Kërko

 Nunzio Congo Mgr Balestrero Nunzio Congo Mgr Balestrero

Selia e Shenjtë: masa më të guximshme në tregtinë me vendet më pak të zhvilluara

Pjesëmarrja e vendeve më pak të zhvilluara (LDC) në shkëmbimet globale kalon edhe nëpër progresin dixhital "përfshirës dhe të qëndrueshëm". Kështu u shpreh imzot Ettore Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara, në fjalimin e tij në sesionin e 76-të ekzekutiv të Këshillit të Unctad-it për Tregtinë dhe Zhvillimin.

R.SH. / Vatikan

“Bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë masa të guximshme, duke u mbështetur në angazhimet ekzistuese, për pjesëmarrjen e vendeve më pak të zhvilluara në tregtinë globale, për të diversifikuar eksportet e tyre dhe për të ndërtuar kapacitetet e tyre prodhuese. Ky, qëndrimi i Selisë së Shenjtë, i shprehur nga vëzhguesi i përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara, Imzot Ettore Balestrero, në seancën e 76-të ekzekutive të Këshillit të OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), mbajtur në Gjenevë të enjten, më 31 tetor.

Solidaritet me vendet më pak të zhvilluara

Ngjarja, kujtoi Imzot Balestrero, ishte mundësi për të reflektuar mbi punën e Unctad-it në ndihmë të ashtuquajturave “vendet më pak të zhvilluara (LDC)”, pra kombet më të prekura nga varfëria. Mbështetje, që kërkon "solidaritet" më të madh dhe "rigjallërim" të partneriteteve globale. 

Zhvillim, jo vetëm ekonomik

Më pas, delegacioni i Selisë së Shenjtë propozoi disa fusha të mundshme ndërhyrjeje. Para së gjithash, një mbështetje që nuk kufizohet vetëm në shqyrtimin e çështjeve ekonomike, duke nënvizuar se si zbatime të tilla, që patën parasysh mendimet e Papës Françesku në Enciklikën Fratelli tutti, "rezultuan efektive për rritjen, ndonëse jo njëlloj për zhvillimin integral njerëzor".

Të luftohet varfëria dhe pabarazia

 Selia e Shenjtë vlerësoi përpjekjet e UNCTAD për shqyrtimin e "ndikimit të politikave sociale dhe ekonomike në përparimin e varfërisë dhe të pabarazive", duke vënë në dukje "nevojën e qartë" për t'i kushtuar vëmendje të veçantë efekteve që rrjedhin prej tyre, veçanërisht në lidhje  me mjekimet dhe arsimimin.

Zhvillimi i diktuar nga tregtia ndërkombëtare

Së dyti, Imzot Balestrero kujtoi se si "tregtia ndërkombëtare - nëse orientohet siç duhet - i hap rrugën  zhvillimit". Megjithatë, LDC-ve ende u kërkohet të ndeshen me sfida "të konsiderueshme" për të përfituar më lehtësisht, për shembull, nga investimet e huaja. Për të shtuar fitimet tregtare për LDC-të, propozohen disa politika, duke filluar nga "lehtësimi më i madh i tregtisë" deri te "marrëveshjet tregtare më të pëlqyera". 

Përfshirja dhe qëndrueshmëria e teknologjive

Fusha e tretë dhe e fundit e ndërhyrjes është e lidhur ngushtë me "progresin e zhvillimit dixhital". Ajo sjell me vete premtime të mëdha për “zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”. Megjithatë, qëllimi i një bote të ndërlidhur, i pamundur për t'u arritur pa "hyrje të përballueshme në internet", mbetet larg arritjes, për shkak të "barrës së kostos, mungesës së aftësive dhe infrastrukturës" në LDC. Sipas Selisë së Shenjtë, pa përdorimin e teknologjive të reja "të përgjithshme, të qëndrueshme dhe  përgjegjëse”, ekziston rreziku i trazirave të tregjeve të punës dhe  keqësimi i mëtejshëm i pabarazive.

02 nëntor 2024, 12:31