Poloni: Imzot Gallagher u takua me të burgosurit studentë të teologjisë në Universitetin e Lublinit
R.SH. / Vatikan
Gjatë vizitës së tij në Poloni, në Universitetin Katolik Gjon Pali II, në Lublin (KUL), Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare kryeipeshkvi imzot Gallagher vizitoi qendrën e paraburgimit në Lublin dhe foli me të burgosurit që studiojnë në KUL (Fakulteti i Teologjisë Familjare i specializuar në kujdesin për personat me aftësi të kufizuara). Ai deklaroi: "Ne të krishterët besojmë se Zoti e shikon gjithmonë njeriun me sy dashamirës, sheh të mirën tek ai. Këtu, në mënyrë paradoksale, falë edukimit dhe formimit të fesë, do t'ju jepet një mundësi e madhe."
Papa Françesku, i pari që mori medaljen e Pëllumbit të Bardhë
Koloneli Anna Ausz, drejtoreshë e Qendrës së Paraburgimit, e cila mbikëqyr kryerjen e studimeve, së bashku me Don Gregory Drausl, kapelan i burgut, i dhanë Papës Françesku Medaljen e Pëllumbit të Bardhë. Papa është i pari që e merr këtë medalje në shenjë mirënjohjeje për kujdesin e tij ndaj të burgosurve.
Simbolika e medaljes është ajo e pëllumbit biblik, që Noehu e çliroi nga Arka e u kthye me një degë ulliri në sqep, duke paralajmëruar kështu, fundin e dënimit të përmbytjes. Aktivitetet e stafit të Qendrës së Paraburgimit, të cilat përfshijnë Kishën dhe Universitetin Katolik të Lublinit, të çojnë drejt një jete të mirë, sapo të jesh liruar.
Të burgosurit i shkruajnë Papës
Të burgosurit i dhanë kryeipeshkvit Gallagher një letër për Papën, nënshkruar nga disa dhjetëra të burgosur dhe katekistë të Rrugës Neokatekumenale, e cila ungjillëzon në qendrën e paraburgimit në Lublin që nga maji i vitit të kaluar, duke udhëhequr tashmë katër komunitete. Shumica e studentëve pjesëmarrës në takim ndjekin formimin shpirtëror të Rrugës Neokatekumenale. "Ndjejmë se Kisha kujdeset për ne, nëpërmjet ungjillizimit dhe mundësisë së edukimit. Shohim që nuk jemi fshirë, se kemi një të ardhme të mirë përpara", deklaroi kreu i komunitetit të parë, duke ofruar një letër me dekorim të pasur, me fotografi të afreskeve dhe të liturgjisë.
Qendra e Studimeve KUL
Imzot Gallagher vizitoi klasat ku zhvillohen mësimet. Një grup sapo kishte kryer mësimin për bashkëpunimin me organizatat joqeveritare, një tjetër po fillonte një mësim për etikën.
Mirosław Kalinowski, rektor i Universitetit Katolik të Lublinit, e shoqëroi më pas prelatin në dhomën e përbashkët të Qendrës së Paraburgimit, ku zhvillohen edhe festimet që kanë të bëjnë me universitetin, siç është inaugurimi i fundit i vitit akademik. Pranë dhomës së përbashkët ndodhet edhe një kishëz me afreske të mëdha, të pikturuara nga të burgosurit dhe një dishepull i Kikos, ku paraqitet Krishti me Apostujt dhe "Gratë në varrin bosh".
Që nga viti 2013, disa dhjetëra të burgosur kanë përfunduar studimet e tyre në KUL dhe më shumë se 80% e të diplomuarve nuk merren më me krime, pas daljes nga burgu”.