bekon. Janë vepra të shekujve të ndryshëm: shfaqja nuk ndjek arsyetim thjesht kronologjik, por arsyetim tematik”.

Për të rimenduar rregullimin e veprave në dhomën I të Pinakotekës, qe themelor kontributi i të gjithë bashkësisë së Muzeve të Vatikanit. E nënvizoi këtë gjatë konferencës së paraqitjes, mbajtur të enjten, më 25 tetor, drejtoresha Barbara Jatta, duke njoftuar publikimin e afërt të një udhëzuesi të ri për kryeveprat e koleksioneve papnore me rastin e Jubileut.

Është e pamundur të ndash kënaqësinë e pastër estetike të artit të shenjtë nga natyra e tij përkushtuese: “Mund të hysh në Galerinë e Arteve edhe si turist edhe si shtegtar. Ftesa, që u bëjmë vizitorëve tanë - përfundon Anna Pizzamano - është të presin pak kohë. Tashmë jemi mësuar të ikim majtas e djathtas, me pëllumbat e mijëra angazhimeve. Një turist mund të bëhet shtegtar nëse kërkon një këndvështrim tjetër dhe viziton koleksionet tona me dëshirën për të kuptuar atë, që është përtej asaj që sheh”.

Pinakoteka Vatikanit
Pinakoteka Vatikanit

Gregori IX, dëshmitar i shpresës

Prandaj, në prag të Jubileut të Shpresës, bëhet veçanërisht domethënëse të kthehemi në zanafillën e fesë dhe të shtegtimit, përfaqësuar aq mirë në të kërkuarit e humbur, nga Gregori IX: monedha e ofruar nga Papa Krishtit ka të bëjë me atë që mbahej në Vatikan, në kohën e tij. Ajo u konsiderua si tridhjetë sestercat e Judës, simbol i tradhtisë dhe, si pasojë, i gjestit të dëshpëruar që ia mori jetën, por edhe si një nga monedhat e sjella si dhuratë nga Tre Mbretërit në Shpellën e Betlehemit. Një paralajmërim për çdo njeri, i cili, duke ndjekur shembullin e Papës, që personalisht e njohu dhe e shpalli shenjt Françeskun e Asizit në 1228, thirret të besojë në hirin e faljes hyjnore dhe t'i kërkojë Zotit dhuratën e jetës së amshuar.

31 tetor 2024, 15:38