Papa në Ajaccio, në zemër të Mesdheut për të folur për paqen
R.SH. – Vatikan
Françesku është Papa i parë, që do të shkojë për herë të parë në histori në Ajaccio të Korsikës, të dielën, më 15 dhjetor. Ky në ishullin francez, është udhëtimi i tij i 47-të apostolik, por vendet e vizituara mbeten 67, sepse është hera e tretë e Bergoglio-s në Francë, pas Strasburgut në vitin 2014 dhe Marsejës në vitin 2023.
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, paraqiti sot programin dhe qëllimin e këtij shtegtimi njëditor, ku Ati i Shenjtë do të marrë pjesë në një konferencë mbi përshpirtërinë popullore, me Kisha të ndryshme të Mesdheut. Gjithashtu, do të ketë mundësi të takojë edhe ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët vendas, me në krye kardinalin François-Xavier Bustillo, kryeipeshkëv i Ajaccio-s, në katedralen e Zojës së Madhe, për ta mbyllur ditën me një meshë në Place d'Austerlitz, ku priten rreth shtatë mijë besimtarë. “Mesdheu do të jetë sfondi i këtij udhëtimi, në këtë kohë të karakterizuar nga konflikte, që me shumë gjasa do të përmenden në fjalimet e Papës, së bashku me krizën e ambientit në një ishull plot bukuri”, deklaroi Matteo Bruni.
Së fundi, takimi me presidentin francez Emmanuel Macron, në aeroport, para nisjes së Papës nga Ajaccio. Mund të imagjinohen temat e bisedës së tyre: konfliktet që prekin Evropën, Lindjen e Mesme e rajone të tjera të planetit. Në të vërtetë, paqja mbetet shqetësimi kryesor i Françeskut.
Ati i Shenjtë deshi ta bëjë këtë udhëtim të shkurtër, afër Italisë, për një sërë arsyesh, para së gjithash për të 'bekuar' atë përshpirtëri popullore, bërë nga procesione e vëllazëri fetare, që është shumë e rëndësishme në Korsikë. Fryt i traditës, kjo përshpirtëri, e përjetuar edhe me gjuhën dhe këngët e veçanta vendase, është shprehje e identitetit të banorëve, por edhe mjet ungjillëzimi. Në Korsikë, mbi 80 për qind e popullsisë është katolike dhe vëllazëritë tërheqin gjithnjë e më shumë të rinj, sepse janë vend gëzimi dhe solidariteti. Korsikanët kanë një përkushtim të veçantë për Zojën, që ata e quajnë “Madunnuccia”, e cila, sipas traditës, në vitin 1656, kur ishulli ndodhej nën sundimin gjenovez, i shpëtoi nga murtaja. Kujtojmë se edhe Papa do të ndalet para shtatores së Zojës në Ajaccio.
Përshpirtëria popullore bëhet kështu, në synimin e Françeskut, një lloj ilaçi kundër shekullarizmit, që ka prekur prej vitesh shumicën e vendeve evropiane, të cilat po përjetojnë jo vetëm një rënie të vazhdueshme të thirrjeve në meshtari e në jetën rregulltare, por edhe të pagëzimeve, hapi i parë për të hyrë në bashkësinë e krishterë.