Ukrainë, Imzot Gallagher: Selia e Shenjtë u angazhua për kthimin e të miturve, ushtarëve dhe civilëve
R.SH. / Vatikan
“Për fat të keq rezultatet nuk i përmbushën pritshmëritë”, ndoshta sepse rastet e besuara “janë më të komplikuara”, megjithatë Selia e Shenjtë vazhdon në angazhimin e saj humanitar për lirimin e të miturve të ndaluar, ushtarëve ukrainas dhe civilëve. Këtë e deklaroi Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, i cili foli në Montreal të Kanadasë, në Konferencën Ministrore mbi Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes në Ukrainë. Ky është samiti i dytë ndërkombëtar mbi Formulën e Paqes i propozuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Pason samitin në Zvicër qershorin e kaluar. Aktiviteti dyditor kanadez (30-31 tetor) pati si axhendë “Propozimin numër 4”. Nga dhjetë pikat që përbëjnë Formulën, spikat “çlirimi i të gjithë të burgosurve dhe të dëbuarve”. E ky është misioni që Selia e Shenjtë ndërmori që nga shpërthimi i pushtimit rus të Ukrainës, "duke mirëpritur - kujton Gallagher - kërkesat e përsëritura të autoriteteve ukrainase".
Kërkesa e Zelenskit dhe misioni i Zuppit
Vetë Zelensky ishte i pari që iu drejtua rrjetit diplomatik të Selisë së Shenjtë për çështjen e lirimit të mbi 19,000 të miturve ukrainas, të çuar me forcë në Rusi dhe për shkëmbimin e të burgosurve. Mekanizmi i nisur çoi në rezultate konkrete, si lirimi i dy redentoristëve ukrainas më 29 qershor të këtij viti dhe gjithashtu kthimi i një grupi të miturish. Zelensky, siç dihet, përsëriti kërkesën e tij për ndihmë nga Papa në audiencën - e treta në Vatikan - më 11 tetor.
Kjo lloj ndihme humanitare ishte atëherë "objektivi kryesor i misionit të kardinalit Zuppi në Kiev dhe Moskë"- kujtoi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, në lidhje me udhëtimin e presidentit të CEI në Ukrainë dhe Rusi në verën e 2023 (me ndalesë gjithashtu në SHBA dhe Kinë) si emisar i Papës për të gjetur mënyrat e "një paqeje të drejtë" për vendin "e torturuar". Zuppi, më pas, u kthye në Moskë më 14 dhe 15 tetor. Ky mision, nënvizoi Gallagher në Montreal, “çoi në krijimin e kuadrit për riatdhesimin e fëmijëve dhe shkëmbimin e rregullt të informacionit ndërmjet dy palëve. Këtu përfshiheshin edhe takime online me pjesëmarrjen e nuncëve apostolikë të dy vendeve”, Visvaldas Kulbokas në Ukrainë dhe Giovanni d'Aniello në Rusi.
Ndihma e dy nuncëve apostolike
Edhe nëse rezultatet nuk janë të kënaqshme - pohoi kryeipeshkvi, megjithatë “kontakti i drejtpërdrejtë ndërmjet palëve, veçanërisht me praninë e dy nuncëve apostolikë, është i dobishëm për lehtësimin e dialogut”. Kulbokas, në veçanti, vazhdoi prelati, "identifikoi institucionet katolike të gatshme për të mirëpritur familjet me të mitur të riatdhesuar". Dhe kjo ndërkohë që “Selia e Shenjtë përsërit kërkesat e saj për lista të reja të fëmijëve”. Jo vetëm kaq, “Selia e Shenjtë përcolli edhe mijëra emra të burgosurish, duke kërkuar shkëmbimin dhe lirimin e tyre. Ai gjithashtu mbështeti propozimin për krijimin e komisioneve të përbashkëta mjekësore për të burgosurit me gjendje të rëndë shëndetësore dhe kërkesën e familjeve të të burgosurve ukrainas për t'u ofruar atyre ndihma humanitare. Më në fund, kërkoi nga pala ruse të zhvendoste ushtarët ukrainas të vdekur”.
Situata e të burgosurve rusë në Ukrainë
Nunci në Kiev - informon Imzot Gallagher - "vizitoi disa nga të burgosurit rusë në Ukrainë duke vënë në dukje kushtet e tyre të mira". Një garanci e ngjashme, në lidhje me kushtet e të burgosurve ukrainas, dha edhe Ombudsmani e Federatës Ruse (Ombudsmani i Rusisë, i emëruar zyrtarisht Komisioner për të Drejtat e Njeriut, red.), "por pa mundësinë që Selia e Shenjtë të verifikonte situatën”.
Jo shpërdorimeve!
Në përfundim, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare ftoi "palët të përmbahen nga çdo shpërdorim i çështjeve humanitare" dhe ritheksoi "nevojën e angazhimit lidhur me gjetjen e zgjidhjeve për emergjencat humanitare, parë edhe si rrugë e vullnetit të mirë drejt paqes".