Shën Toma dhe Shën Bonaventura, dy drita për Kishën e të gjitha kohërave
R.SH. - Vatikan
Dy mjeshtër të mëdhenj, një domenikan e një françeskan, në shërbim të Kishës. 750 vjet pas vdekjes së Bonaventurës nga Bagnoregio dhe Tomës Akuinas, Biblioteka Apostolike e Vatikanit i kushton aktualitetit të tyre ekspozitën "Libri dhe shpirti".
Diakonia kulturore
E hapur deri më 14 dhjetor në "Kerkorian Hall", ekspozita, siç nënvizoi prefekti i Bav, Don Mauro Mantovani, synon "të tregojë aktualitetin dhe vlerën" e këtyre gjigantëve, që e mishëruan plotësisht "diakoninë kulturore dhe intelektuale", duke ndërtuar e duke krijuar kulturë”.
Shkrimi i Tomës
52 vëllime të zgjedhura nga gjithë trashëgimia e Bibliotekës së Vatikanit. Ndërmjet tyre, dy dorëshkrime autografe të Shën Tomës Akuinas meritojnë një vend nderi. Shkrimi i Tomës, i përcaktuar si intelligibilis edhe nga bashkëkohësit e tij dhe që vetëm dy studiues në botë janë në gjendje ta deshifrojnë sot, zbulon një portret të saktë të mprehtësisë së shpejtë të Doktorit Engjëllor: fshirjet, rishikimet, shënimet anësore i japin vizitorit një dëshmi unike të procesit e të mendimit të tij.
Dinamizmi i të shkruarit
“Të shkruarit - vazhdon Don Mantovani - është fryt i një akti mendimi, e studimi të kristalizuar, por që ofrohet edhe në një përmasë dinamike. Në ekspozitë donim të tregonim edhe trashëgiminë e lënë nga këta dy autorë të cilët më pas u komentuan nga të tjerë. Domethënë, u krijua një shkollë, një traditë mendimi, që iu dhurua brezave të mëpasëm”.
Gurrë frymëzimi aktual
“Toma dhe Bonaventura - vëren ai - e donin Kishën deri në fund të fundit: siç do të thoshte Papa Françesku, ata nuk e shikonin jetën nga ballkoni, por u zhytën vërtet në valët e realitetit. Përballë sfidave me të cilat po përballeshin, nuk u trembën: besuan në vlerën e së vërtetës që lidhet me të mirën, me të bukurën, që gjen përkryerjen te Zoti! Ndaj sot mbeten burim frymëzimi për rrugëtimin kulturor, teologjik, filozofik dhe të mendimit që jemi thirrur të bëjmë, për të dhënë kontributin tonë për të gjithë familjen njerëzore”.
Sinergjia dhe reciprociteti
Papa Françesku, nënvizon Prefekti i Bibliotekës së Vatikanit, “në përfundim të Laudato Sì, i citon të dy duke folur për pikëpamjen e tyre trinitare mbi krijimin. Toma dhe Bonaventura i japin kohëve tona një vështrim që, nëse është plotësisht trinitar, di gjithashtu të vlerësojë çdo ndryshim, jo duke vënë një ndryshim kundër një tjetri, por në një përmasë sinergjie dhe reciprociteti”.
Studimet dhe përkthimet
Vizitojmë ekspozitën të shoqëruar nga një prej kuratorëve, Stefen Metzger, i Departamentit të Dorëshkrimeve Bav: ekspozita dokumenton përhapjen e teksteve të Bonaventures dhe Tomës nga origjina - e deri në ditët e sotme, duke kaluar përmes prodhimit të librit në universitetin mesjetar ose përkthimeve e veprave të kryera gjatë shekujve në greqisht, arabisht, armenisht, kinezisht, hebraisht, gjermanisht dhe holandisht.
Ekspozohet puna e Tomës dhe Bonaventurës
Një prodhim që përfshin përmbledhje, pyetje filozofike dhe teologjike, vepra polemike ose tema në qendër të diskutimeve të nxehta. Kujtojmë, për shembull, tekstet në lidhje me polemikat mashtruese, të cilat kishin të bënin drejtpërdrejt me ekzistencën e Urdhrave Domenikane dhe Françeskane. Në kodet dhe librat e çmuar, të zgjeruar nga ndriçimi i rasteve në të cilat shfaqen, rishikohet interpretimi dhe komenti i Aristotelit nga Toma ose tekstet e përshpirtërisë dhe të teologjisë mistike, nga Bonaventura. Ky i fundit, si ministër i përgjithshëm i Urdhrit Françeskan, kompozoi vepra themelore: Jeta e Shën Françeskut, dalë nga pena e tij, u bë biografia zyrtare e familjes françeskane.
Dy shandanët e shtëpisë së Zotit
Nuk ka asnjë dëshmi historike takimi të drejtpërdrejtë të Tomës dhe Bonaventurës. Papa Gregori X i ftoi të dy në Koncilin II të Lionit, më 1274. Toma dha shpirt gjatë udhëtimit në manastiruin çisterçens të Fossanovës, ndërsa Bonaventura i mbylli sytë për dritën e kësj bote gjatë punimeve të takimit. Kanonizuar përkatësisht në 1323 nga Gjoni XXII dhe në 1484 nga Sixtus IV, në komplementaritetin e tyre të ndërsjellë përfaqësojnë një rëndësi të dorës së parë për Kishën. Nuk është rastësi që, duke përdorur një figurë biblike, Sixtus V i përshkroi si "dy shandanë të shndritshëm në shtëpinë e Zotit". Papa Françesku i kujton këto fjalë në mesazhin e shkruar me rastin e përurimit të ekspozitës: dy shenjtorët, shkruan Ipeshkvi i Romës, "vazhdojnë edhe sot të përfaqësojnë burime drite dhe frymëzimi për Kishën dhe për kulturën" si "Ndriçues" për një dritë të re ndaj teologjisë "në të cilën thellësia intelektuale dhe jeta shpirtërore, shkenca dhe urtia, përvujtëria dhe bamirësia ndërveprojnë dhe ushqejnë reciprokisht thellësinë intelektuale dhe jetën shpirtërore, shkencën e dijen, përvujtërinë dhe dashurinë e krishterë.
Duke vizituar ekspozitën
Vizita është me shoqërues e falas, e hapur deri të shtunën, më 14 dhjetor 2024 sipas një kalendari specifik të programuar tashmë nga Biblioteka, derisa të plotësohen vendet e disponueshme(info:kerkorianhall@vatlib.it). Përbën gjithashtu një fazë të rëndësishme të konferencës ndërkombëtare"Shenjtëria e inteligjencës" e cila, 750 vjet pas vdekjes së Bonaventurës dhe Tomës Akuinas, do të organizohet në Romë nga 5 deri më 7 dhjetor, nga Ambasada Franceze, Shkolla Franceze e Romës, Komisioni Leonin, Universitetet Papnore Angelicum dhe Antonianum dhe Biblioteka Apostolike e Vatikanit.