Kërko

Imzot Zani: Biblioteka Apostolike, trashëgimi shekullore, për të gjithë

Arkivisti dhe bibliotekari i Kishës së Shenjtë Romake flet për takimin ndërkombëtar në të cilin, nga data 14 deri më 16 nëntor, në Vatikan do të marrin pjesë përfaqësues të bibliotekave kryesore kombëtare. Ideja e kësaj nisme "lindi prej mandatit dorëzuar nga Papa Françesku".

R.SH. / Vatikan

 “Conservata et Perlecta Aliis Tradere. Bibliotekat në dialog”. Kjo është tema e takimit, në program, në Vatikan, nga 14 deri më 16 nëntor, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bibliotekave kryesore kombëtare. Do të diskutohet dhe do të reflektohet për sfidat, që ndryshimet e shpejta të epokës sonë ua imponojnë edhe institucioneve që merren me trashëgiminë kulturore. Imzot Angelo Zani, arkivist dhe bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake, nënvizon se qëllimi është "të shkëmbehen përvojat si dhe nismat më domethënëse".

Takimi, i planifikuar në Vatikan nga 14 deri më 16 nëntor, është  mundësi për diskutim ndërmjet institucioneve të rëndësishme. Si lindi ideja për këtë nismë? Si t’i ruajmë dhe t’i transmetojmë njohuritë në kohën tonë?

Ideja lindi nga mandati që më dha Papa Françesku kur më kërkoi të vija këtu si arkivist dhe bibliotekar dhe shtoi këto fjalë: duhet të përpiqemi të hapim. U përpoqa të kuptoja se çfarë do të thotë të hapësh një arkiv apo një bibliotekë, në veçanti bibliotekën. Kemi menduar gjatë për këto dy vite. Tashmë jemi pjesë e rrjetit global të bibliotekave. Megjithatë, këto takime janë shumë formale dhe burokratike. Në vend të kësaj, ne duhet të prekim nyjet vendimtare të këtyre institucioneve. Për këtë arsye menduam të ftojmë një përfaqësi, rreth 25 delegacione, të bibliotekave më të rëndësishme në botë, për të diskutuar me ta dhe për të parë ndryshimet që po ndodhin. Ne kemi trashëgimi historike unike. Biblioteka jonë nuk është thjesht bibliotekë universitare apo bibliotekë shtetërore. Në përgjithësi ka biblioteka shtetërore. Prandaj ne jemi pak një gjë, e pak një tjetër.

Mbi të gjitha, veçoria jonë është pasuria e trashëgimisë shekullore që kemi dhe që duhet ta vëmë në dispozicion në këtë kuptim hapjeje. Synimi është pikërisht të reflektojmë së bashku, të dialogojmë me institucione më të mëdha se tonat. Disa janë të ngjashme, disa të ndryshme. E, mbi të gjitha, të dëgjojmë, të shkëmbejmë përvojat dhe nismat më domethënëse të kryera nga institucione individuale, në fusha të veçanta. Ky është qëllimi dhe ne e kemi përgatitur këtë takim mbi bazën e një instrumenti laboris, duke nënvizuar problemet më të rëndësishme për ne. Tashmë prej disa muajsh jemi në kontakt me këta përfaqësues: kemi zhvilluar disa takime në distancë nëpërmjet platformës Zoom dhe kemi vërejtur se ka interes të madh për të gjithë; sidomos me këtë thirrje të nisur nga një bibliotekë, si kjo e jona, e cila lindi në zemër të Rilindjes, por që ende i duhet të përballojë sfidat e mëdha të ditëve të sotme.

Le të hyjmë në këtë trashëgimi të njerëzimit, që përbëhet nga biblioteka. Duke parë ndryshimet që po ndodhin në epokën tonë, cilat janë sfidat kryesore për institucionet e rrënjosura në histori, si bibliotekat?

Ne identifikojmë tri sfida: njëra është se si të konceptohen dhe të krijohen koleksione librash sot, si të përdoren hapësirat e ruajtjes dhe strategjitë e rritjes e si të ndërtohet një bibliotekë sot me sisteme dhe aktivitete që favorizojnë konsultimin e drejtpërdrejtë dhe të largët. Nuk duhet harruar se kemi rreth 6000 studiues dhe kureshtarë librash, që vijnë çdo vit. Pra, para së gjithash, duhet parë se si të riorganizohet një bibliotekë sot. Sfida e dytë ka të bëjë me përdorimin e teknologjive të reja dhe strategjive të komunikimit, në shërbim të bibliotekave. Kemi kompjuterizim, kemi dixhitalizim, platforma të reja që kanë të bëjnë edhe me koleksionet dixhitale, arkivat e konservimit. Pastaj është sfida e madhe e inteligjencës artificiale: si mund të kombinohet me një vend si i yni, që ka një histori të lashtë pas vetes. Sfida e tretë ka të bëjë me politikat kulturore dhe orientimet studimore. Biblioteka është institut kërkimi dhe jo koleksion i thjeshtë tekstesh librash: ajo duhet të integrohet, duhet të vihet në dialog me sfidat e sotme. Prandaj na duhet një politikë e përgjithshme strategjike për ta përdorur këtë trashëgimi të njerëzimit.

Në krahasim me bibliotekat në mbarë botën, çfarë roli luan Biblioteka Apostolike e Vatikanit?

Më kujtohet pikërisht teksti i Fondacionit të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, i Nikollës V. Jemi në vitin 1451. Papa thoshte: "Ne i kemi këto vëllime këtu, për t'i vënë në dispozicion të studiuesve". Dhe ne jemi në atë epokë: Benedikti XVI e kujtoi këtë koncept kur erdhi këtu dhe tha: ky nuk është vend vetëm për teologë apo filozofë, por vend ku duhet të mbledhim të gjitha njohuritë. E në të vërtretë këtu kemi tekste mbi filozofinë, ligjin, artin, muzikën, shkencat njerëzore, astrologjinë etj. Nuk është thjesht bibliotekë fetare por, siç thotë Benedikti XVI, është biblioteka e njeriut, pra e gjithçkaje që njeriu, njerëzimi kërkon, shpreh, përdor. Në këtë kuptim, duhet të gjurmojmë vërtet në thesaret që kemi dhe në ato që mbërrijnë gjithmonë ne nuk mbajmë vetëm gjëra nga e kaluara; duhet të mbledhim edhe gjërat e sotme - aspektet fetare, ato kulturore, ato sociale. Biblioteka është, mbi të gjitha, vend dialogu ndërmjet shkrimeve të ndryshme, në duar të ndryshme: nuk vijnë vetëm të krishterë dhe katolikë, por edhe myslimanë, hebrenj e jobesimtarë, sepse duan të angazhohen me trashëgiminë e njerëzimit, me të shkuarën, me të tashmen e, pse jo, edhe me të ardhmen!

Me që folëm për të kaluarën dhe të tashmen, si do të ishte  bota pa biblioteka?

Një botë pa biblioteka, do të ishte si kulturë pa rrënjë. E kultura, që nuk mbështetet në rrënjët e së kaluarës, do të ishte si skulpturë pa bazë. E një realitet që nuk ka bazë, nuk qëndron. Pra, jemi vërtet shumë të prekur kur vërejmë se studiuesit që vijnë këtu, janë gjithnjë e më të rinj. Ka ulje moshe, e kjo është shumë interesante, sepse ne duam të jemi në dispozicion veçanërisht për brezat e rinj, për t'i ndihmuar ata të rigjurmojnë historinë, siç thotë Papa Françesku. Rimendojeni, gjurmojeni, njiheni dhe pastrojeni historinë! Kjo është baza që na ndihmon të jemi qytetarë, njerëz të kulturës me aspirata për të ardhmen në kontekstin e sotëm, i cili projektohet i tëri në të ardhmen. Por, kujdes! E ardhmja është e pabalancuar, nëse nuk ka rrënjë historike!

15 nëntor 2024, 12:27