Papa: kremtimet liturgjike të Kohës së Krishtlindjes
R. SH. / Vatikan
Afrohen shpejt ditët vezulluese të njërës nga Festat më të mëdha të vitit, që na kujtojnë lindjen e Krishtit, Foshnjës së Betlehemit, Zotit, që vjen të na shpëtojë shpirt e korp nga rreziqet e botës, sot në zjarr e flakë. Ditë ngarkuar me kremtime prekëse, me Bredha, Shpella Betlehemi e, sidomos, Meshë e lutje, ndërmjet të cilave, kryesoret, kremtimet e Papës Françesku. Po i kujtojmë, për t’i ndjekur:
Mesha e Natës së Krishtlindjes, 24 dhjetor: Papa do ta kryesojë në orën 19:00 në Bazilikën e Shën Pjetrit, së bashku me ritin e hapjes së Derës Shenjte të Jubileut 2025, që do të paraprihet nga lutja përgatitore, duke nisur nga ora 18:30.
Kështu njofton zyra e kremtimeve liturgjike papnore.
Të Martën, 25 dhjetor, ora 12.00, Papa do të dalë në lozhën qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit për bekimin apostolik tradicional të Krishtlindjes "Urbi et Orbi" dhe mesazhin e tij drejtuar Romës e Botës.
Ndërsa më 31 dhjetor, e marte, gjithashtu në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 17:00, Ati i Shenjtë do të kremtojë lutjet e para Mbrëmësore të solemnitetit të të Shenjtnueshmes Mari, Nënës së Zotit, ndjekur nga kënga tradicionale Te Deum, në përfundim të vitit kalendarik.
Të mërkurën, 1 janar 2025, në solemnitetin e Marisë, Nënës së Shenjtë të Zotit, Papa Françesku do të kryesojë kremtimin Eukaristik në orën 10:00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e Ditës Botërore të Paqes.
Të hënën, 6 janar, në solemnitetin e Epifanisë së Zotit, Papa do të kryesojë Meshën solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 10:00. Është edhe festa popullore me titull të veçantë e vlera të ruajtura mrekullisht në rrjedhë shekujsh: Viva la Befana, që i jep Sheshit të Shën Pjetrit ngjyrimin e një feste të madhe shumëshekullore.