Kërko

Imzot Peña Parra: dëshmitarë të shpresës kundër indiferencës së botës

Kryeipeshkvi zëvendës për Punët e përgjithshme pranë Sekretarisë të Shtetit të Vatikanit vendosi Trëndafilin e Artë, dhuratë nga Papa Françesku, për ikonën mariane të Bazilikës Esperanza Macarena, në Sevilje të Spanjës. E shikojmë dhe veprojmë me dashuri ndaj të varfërve, të moshuarve, emigrantëve, të sëmurëve dhe të gjitha viktimave të kulturës së të flakurve - pohon Kryeipeshkv

R.SH. / Vatikan

Të jeni dëshmitarë të shpresës që, duke ndjekur shembullin e Marisë, devocioni të mos mbetet "i huaj", ​​por t'i përgjigjet indiferencës së botës me jete të përvujtë, me shërbim dhe bashkim". Kjo, ftesa e Kryeipeshkvit Imzot Edgar Peña Parra, zëvendës për Çështjet e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. Dje, më 3 dhjetor, me rastin e një liturgjie, i vuri Trëndafilin e Artë dhuruar nga Papa Françesku ikonës së Zojës Mari të Bazilikës së Esperanza Macarena në Sevilje të Spanjës, ku kryeipeshkvi ndodhet si i dërguar i posaçëm i Papës Françesku në kremtimin e hapjes së Kongresit II Ndërkombëtar të "Hermandades y Piedad Popular".

Të shikohet realiteti me dashuri dhe vëmendje   

Reflektimi, tek këmbët e figures së bekuar të Santa María de la Esperanza Macarena, nisi me episodin e dasmës së Kanës së Galilesë, një tregim-ikonë i Ungjillit, që të kujton kujdesin amtar të Marisë, nënës së ndjeshme ndaj nevojave të bashkëshortëve dhe të fëmijëve të çdo epoke”. Synimi - shpjegoi imzot Peña Parra - është të "marrim përsipër detyrën e të jetuarit si Kishë, e vëmendshme ndaj nevojave të të tjerëve, me stilin e Virgjërës". Stil i karakterizuar, para së gjithash, nga aftësia për ta "shikuar me dashuri dhe vëmendje realitetin që të rrethon”. Nëna e Jezusit nuk mbyllet në vetvete, në mirëqenien apo interesat e veta. Sytë e saj drejtohen gjithnjë nga përmbushja e vullnetit të Zotit dhe e të tjerëve”.

Ndjeshmëri ndaj asaj që mungon

Në Kanë të Galilesë, Maria është e para që i kupton nevojat e familjes së re, mikpritëse: “Nuk kanë verë”. Ky qëndrim na shtyn të shqyrtojmë gatishmërinë për të parë “nevojat e vëllezërve dhe motrave tona, veçanërisht të më të varfërve dhe më nevojtarëve, si dhe të atyre që vuajnë në mënyrë të heshtur dhe memece”, nënvizoi kryeipeshkvi. Kështu, "në një shoqëri të prekur kaq shpesh nga indiferenca", shembulli marian na nxit "për të kuptuar çka mungon në jetën e atyre, që na rrethojnë: për mungesën e shpresës, të dashurisë, të drejtësisë, mungesën e asaj që është e nevojshme për një jetë dinjitoze”.

Duke parë mungesën e verës në Kanë, Maria "tregon se si duhet vepruar përballë varfërisë, vuajtjeve dhe padrejtësive, që vazhdojnë në shoqërinë tonë”. Sot - vijoi Kryeipeshkvi Imzot Edgar Peña Parra, zëvendës për Punët e përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë - "mungesa e verës" mund të duket në shumë mënyra: në mungesën e mundësive për ata që jetojnë në varfëri ekstreme, në vetminë e të moshuarve të braktisur, në dhimbjen e atyre që kanë humbur besimin dhe shpresën, në vuajtjet e emigrantëve, të sëmurëve dhe të gjithë atyre, të cilët përjashtohen e flakën ndër mbeturina”.

Feja të vihet në shërbim plot dashuri për nevojtarët

Ashtu si Maria, duke vepruar "me përvujtëri e mëshirë" e duke "shërbyer pa pikë interesi", edhe ne mund "të jemi ndërmjetës të hirit hyjnor, duke i çuar nevojat e fqinjëve tanë para Jezusit" e duke e vënë fenë tonë në shërbim  të atyre, që kanë më shumë nevojë".

Dorëzimi i Trëndafilit të Artë, simbol i dashurisë dhe kushtimit të Papës për Virgjërën e Lume, është thirrje për ta jetuar fenë "me një ndjenjë të thellë kishtare", duke praktikuar shpresën, që "nuk është iluzion, as optimizëm sipërfaqësor" por, më tepër, "amanet i rrënjosur tek besimi në Zotin".

Reflektimi i një shprese, që nuk ndalet kurrë

Një "shpresë aktive" që ndjehet fuqimisht kur në Kanë Maria u kujton shërbëtorëve: "Bëni çka do t'ju thotë", duke shprehur "besimin e plotë se Jezusi do të veprojë, ndonëse nuk e di se si". Ky qëndrim, vuri në dukje i dërguari i posaçëm i Papës Françesku, "është pasqyrim i shpresës që nuk ndalet kurrë, por vihet vazhdimisht në lëvizje, duke i nxitur edhe të tjerët për të vepruar". Në të njëjtën mënyrë, përfundoi Imzot Edgar Peña Parra e gjithë Kisha është e thirrur të "punojë së bashku për ta lejuar mëshirën hyjnore ta shndërrojë 'ujin' e njeriut në 'verën' e shpresës".

04 dhjetor 2024, 16:06