Në Sheshin e Vatikanit lartohet Bredhi i Krishtlindjes, ardhur nga Trentino

Në Sheshin e Shën Pjetrit ndjehet fort afrimi i Krishtlindjes: lartohet madhështor Bredhi i festës e fillon “përgatitja” e Shpellës së Betlehemit! Krishti do të lindë rishtas ndër ne, nën një qiell të zymtë, si atëhere kur në viset e tij masakroheshin fëmijët, si masakrohen edhe sot, rreth Betlehemit, në pritje të shpëtimit, të Foshnjës Hyjnore! Krishti vjen përsëri në botë me lajmin engjëllor të paqes: "Lavdi Zotit në lartësitë qiellore, e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë”

R.SH. / Vatikan

Vatikani po fillon dukshëm të veshë petkat e Krishtlindjes. Bredhi madhështor, 29 metra i lartë, u lartua në Sheshin e Shën Pjetrit sapo erdhi nga Ledro e Trentinos, Itali. Aty zgjedhja e këtij shtatlarti të gjelbër - njoftoi Guvernatori  i Selisë së Shenjtë - përcaktohej jo aq nga vlera estetike, sa nga vlera ekologjike, duke pasur parasysh se shtegtimi i jashtëzakonshëm i Bredhit madhështor do të garantonte zëvendësimin natyral të pyllit për dekadën e ardhshme.

 Pyjet në zonë janë të çertifikuara nga PEFC. E pylli i çertifikuar nga PEFC (Çertifikata për mbrojtjen e pyjeve) ruhet në përkim me standardet më të rrepta ambientale, sociale dhe ekonomike. Rritja e pyjeve Ledro çertifikohet për 8260 metër kub e bredhi, që tani lartohet në zemër të krishterimit, ishte një prej drurëve që duheshin prerë për kultivimin korrekt të pyllit.

Nisma e dhuratës së Krishtlindjes nga Ledro - në Romë, për t’iu dorëzuar Papës Françesku, nuk u kufizua me një bredh të vetëm, sado i lartë e krenar të ishte: shoqata, institucione, organe, qytetarë të thjeshtë - të aktivizuar individualisht e edhe në grup – iu vunë me hare punës për 39 bredha të tjerë më të vegjël, të blertë si pylli, të caktuar për t’u prerë e për t'u ndarë në vendet publike dhe ndërtesat e Selisë së Shenjtë, që me sa duket, në këto ditë të mëdha, do të shndërrohet në pyll të blertë, simbol i qetësisë, gëzimit, paqes që zbret nga Qielli mes nesh, shoqëruar nga kënga e Engjëjve: "Lavdi Zotit në lartësitë qiellore, e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë” – këngë që njerëzimi e përhap në mbarë globin, këto ditë që kanë aq shumë nevojë të jetohen si ditë feste, paqeje, shoqëruar nga koret e Engjëjve, që këndojnë rreth djepit të Foshnjës Hyjnore.

Të mos harrojmë: figurë kryesore e festës së Mishërimit të Hyjit është Krishti Fëmijë. Por edhe Plaku i Vitit të Ri, edhe ky i lindur në djepin e krishterimit. Ndërsa Bredhi i parë i Krishtlindjes nisi të stolisej në Gjermani…

Pema e Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, me të, dekorimi ndriçues, e skena e lindjes së Krishtit poshtë obeliskut, dhuruar nga Grado (Gorizia) e Italisë, do të përurohen të shtunën, 7 dhjetor, në orën 18.30, dhe do të qëndrojnë aty deri në përfundim të Kohës së Krishtlindjes, që përkon me festën e Pagëzimit të  Zotit, të diel, më 12 janar 2025.

22 nëntor 2024, 16:05