SHBA 2024: kard. Parolin, nga Vatikani dialog për të mirën e përbashkët dhe për paqen
R.SH. – Vatikan
Së pari, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin i uron Presidentit të sapozgjedhur të 47-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës "shumë urti". Në kaudrin e konferencës mbajtur në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë #TheSpiritofGeneva: The Impact of AI on International Humanitarian Law me rastin e 75 vjetorit të Konventave të Gjenevës, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë u pyet nga gazetarët për zgjedhjen e Donald Trump, në mandarin e dytë pas mandatit të parë nga 2017-2021, si presidenti i ri i SHBA–së
“Në fillim të mandatit të tij, i urojmë shumë urti, sepse sipas Biblës ky është virtyti kryesor i qeveritarëve”, pohon kardinali Parolin. “Unë – shton ai – besoj se Trump duhet të punojë mbi të gjitha për të qenë president i të gjithë vendit, duke kapërcyer polarizimin që ka ndodhur, i cili është ndjerë shumë qartë në këtë kohë”. Në emër të Selisë së Shenjtë, kardinali Parolin uron që presidenti i ri i SHBA-së të "mund të jetë me të vërtetë një element zbutjeje dhe qetësimi në konfliktet aktuale që po përgjakin botën".
Përulësi dhe gatishmëri për t'i dhënë fund luftërave
Duke folur për luftërat, kardinali Parolin - i pyetur nga gazetarët - komenton frazën e shqiptuar nga Trump gjatë fushatës zgjedhore, por edhe pas fitores, në skenën e Convention Center në Palm Beach (Florida): "Unë nuk do të filloj luftërat por unë do t'i ndaloj ata": "le të shpresojmë, të shpresojmë, të shpresojmë", tha kardinali Parolin, "mendoj se as ai nuk e ka shkopin magjik". Për t'i dhënë fund luftërave, nënvizon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, "duhet shumë përulësi, shumë gatishmëri, duhet kërkuar vërtet interesat e përgjithshme të njerëzimit, në vend që të fokusohemi në interesa të veçanta. Shpresoj se po”.
Kardinali Prolin, megjithatë, pohon se duhet kohë përpara se të shprehim ndonjë mendim mbi frikën - vuri në dukje një gazetar - nga ukrainasit dhe palestinezët se "paqja mund të bëhet në kurrizin e tyre". “Do të shohim... - përgjigjet kardinali Parolin - Është e vështirë të bësh një deklaratë për këto aspekte, do të shohim se çfarë propozimesh do të bëjë, sepse shumë aspekte kanë mbetur gjithmonë të paqarta. Për shembull fraza e famshme: "Të nesërmen lufta do të përfundojë...", por si? Askush nuk ka mundur të thotë se si dhe as ai nuk ka dhënë indikacione konkrete se si. Të shohim tani se çfarë do të propozojë pasi të marrë detyrën”.
Politika e “urtë” ndaj emigrantëve
Sërish për Trumpin, Sekretarit të Shtetit të Vatikanit i kërkohet të shprehet për fjalët e tij thënë gjatë fushatës zgjedhore - të fundit, katër javë më parë, në Aurora (Kolorado) duke evokuar përdorimin e Alien Enemies Act të vitit 1798 - mbi premtimin, në rastin e fitores, të dëbimit masiv të emigrantëve të paligjshëm nga Amerika Latine. Nga ky këndvështrim, Kardinali Parolin kujton "qëndrimin e Papës dhe të Selisë së Shenjtë" për temën e migrimit që "është shumë i qartë në këtë kuptim". “Ne – vëren Parolin – jemi për një politikë të urtë ndaj emigrantëve, prandaj shpresojmë të mos arrin në këto ekstreme. Papa ka dhënë indikacione shumë të sakta, shumë të qarta për këtë temë. Besoj se kjo është mënyra e vetme për të trajtuar problemin e migrimit dhe për ta zgjidhur në një mënyrë humane”.
Bashkimi i konsensusit për temën e jetës
Përtej dallimeve, megjithatë, ka çështje që janë të ngjashme, çështje që përafrojnë, si mbrojtja e jetës dhe dënimi i abortit. “Është e vërtetë”, përgjigjet kardinali Parolin, “mbrojtja e jetës është një nga çështjet e rëndësishme”; megjithatë, edhe nga ky këndvështrim, rekomandon zbatimin e "një politike të përbashkët", të një politikë që synon "të bashkojë konsensusin" dhe "të mos kthehet sërish në një politikë polarizimi dhe përçarjeje". "Unë gjithashtu shpresoj që mbrojtja e jetës që Trump ka siguruar se do të bëhet gjatë mandatit të tij të mund të zgjerojë konsensusin," tha kardinali Parolin.
Marrëdhëniet nuk ndryshojnë
Më pas Sekretari i Shtetit të Vatikanit siguron se marrëdhëniet mes Selisë së Shenjtë dhe administratës së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë dhe nuk do të ndryshojnë, siç ka ndodhur tashmë “gjatë mandatit të mëparshëm të Trump”. “Si gjithmonë – tha Parolin – ka elemente që na afrojnë dhe elemente që ndoshta na dallojnë, që na largojnë. Kjo do të jetë një mundësi për të ushtruar dialogun dhe për të gjetur së bashku pika të reja konsensusi, gjithmonë në dobi të së mirës së përbashkët dhe të paqes në botë”.
Dialogu me Kinën vazhdon
Së fundi, kardinalit Parolin iu drejtua një pyetje në lidhje me marrëdhëniet me Kinën, duke kujtuar tensionet e vitit 2020, kur Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, kritikoi ashpër Marrëveshjen ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës për emërimin e ipeshkvijve, madje duke pasur frikë, në rastin e rinovimit (atëherë ishte i dyti pas nënshkrimit të parë në 2018), për Vatikanin se mund të vihej në rrezik "autoriteti tij moral". “Ne sidoqoftë po ecim përpara me Kinën, e rinovuam Marrëveshjen edhe për katër vite të tjera”, përgjigjet kardinali Parolin, duke kujtuar zgjatjen e marrëveshjes tetorin e kaluar për katër vjet të tjera. “Dialogu vazhdon, me hapa të vegjël por vazhdon”, siguron Sekretari i Shtetit të Vatikanit, “kështu që ne e konfirmojmë këtë linjë, pavarësisht reagimeve që mund të vijnë edhe nga Amerika”. Ajo që kardinali Parolin dëshiron të ripohoi është se "interesi" i Selisë së Shenjtë ndaj Kinës "është në thelb kishtar", prandaj ne duhet "të largohemi nga një konceptim politik, ndoshta i pranishëm në shumë vlerësime të qeverive dhe vendeve". Në vend të kësaj, ne duhet “të dimë se Selia e Shenjtë e shikon këtë aspekt. Dhe të mbështetur në këtë busull përpiqemi të ecim përpara”.