Kërko

Shtatorja e Marisë Virgjër, në Sheshin Mignanelli, pranë Sheshit të Spanjës, në Romë Shtatorja e Marisë Virgjër, në Sheshin Mignanelli, pranë Sheshit të Spanjës, në Romë

Papa: më 8 dhjetor, në Sheshin e Spanjës për homazhe Zojës së Papërlyer

Më 8 dhjetor, kremtohet solemniteti i Zojës së Papërlyer. Në Romë gjatë gjithë ditës qytetarët do të bëjnë homazhe te shtatorja e Marisë, në Sheshin Mignanelli, pranë Sheshit të Spanjës. Papa para shtatores së Zojës së Papërlyer në Sheshin e Spanjës

R.SH. / Vatikan

E diel, 8 dhjetor, kremtohet solemniteti i Zojës së Papërlyer. Në Romë gjatë gjithë ditës qytetarët do të bëjnë homazhe te shtatorja e Marisë Virgjër, në Sheshin Mignanelli, pranë Sheshit të Spanjës. "Sipas traditës - lexojmë në një njoftim të Vikariatit të Romës - të parët, si zakonisht, do të jenë zjarrfikësit, për nder të 220 kolegëve që e përuruan monumentin më 8 dhjetor 1857: në orën 7.00 do të ngjiten në majë për ta vendosur në krahun e Virgjërës Mari kurorën me lulet e festës së madhe.

Në homazhet tradicionale do të marrë pjesë edhe Papa, mbërritja e të cilit në Sheshin e Spanjës planifikohet për orën 16:00. Ati i Shenjtë Françesku do të mirëpritet nga Vikari i Përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij në dioqezën e Romës, Kardinali Baldassare Reina dhe nga kryetari i bashkisë, Roberto Gualtieri; Papa do të lutet para Zojës Mari dhe do të lërë lule në bazën e monumentit madhështor, që i fton të gjithë për lutje e për lule”.

Para Papës, grupe dhe personalitete të shumta do të lënë kurora me lule në këmbët e shtyllës 12 metra të lartë, projektuar nga arkitekti Luigi Poletti, mbi të cilën qëndron shtatorja e bronztë e Marisë, vepër e skulptorit Giuseppe Obici. Korpusi i Xhandarmërisë së Vatikanit do të bëjë homazhe, i shoqëruar nga grupi muzikor, që do të interpretojë një himn për Marinë; pasuar nga famullia e Sant'Andrea delle Fratte, Urdhri Sovran i Maltës, Legio Mariae, Circolo San Pietro, Fondacioni Don Gnocchi dhe shumë të tjerë.

Për të mos harruar radhën e pafundme të punëtorëve nga kompanitë më të rëndësishme romake, përfshirë kompanitë komunale, ambasadorin spanjoll pranë Selisë së Shenjtë me grupet spanjolle dhe Unitalsi-n. Nga ora 5.00 e mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës, Fretërit Konventualë të Bazilikës së XII Apostujve, në Romë, do të jenë në shesh për të pritur grupe dhe besimtarë individualë, duke e gjallëruar atë mjedis të jashtëzakonshëm me këngë dhe lutje.

"Dita e 8 Dhjetorit është mundësi e madhe për ungjillëzimin - shpjegon famullitari dhe rektori i Bazilikës së XII Apostujve, Atë Francesco Celestino - sepse krijohet mundësia për të takuar shumë njerëz. Pjesëmarrja në homazhe rritet vit pas viti".

Për më tepër, nëntëditshja më e vjetër e Zojës së Papërlyer në Romë kremtohet në Bazilikën e  XII Apostujve: nga 29 nëntori deri më 7 dhjetor,  Rruzarja shenjte dhe litanitë e kënduara planifikohen për në orën 17:45, më pas, në orën 18:30, Mesha, që kryesohet gjithnjë nga një kardinal me këngën 'Tota Pulchra', "kompozuar - kujton famullitari - nga Atë Alessandro Borroni, një nga sivëllezërit, që jetoi në shekullin e nëntëmbëdhjetë”.

Sot, e premte 29, kardinali João Braz de Aviz, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, do të kryesojë kremtimin eukaristik;

të shtunën, më 30, do të jetë radha e kardinalit Lazzarro You Heung-Sik, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për klerin;

ndërsa më 1 dhjetor, radha e kardinalit Mauro Gambetti, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit dhe vikar i Shenjtërisë së Tij për qytetin e Vatikanit.

Përsëri të hënën, më 2 dhjetor, kardinali Dominique Mamberti, prefekt i Gjykatës së Lartë të Segnatura-s Apostolike, do të kremtojë meshën; më 3 dhjetor, kardinali kryependestar Angelo De Donatis; të mërkurë, më 4, Kardinali Claudio Gugerotti, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Lindore.

29 nëntor 2024, 17:12