"Lojërat" e luftës dhe biznesi i vdekjes
R.SH. – Vatikan
Andrea Tornielli
“Dua të vë në dukje hipokrizinë e atyre, që flasin për paqen, por luajnë luftash. Në disa vende ku flitet shumë për paqen, investimet që kanë më shumë fitime bëhen në fabrikat e armëve. Kjo hipokrizi na çon gjithmonë drejt dështimit. Dështimit të vëllazërimit, dështimit të paqes”. Fjalët e shqiptuara nga Papa Françesku më 25 nëntor, për 40-vjetorin e traktatit të paqes ndërmjet Argjentinës dhe Kilit, që zgjidhi mosmarrëveshjen për kanalin Beagle, gjejnë konfirmim të mëtejshëm tragjik në të dhënat e publikuara këto orë nga Sipri (Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm). Industria e armëve vazhdon të zhvillohet, vitin e kaluar të ardhurat u rritën me 4,2%, duke arritur në 632 miliardë dollarë (+19% që nga viti 2015). Fatkeqësisht, dihet mirë se me çfarë lloj tjetër statistikash lidhet kjo rritje: me numrin e të vdekurve dhe të plagosurve ushtarakë dhe civilë, me qytete të shkatërruara, me të shpërngulur, me të ardhmen që u vidhet brezave të rinj, me shkatërrim mjedisor.
Të bën përshtypje, në fjalët e Ipeshkvit të Romës, ajo “luajnë luftash”. Nëse luftërat, në planin mendor, trajtohen si të ishin “lojë”, qofshin ato politike apo ushtarake, kjo është shenjë se ka humbur vullneti për të shkuar në rrënjët e konflikteve. Mungon vullneti për të kuptuar shkaqet dhe për t'i korrigjuar ato. Është shenjë se ka humbur vlera e paqes, rëndësia e dialogut dhe e bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Përveç kësaj, loja zakonisht ka të bëje me një lloj gare, ku ka fitimtarë dhe humbës, gjë që është e pranueshme kur është fjala për ndonjë lojë tenisi ose shahu, por, nëse janë shtetet që “luajnë luftash”, vihet në diskutim vetë ideja e vëllazërimit njerëzor dhe e drejta ndërkombëtare.
Duke nxjerrë në dritë hipokrizinë e atyre, që duan të përfitojnë nga lufta, pavarësisht nga pasojat e saj katastrofike, Papa Françesku i bën thirrje urgjente ndërgjegjes së liderëve politikë dhe asaj të të gjithëve. Kërkon të ndalet ky biznes në kurriz të të tjerëve, në dëm të paqes dhe rrjedhimisht, në kurriz të më të ligshtëve e të gjithë njerëzimit.
Është thirrje thellësisht shpirtërore, e cila ka nevojë për lutjen intensive të të gjithë Kishës, veçanërisht në këtë Kohë të Ardhjes, për t'i kërkuar "Princit të Paqes" të frymëzojë mendime, fjalë dhe, mbi të gjitha, veprime për ta jetuar politikën ndërkombëtare seriozisht, duke e hedhur vështrimin përtej, duke menduar për të ardhmen, për brezat e rinj. Me vetëdijen se bota ka shumë nevojë për "kompromise të nderuara" - si ai i nënshkruar ndërmjet Argjentinës dhe Kilit, me ndërmjetësimin e Vatikanit, katër dekada më parë - dhe jo për "lojërat e luftës" së prepotentëve: "Dhëntë Zoti që bashkësia ndërkombëtare të bëjë të mbizotërojë forcën e ligjit përmes dialogut, sepse dialogu duhet të jetë shpirti i bashkësisë ndërkombëtare”.
Raporti Sipri
Kështu lutet Papa, ndërsa bota vijon të armatoset deri në dhëmbë. Gjashtë nga 100 ndërmarrjet kryesore, që prodhojnë armë, e kanë selinë në Lindjen e Mesme. Të ardhurat e tyre janë rritur me 18 për qind. Me fillimin e luftës në Gazë, të ardhurat e tri kompanive me bazë në Izrael arritën në 13,6 miliardë dollarë, shuma më e lartë e regjistruar ndonjëherë nga firmat izraelite të pranishme në raportin e Sipri-t. Tre prodhuesit e tjerë, me bazë në Turqi, i kanë rritur fitimet me 24 për qind.
E njëjta gjë vlen edhe për Rusinë. Të ardhurat e dy kompanive më të mëdha u rritën me 40 për qind, në rreth 25,5 miliardë dollarë. Edhe pse në disa raste nuk ka të dhëna zyrtare, analistët mendojnë se prodhimi i pajisjeve të reja ushtarake ka arritur nivele rekord dhe arsenali ekzistues në Rusi është modernizuar, sidomos avionët luftarakë, helikopterët, dronet, tanket, municionet dhe raketat.
Nga ana tjetër e botës, në SHBA, të ardhurat e 41 kompanive kryesore arrijnë në 317 miliardë dollarë, ose gjysma e fitimeve të 100 firmave më të mëdha në nivel global. Shifra në rritje edhe në Azi dhe Oqeani (+5,7 përqind), veçanërisht në Korenë e Jugut dhe në Japoni. Përsa i përket Evropës, të dhënat për 27 kompanitë më të mëdha të armëve flasin për një rritje minimale (0,2 për qind).